Fokus

Takimi Kurti-Vuçiq, progres drejt marrëveshjes finale apo dakordim për reciprocitetin?

Autori: Elvira Haxhiu 13:40 | 20 August 2022

Pa shtrëngime duarsh e në tryezën me hamburgerë e CocaCola, më 18 gusht në Bruksel u mbajt takimi i tretë i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ky takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, u zhvillua nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarit të posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak. E takimi disa orësh mes krerëve të dy shteteve, pas përfundimit u përmblodh në pika të gjera, ku nuk u dhanë shumë detaje nga asnjëra palë, shkruan Gazeta Infokus.

Këtë takim njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Agron Hoti po e sheh më se të nevojshëm për t’i ulur fillimisht tensionet mes dy vendeve dhe për t’i dhënë mundësi rifillimit të dialogut.

-Advertisement-

Në një përgjigje për Gazetën Infokus, Hoti ka thënë se rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi, do të ndikojë edhe në fillimin e zbatimit të reciprocitetit ku sipas tij nuk do të ketë ri përsëritje të tensioneve në veri të vendit.

Mirëpo, Hoti nuk e përjashton mundësinë që sërish të ketë shtyrje të zbatimit të këtij vendimi.

“Fakti që dialogu ka rifilluar dhe NATO ka bërë thirrje për ulje tensionesh, nuk e besoj që do të paraqesë tensionim të mëtejmë të gjendjes edhe ashtu të tensionuar, përkundrazi do t’i ulë tensionet. Edhe nëse nuk gjendet ndonjë modalitet reciprociteti deri më 1 shtator 2022, mund të ketë prapë shtyrje të ‚koordinuar‘. As pala kosovare e as ajo serbe nuk do të mund të ngrisin tensionet në veri, sepse atje tanimë është vendosur KFOR-i dhe se Policia e Kosovës nuk do të mund të shkojë aty pa leje të KFOR-it, ashtu siç nuk do të guxojë të futet as ushtria apo policia serbe, ngase të dyja palëve u është bërë qartazi me dije nga NATO se në çfarëdo eskalimi situate trupat e NATO-s do të ndërhynin pnë veri”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq, deklaratën e Borrell se në rast të tensioneve përgjegjësia do t’iu kalojë dy vendeve, ai sheh si dobësi të Bashkimit Evropian për tu marrë me tema të vështira, e që ky neutralitet po i jep vetëbesim Serbisë edhe në kërcënim ndaj Kosovës.

“Dihet që Serbia ka forcë ushtarake bindshëm më të fortë se Kosova dhe se në rast ndërhyrjeje në veri, përgjegjësia do të binte mbi të, sepse do të ishte forca e saj ajo që do të binte në sy. Megjithatë, Serbia përpos retorikës politike nuk është aq e marrë sa edhe ta sulmojë veriun e Kosovës, kur e di se si ishte ndarë me NATO-n në 1999. Prandaj, deklaratën e Borellit më shumë e shoh në frymën e krijimit të një klime shtensioni, sesa si peshë në aspektin e sigurisë, kur dihet që si siguria e BE-së ashtu edhe ajo e Ballkanit Perëndimor (përjashto këtu Serbinë) varet nga SHBA.”, u shpreh Hoti.

Edhe pse Qeveria e Kosovës e përmblodhi takimin disa orësh vetëm në dy pika, njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane beson se në këtë takim janë diskutuar tema të nxehta siç i quan ai, ku theks të veçantë i jep reciprocitetit dhe asociacionit të komunave serbe.

“Kam bindjen që në takim është biseduar kryesisht për temat më të nxehta që janë aktualisht, pra reciprociteti, vendimi gjyqësor për Manastirin e Deçanit dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe. Përballja kryesore mund të ketë qenë mes palës kosovare që përmes reciprocitetit synon të imponohet dhe ta shtrijë sovranitetin në veri dhe palës serbe që nuk do reciprocitet që e njeh shtetësinë e Kosovës, përkundrazi do asociacion me përgjegjësi ekzekutive që e minon shtetësinë e Kosovës”, ka deklaruar Hoti.

E sa i përket qasjes së Kosovës në dialog, Hoti vlerëson se vendi ynë nuk duhet te jetë refuzues ndaj dialogut, ngase nuk e ka një luks të tillë që të veprojë ashtu. Madje ai thotë se pala kosovare duhet të jetë bashkëpunuese me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëse pala kosovare nuk tregohet bashkëpunuese sidomos me SHBA, atëherë kjo do të ishte sinjali më i keq për takimet e ardhshme. SHBA ka qenë garanti kryesor i çlirimit dhe shtetësisë së Kosovës, prandaj edhe tash e tutje do të jetë edhe kur e thotë që asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë „shtet mbi shtet“”, ka thënë tutje njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane për Infokus.

Kurse lidhur me transparencën e Qeverisë së Kosovës lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, Hoti e sheh të nevojshëm krijimin e një konsensusi kombëtar duke përfshirë të gjithë aktorët vendorë, ku mbi bazë e tyre do të mund ta përgatiste opinionin vendor për modalitetet e mundshme që potencialisht mund të servohen në tabelën e bisedimeve me Serbinë

“Pala kosovare duhet që të ndërtojë konsensus kombëtar duke përfshirë të gjithë aktorët vendorë duke filluar nga opozita, akademia, shoqëria civile dhe ekspertë të ndryshëm, mbi bazën të cilave do të mund ta përgatiste opinionin vendor për modalitetet e mundshme që potencialisht mund të na servohen në tabelën e bisedimeve me Serbinë. Deri me tani nuk po e shohim këtë vullnet të palës kosovare”, ka shtuar ai.

E për çështjen e transparencës analisti Gazmir Raci, në një prononcim për Gazetën Infokus thotë se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë mekanizma që ta informojë publikun për çdo zhvillimin në procesin e dialogut.

Gjithashtu, ai kërkon nga ekzekutivi të angazhohet që zëdhënësit e saj të jenë në kontakt të vazhdueshëm me mediat në mënyrë që të evitohen informacionet e rreme lidhur me procesin e dialogut.

“Qeveria e Kosovës duhet me gjetë mekanizma që duhet ta njoftojë opinionin për çdo zhvillim që po ndodhë dhe që do të ndodhë. Unë nuk jam i mendimit që duhet të publikohen draft diskutimet ose draft marrëveshjet sepse ato e pengojnë finalizim e tyre por të paktën një minimin i komunikimit zyrtar duhet me qenë edhe për një arsye që mos me leju që lajmet e rreme apo fake news me ndiku te opinioni i gjerë. Qeveria ka kërkuar vazhdimisht mos me i’u besu burimeve fake, andaj qeveria për mos me pas burime fake duhet me u angazhu që zëdhënësit e saj me qenë në kontakt të përhershëm me media dhe përmes mediave dhe me shoqërinë kosovare”, ka thënë Raci.

Kurse sa i përket 1 shtatorit, Raci nuk mendon se do te ketë sërish tensione në veri të vendit pas fillimit të zbatimit të vendimit për reciprocitetin mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij dialogu mes dy vendeve duhet të vazhdojë, mirëpo ai thotë se nuk duhet të lejohet rihapja marrëveshjeve të cilat veçse kanë përfunduar, ngase sipas tij çdo rihapje e marrëveshjeve që janë mbyllë para shumë viteve e kthen procesin e dialogut në dialog teknik.

Derisa, për qasjen e të parit të qeverisë në dialog, Raci thotë se është një qasje që gjithmonë është premtuar nga Kurti.

“Kjo qeverisje dhe kryeministri Kurti nuk ka leju që mu mbajt referendumi as zgjedhjet në Serbi edhe e ka zbatu çështjen e targave ashtu qysh jemi marrë vesh në Bruksel. Nuk ka ndonjë hapësirë që mund ta rrezikojë procesin për faktin që faktori ndërkombëtar me ardhjen e Kurtit në qeverisje e ka kuptu edhe me programin qeverisës që ai ka një qasje tjetër që e ka prezantuar dhe tash duhet me respektu për shkak se është votu prej një shumice të konsideruar te qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Raci.

Pas takimit të së enjtes, Qeveria e Kosovës doli me një njoftim për media ku pa dhënë shumë detaje u njoftua se në takimin mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë u diskutua për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes.

Ndërkaq, temë e dytë e këtij takimi ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë.

“Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në postimin e qeverisë në Facebook.

Kurse, për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, 18 gushti ishte ditë vështirë.

“Një ditë e vështirë është prapa nesh, ishte një ditë e vështirë për të gjithë qytetarët dhe për mbarë vendin tonë, nuk mund të them se ka përfunduar me sukses, por përmbahem nga komentet e tjera, sepse shpresoj se është e mundur që me ndonjë mrekulli të arrijmë një zgjidhje kompromisi. Prandaj do të vazhdoj të luftoj për paqe dhe stabilitet”, ka thënë Vuçiq.
E përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë në një konferencë për media se ndonëse nuk është arritur marrëveshje, negociatat do të vazhdojnë.

Sipas tij takimet Kurtit dhe Vuçiqit, nuk kanë qenë “takime të zakonshme”, por “takime për menaxhimin e krizës”./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera