Si u ndryshua Deklarata që u miratua sot në Kuvend: U hoq zotimi për ndryshimin e Ligjit për Specialen, u shtua strategjia shtetërore
Autori: Gazeta inFokus
13:54 | 28 September 2026
Deklarata për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka pësuar ndryshime të konsiderueshme nga versioni fillestar i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës deri te versioni që u miratua sot në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Infokus.
Krahasimi i dy dokumenteve, versionit fillestar të publikuar më herët dhe atij të miratuar sot, tregon se janë larguar disa prej formulimeve më të drejtpërdrejta ndaj Dhomave të Specializuara.
Ndër ndryshimet kryesore është heqja e zotimit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe largimi i referencës ndaj raportit të Dick Martyt dhe pretendimeve për trafikim organesh.
Në anën tjetër, versionit të miratuar i janë shtuar referenca ndaj Ibrahim Rugovës dhe rezistencës paqësore, një përshkrim më i zgjeruar i krimeve të Serbisë, referenca ndaj aktgjykimeve të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, kundërshtimi i përfundimit për një “qëllim kriminal të përbashkët”, si dhe kërkesa për një strategji të përbashkët shtetërore.
Hiqet zotimi për ndryshimin e Ligjit për Specialen
Në versionin fillestar, Kuvendi “zotohej” që të ndërmerrte veprime brenda kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, duke përmendur shprehimisht edhe ndryshimin e Ligjit për Specialen.
“ZOTOHET të ndërmarrë veprime brenda kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, përfshirë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe në përputhje me qëllimin për të cilin janë themeluar këto institucione”, thuhej në versionin fillestar.
Ky zotim nuk figuron në deklaratën e miratuar sot.
Në vend të tij, është futur kërkesa që institucionet shtetërore të ndërmarrin veprime dhe të hartojnë një strategji të përbashkët.
“KËRKON nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”, thuhet në versionin e miratuar.
Në të kërkohet edhe “hartimi i një strategjie të përbashkët shtetërore”, në kuadër të së cilës do të bashkërendoheshin veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike.
Hiqet Dick Marty dhe pretendimi se Specialja doli jashtë qëllimit të saj
Një tjetër ndryshim thelbësor është largimi i referencës ndaj raportit të Dick Martyt.
Versioni fillestar përmbante një pikë të veçantë në të cilën thuhej se Dhomat e Specializuara kishin dalë jashtë qëllimit për të cilin Kuvendi kishte pranuar themelimin e tyre.
“VLERËSON se Dhomat e Specializuara kanë dalë jashtë qëllimit për të cilin Kuvendi pranoi themelimin e tyre: hetimin e pretendimeve të ngritura në raportin e Dick Martyt, veçanërisht atyre për trafikimin e organeve”, thuhej në versionin e parë.
Në të shtohej se “ky proces nuk mund të shkëputet nga arsyeja për të cilën Kosovës iu kërkua të themelonte këto dhoma”.
E gjithë kjo pjesë është larguar nga deklarata e miratuar sot.
Hiqet edhe kritika se Specialja “nuk është sjellë si institucion i Kosovës”
Në versionin fillestar thuhej se, ndonëse Dhomat e Specializuara ishin themeluar nga Kuvendi i Kosovës, ato “asnjëherë nuk janë sjellë si institucione të Kosovës”.
Dokumenti vazhdonte duke thënë se ato “kanë shpërfillur lidhjen e tyre me shtetin që i themeloi dhe me qytetarët në emër të të cilëve pretendohet se ushtrojnë drejtësi”.
Edhe kjo pjesë është hequr nga versioni përfundimtar.
Në deklaratën e miratuar sot është përdorur një formulim tjetër:
“Kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Nuk thuhet më se aktgjykimi është “i padrejtë dhe i pabazuar”
Ndryshim ka edhe në mënyrën se si Kuvendi e formulon qëndrimin ndaj vetë aktgjykimit.
Në versionin fillestar thuhej:
“SHPREH kundërshtimin e tij të vendosur ndaj aktgjykimit, të cilin e vlerëson të padrejtë dhe të pabazuar, si dhe ndaj mungesës së transparencës dhe shkeljes së standardeve të gjykimit të drejtë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Këto formulime nuk janë ruajtur në versionin e miratuar sot.
Në vend të tyre thuhet se Kuvendi “shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit”.
Pra, janë larguar cilësimet “i padrejtë dhe i pabazuar”, si dhe pretendimet për “mungesë të transparencës” dhe “shkelje të standardeve të gjykimit të drejtë”.
Megjithatë, referenca ndaj gjykimit të drejtë nuk është zhdukur tërësisht. Në përfundim të versionit të miratuar sot përmendet “e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë”.
Shtohet kundërshtimi ndaj përfundimit për “qëllim kriminal të përbashkët”
Në deklaratën e miratuar është futur një formulim që nuk gjendej në versionin fillestar.
“Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët”, thuhet në tekst.
Ky është një nga ndryshimet përmbajtësore të versionit të miratuar sot.
Ibrahim Rugova futet në deklaratën e miratuar
Një tjetër shtesë është përmendja e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe e rezistencës politike e paqësore.
“Liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura ngushtë me sakrificën e brezave, me rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe me mbështetjen vendimtare të aleatëve tanë perëndimorë, përfshirë NATO-n”, thuhet në deklaratën e miratuar.
Referenca ndaj Rugovës nuk ndodhej në versionin fillestar.
Shtohen aktgjykimet e Tribunalit për ish-Jugosllavinë
Deklarata e miratuar sot përmban edhe një referencë të re ndaj aktgjykimeve të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Në të thuhet se në Kosovën e viteve 1998–1999 ekzistenca e një “ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova” është vërtetuar me aktgjykime të Tribunalit ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë.
“Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë”, thuhet në versionin e miratuar.
Kjo pjesë nuk ekzistonte në versionin fillestar.
Hiqet pika për pakënaqësinë e qytetarëve
Në versionin fillestar, Kuvendi deklaronte se “MERR SERIOZISHT pakënaqësinë e shprehur nga qytetarët e Kosovës” dhe e konsideronte detyrë të institucioneve që t’i përgjigjeshin asaj me veprime demokratike, ligjore dhe institucionale.
Kjo pikë është hequr nga deklarata e miratuar.
Është larguar edhe paragrafi hyrës që i referohej “kundërshtimit dhe pakënaqësisë së thellë të qytetarëve të Kosovës ndaj aktgjykimit”.
Hiqet si pikë edhe pretendimi për mosnjohjen e “statusit të viktimës”
Versioni fillestar përmbante edhe një pikë ku Kuvendi shprehte shqetësimin se në proces “popullit të Kosovës nuk i është njohur siç duhet statusi i viktimës së represionit, dëbimeve dhe krimeve të regjimit të Millosheviqit”.
Kjo pikë nuk figuron më si e tillë në versionin e miratuar sot.
Megjithatë, tema e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve nuk është hequr nga deklarata. Përkundrazi, versioni i sotëm e trajton atë përmes paragrafëve të rinj dhe më të zgjeruar për krimet e Serbisë dhe aktgjykimet e Tribunalit për ish-Jugosllavinë.
Ndryshon edhe përfundimi i deklaratës
Versioni fillestar përfundonte me pohimin se Kuvendi “nuk do të lejojë rishkrimin e historisë së Kosovës” dhe se mbështet përdorimin “deri në fund të të gjitha mjeteve juridike për kundërshtimin e këtij aktgjykimi dhe për vendosjen e drejtësisë”.
Ky përfundim nuk është ruajtur në të njëjtën formë.
Deklarata e miratuar sot përfundon:
“E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis.”
Kështu, krahasimi i versionit fillestar me deklaratën e miratuar sot tregon se ndryshimet nuk janë vetëm teknike apo gjuhësore, por edhe përmbajtësore.
Nga versioni fillestar janë hequr zotimi për ndryshimin e Ligjit për Specialen, referenca ndaj Dick Martyt dhe trafikimit të organeve, pretendimi se Dhomat kanë dalë jashtë qëllimit të tyre, kritika se nuk janë sjellë si institucione të Kosovës, si dhe disa formulime të drejtpërdrejta për aktgjykimin dhe procesin.
Në versionin e miratuar sot janë shtuar Ibrahim Rugova dhe rezistenca paqësore, përshkrimi i zgjeruar i krimeve të Serbisë, aktgjykimet e Tribunalit për ish-Jugosllavinë, kundërshtimi i përfundimit për “qëllim kriminal të përbashkët” dhe kërkesa për një strategji të përbashkët shtetërore me veprime juridike, institucionale dhe diplomatike./Gazeta Infokus
VERSIONI I PARË – I PUBLIKUAR MË HERËT NË MEDIA
DEKLARATË
PËR AKTGJYKIMIN E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA NË HAGË NDAJ HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, JAKUP KRASNIQIT DHE REXHEP SELIMIT
Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, në seancën plenare të mbajtur më 28.09.2026;
Duke kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë fryt i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e një populli për të vendosur vetë për të ardhmen e tij;
Duke rikujtuar se lufta e popullit për liri dhe pavarësi përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethanat e represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, kur popullit të Kosovës po i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij;
Duke njohur rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe për çlirimin e vendit;
Duke nderuar kujtimin e atyre që humbën jetën, që u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe që përjetuan dhunën e luftës; duke nderuar sakrificën e grave dhe burrave që luftuan për liri; dhe duke pohuar të drejtën e çdo viktime për të vërtetën dhe për drejtësi;
Duke mbajtur parasysh se drejtësia e humb besimin e qytetarëve kur vendimet e saj perceptohen si të shkëputura nga e vërteta historike dhe kur procesi që çon tek ato nuk përmbush standardet e një gjykimi të drejtë e transparent;
Duke marrë parasysh kundërshtimin dhe pakënaqësinë e thellë të qytetarëve të Kosovës ndaj aktgjykimit;
I bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, me mjete ligjore dhe institucionale, një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë;
Miraton këtë deklaratë:
- SHPREH kundërshtimin e tij të vendosur ndaj aktgjykimit, të cilin e vlerëson të padrejtë dhe të pabazuar, si dhe ndaj mungesës së transparencës dhe shkeljes së standardeve të gjykimit të drejtë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
- THEKSON se aktgjykimi përbën kontestim të karakterit çlirimtar të luftës së UÇK-së dhe të së drejtës së popullit të Kosovës për të luftuar për lirinë, vetëvendosjen dhe pavarësinë e tij.
- SHQETËSOHET që në këtë proces popullit të Kosovës nuk i është njohur siç duhet statusi i viktimës së represionit, dëbimeve dhe krimeve të regjimit të Millosheviqit.
- RIKUJTON se Dhomat e Specializuara u themeluan nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Megjithatë, ato asnjëherë nuk janë sjellë si institucione të Kosovës dhe kanë shpërfillur lidhjen e tyre me shtetin që i themeloi dhe me qytetarët në emër të të cilëve pretendohet se ushtrojnë drejtësi.
- VLERËSON se Dhomat e Specializuara kanë dalë jashtë qëllimit për të cilin Kuvendi pranoi themelimin e tyre: hetimin e pretendimeve të ngritura në raportin e Dick Martyt, veçanërisht atyre për trafikimin e organeve. Ky proces nuk mund të shkëputet nga arsyeja për të cilën Kosovës iu kërkua të themelonte këto dhoma.
- KUNDËRSHTON çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.
- ZOTOHET të ndërmarrë veprime brenda kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, përfshirë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe në përputhje me qëllimin për të cilin janë themeluar këto institucione.
- DEKLARON se e vërteta e luftës sonë për liri është motivi që e udhëheq kërkesën tonë për drejtësi.
- MERR SERIOZISHT pakënaqësinë e shprehur nga qytetarët e Kosovës dhe e konsideron detyrë të institucioneve që t’i përgjigjen asaj me veprime demokratike, ligjore dhe institucionale.
- POHON se nuk do të lejojë rishkrimin e historisë së Kosovës dhe mbështet përdorimin deri në fund të të gjitha mjeteve juridike për kundërshtimin e këtij aktgjykimi dhe për vendosjen e drejtësisë.
VERSIONI I DYTË – I VOTUAR SOT NË KUVENDIN E KOSOVËS
DEKLARATË
PËR AKTGJYKIMIN E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA NË HAGË NDAJ HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, JAKUP KRASNIQIT DHE REXHEP SELIMIT
Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, në seancën plenare të mbajtur më 28.09.2026;
Duke kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë fryt i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e një populli për të vendosur vetë për të ardhmen e tij;
Duke rikujtuar se lufta e popullit për liri dhe pavarësi përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethanat e represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, kur popullit të Kosovës po i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij;
Duke njohur rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe për çlirimin e vendit.
Duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Serbia ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, dhunë seksuale si armë lufte, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra. Këto krime ishin sistematike, pasojat e të cilave rëndojnë edhe sot mbi mijëra familje.
I bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, me mjete ligjore dhe institucionale, një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë;
Liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura ngushtë me sakrificën e brezave, me rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe me mbështetjen vendimtare të aleatëve tanë perëndimorë, përfshirë NATO-n.
Miraton këtë deklaratë:
Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.
KËRKON nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.
Në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë.
Kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
KUNDËRSHTON çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.
E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis.

T� tjera
-
Ymeri: Mbi 3 mijë turq e 2 mijë serbë morën lejeqëndrim në 9 muajt e fundit, kështu po e plotëson Kosova mungesën e fuqisë punëtore
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka publikuar ...
-
U gjet i shtrirë në një rrugë të kryeqytetit, nisin hetimet pasi ai humbi jetën në QKUK
Policia e Kosovës ka njoftuar se pak para mesnatës të së dielës, ka gjetur nj...
-
Një person gjendet pa shenja jete në Vushtrri
Policia e Kosovës ka njoftuar se pasditen e së dielës ka gjetur një person pa...
-
Vazhdon rigjykimi ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e të dashurës argjentinase
Endrit Nika, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase, Maria Clara Urda...
-
Kurti takon diasporën në Francë, kërkon investime në Kosovë: Shteti do t’ua garantojë kreditë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Francë, ka taku...
-
Pelegrini turk vdes pasi u rrëzua gjatë lutjeve para nisjes për në Umre
Një burrë turk 68-vjeçar ndërroi jetë pasi u rrëzua ndërsa drejtonte lutjet n...
-
Ymeri e LDK-së: Pas 152 vjetësh, në Kosovë ndërpritet qarkullimi i trenave
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri ka reaguar pas situatës së krijuar me transp...
-
SPAK regjistron akuza të reja për ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni
Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka regjistruar akuza të reja ndaj ish drejtueses...
-
Ndërpritet qarkullimi i trenave në Kosovë, nis greva në Infrakos
Qarkullimi i trenave në Kosovë pritet të ndërpritet sot, më 9 nëntor, për shk...
-
Mblidhet Komisioni Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt
Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lid...
-
Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, Sinani: Lista jonë mori 10 nga 29 mandatet
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka reaguar pas përfundimit të procesit z...
-
Reuters raporton se sulmuesi nga Krakovi i cili vrau gjashtë persona, ka vdekur
Sulmuesi 24-vjeçar, i cili vrau gjashtë persona në Krakov të shtunën, ka vdek...
































