Lajme

Si e paralajmëronin pavarësinë e Kosovës liderët botërorë

Autori: Gazeta inFokus 11:30 | 17 February 2023

Epiteti Republikë i shtetit më të vogël me hapësirë gjeografike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosovës, po paralajmërohej si një realitet i ri në kontekstin politik nga liderë të ndryshëm botërorë.

Ishte ish-presidenti i SHBA-së, George W. Bush, thoshte “mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur” dhe ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, që prezantonte hartën e pavarësuar të Kosovës si një realitet të ri në Evropë përpara nxënësve të një shkolle në shtetin ku udhëhiqte. Me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, erdhën edhe një mori deklaratash mbështetëse të fuqive botërore dhe shteteve me orientim demokratik, por edhe kundërshtuese nga shtetet me mendësi autokratike.

Ish-presidenti i SHBA-së, George W. Bush, vizitonte Tiranën një vit përpara shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nga atje, jepte sinjale të qarta se Kosova duhet të trajtohet si një shtet i pavarur.

-Advertisement-

“Në një pikë, herët a vonë, duhet ta thuash ‘mjaft është mjaft – Kosova është e pavarur’”, deklaronte Bushi në fjalimin e tij historik në Shqipëri, ku prezent ishin edhe shqiptarë nga Kosova.

Dy ditë përpara shpalljes së pavarësisë, ish-presidenti francez, Nicolas Sarcozy, paralajmëronte fëmijët e një shkolle që ta shkëputnin Kosovën nga Serbia në një hartë gjeografike, duke sinjalizuar mbështetje të pavarësimit të Kosovës.

“Ju do të duhet ta ndryshoni atë, me Kosovën”, u thoshte Sarkozy fëmijëve në Francën jugperëndimore, duke bërë me gisht drejt hartës së Evropës të ngjitur në murin e klasës së tyre.

Pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të 2008-ës, në ora 15:39, nga ana e ish-kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, erdhën një mori deklaratash që mbështetnin vendimin historik: Që vendi të pavarësohej dhe të kishte simbolet e veta identifikuese, sikurse është flamuri dhe himni.

Epitoma e një lideri që mbështet vendimet demokratike, George W. Bush, përshëndeste shpalljen e pavarësisë së Kosovës, shprehte ngazëllim dhe besonte se Serbia duhej të ishte një linjë me SHBA-në dhe Evropën për këtë çështje.

“Ne e kemi mbështetur fuqimisht planin e Ahtisaarit [që nënkupton pavarësinë e Kosovës…]. Ne jemi të ngazëllyer nga fakti që qeveria e Kosovës e shpalli qartë vullnetin dhe dëshirën e saj për të mbështetur të drejtat serbe në Kosovë. Ne gjithashtu besojmë se është në interesin e Serbisë që të jetë në linjë me Evropën dhe populli serb mund ta dijë se ka një mik në Amerikë”, deklaroi ish-presidenti Bush.

Ish-kryeministri Thaçi, pas shpalljes së Pavarësisë, merrte një telefonatë nga atëbotë kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, tashmë president i shtetit respektiv, duke thënë se deklarimi i pavarësisë do t’i sjellë “paqe dhe stabilitet Ballkanit”.

Kryeministri australian Kevin Rudd mbështeti pavarësinë e Kosovës në mëngjesin e 18 shkurtit, duke thënë se “kjo duket se ishte rruga e duhur e veprimit. Kjo është arsyeja pse, në mënyrë diplomatike, ne do të zgjeronim njohjen në rastin më të parë”.

Presidenti i Qipros Veriore (shtet i pa njohur nga OKB-ja), Mehmet Ali Talat, përshëndeti pavarësinë e Kosovës dhe shpresoi që shteti të respektohet dhe të ndihmohet, në kundërshtim me qëndrimin e Republikës së Qipros.

Pesë shtetet që atëbotë u shprehën kategorikisht kundër pavarësimit të Kosovës (Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim edhe në prag të 15-vjetorit të pavarësisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera