Fokus

Rritja e numrit të fëmijëve të braktisur, çfarë po ndikon që prindërit kosovarë të lënë fëmijët?

Autori: Samire Jaha 10:39 | 09 May 2023

Vetëm brenda një dite në Kosovë janë raportuar 3 raste të “Keqtrajtimit apo Braktisjes”, së fëmijëve, shkruan Gazeta Infokus.

Këto tri raste kanë ndodhur një në qytetin e Prishtinës, një në Gjilan e në Pejë.

Gazeta Infokus kishte raportuar se në dy vitet e fundit përfshirë dy muajt e parë të vitit 2023, 217 fëmijë u braktisën e keqtrajtuan nga prindërit e tyre.

-Advertisement-

Çfarë po ndikon tek prindërit kosovarë që të braktisin fëmijët?

Sociologu, Rejhan Fejza, në një prononcim për Gazetën Infokus, kishte treguar se si shkaktar kryesor për keqtrajtimin apo braktisjen e fëmijëve është niveli jo i duhur i edukimit dhe i emancipimit të prindërve.

“Në shumë raste janë prindërit nuk kanë nivelin e duhur të edukimit apo emancipimit. Shoqëria jonë duke u udhëhequr nga shteti duhet urgjentisht të angazhohet në ngritjen e vetëdijes se çka është detyra ose obligimi i pozicionit “prind”. Prindi përveç ligjërisht edhe në aspektin kulturorë ka përgjegjësi rritjen dhe edukimin e fëmijës më shumë sesa veç “bërjen” e tyre. Kam përshtypjen se një pjesë e konsiderueshme e çifteve por edhe individëve jashtë martesorë që bëhen prindër, këtë detyrë e marrin më shumë si veprime empatike jo-racionale në raport me fëmijët”, është shprehur Fejza për Infokus.

E po ashtu si një arsye për braktisje, Fejza e ka cilësuar edhe gjendjen aktuale ekonomike në shoqërinë tonë.

“Keqtrajtimi i fëmijëve zakonisht bëhet me idenë e kinse-edukimit të tyre, ta zëmë duke i obliguar fëmijët të kryejnë punë të ndryshme me idenë që ai do të përgatitet në këtë formë për jetën madhore. Ndërkaq, braktisja është fenomen në rritje në shoqërinë tonë si pasojë kryesore e normave shoqërore por edhe si pasojë e gjendjes aktuale ekonomike të shoqërisë tonë e veçanërisht e çifteve të reja apo edhe prindërve të rinj”, ka thënë ai.

Sociologu po ashtu për Infokus kishte treguar se si ndikon në aspektin shëndetësor, psikik e social, braktisja nga prindërit tek fëmijët.

“Fëmijët e keqtrajtuar zakonisht ndodhë që të kenë probleme shëndetësore të llojit si probleme me zemrën, sëmundje të mushkërive ose mëlçisë, kanceri, obeziteti, tensioni i lartë dhe kolesteroli i lartë. Dëmtohet rëndë edhe kapaciteti kognitiv dhe ai linguistik. Çrregullim i stresit post-traumatik, probleme të shëndetit mendor, ku një raport i nxjerrë nga një grup 21 vjeçarësh që kanë vuajtur dhunë në familje apo keqtrajtime të ndryshme del se 80% e tyre kanë të paktën një problem mendor. Kanë problem në ngjizjen socio-ekonomike sepse si pasojë e keqtrajtimit apo braktisjes kanë problem lidhjen mes lëndëve dhe drejtimeve të funksionit shkollor. Lista e problemeve është e shumtë por ajo që ndikon direkt në shoqëri është problemet me sjellje që lidhen me dhunën në fëmijëri apo me braktisjen. Fëmijët e abuzuar rrezikojnë të përdorin alkool, të abuzojnë me substanca dhe të përfshihen në aktivitete seksuale me rrezik të lartë, në vitet që pasojnë”, ka thënë Fejza për Infokus.

Ndërkaq si një zgjidhje apo mënyrë më të lehtë që një fëmijë të kalojë këtë sfidë të jetës, dhe të mos lërë pasoja psikologjike apo sociale, sociologu Fejza e thekson krijimin e mekanizmave për zbulimin e këtyre rasteve dhe hapjen e qendrave sociale.

“Mënyra e vetme e lehtë është që shteti të krijoi mekanizma për zbulimin e këtyre raste dhe hapjen e qendrave sociale, aty këta fëmijë angazhohen dhe familjarizohen duke u marrë me aktivitete socio-kulturore dhe përmirësuese duke u observuar nga profesionistët e ri-edukimit, psikologët dhe sociologët”, është përgjigjur për Infokus Fejza.

Mirëpo deri më tash shteti sipas tij nuk ka bërë asgjë për këtë kategori madje është harruar tërësisht.

“Institucionet shtetërore në Kosovë deri më tash e kanë anashkaluar pothuajse këtë problematikë e cila i lëkundë themelet e shtetit dhe shoqërisë në të ardhmen.  Duhet të krijohen mekanizma brenda Policisë së Kosovës që mirren vetëm më këtë lloj problematike dhe që u shkojnë deri në fund këtyre punëve duke mos i trajtuar si probleme të rangut të dytë. Po ashtu ekzekutivi dhe legjislativi duhet të angazhohen me ligje dhe vendime që obligojnë çiftet por edhe institucionet që të mirren vazhdimisht me këto raste sepse janë problematika të tilla të cilat kërkojnë trajtim të vazhdueshëm deri në pjekurinë e fëmijës”, ka thënë sociologu Fejza për Infokus.

Lexo edhe: Qindra fëmijë u lanë rrugëve nga prindërit kosovarë për dy vite

Kujtojmë që  Gazeta Infokus, kishte raportuar për këtë fenomen të keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve ku në bazë të statistikave, 217 fëmijëve në Kosovë, prindërit kosovarë ua lëshuan dorën brenda dy viteve të fundit./Gazeta Infokus/

Për 24 orë tre fëmijë braktisen e keqtrajtohen në Kosovë

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera