Fokus

Qindra fëmijë u lanë rrugëve nga prindërit kosovarë për dy vite

Autori: Samire Jaha 16:48 | 21 February 2023

217 fëmijëve në Kosovë prindërit kosovarë ua lëshuan dorën. Këta fëmijë u keqtrajtuan e u braktisën në dy vitet e fundit, nga ata që pritej të kujdeseshin për ta e të iu falnin dashuri.

Kështu tregojnë statistikat që Gazeta Infokus i ka siguruar nga Policia e Kosovës. E një fakt shqetësues në këto të dhëna është se çdo vit numri i fëmijëve të braktisur po rritet.

Kjo pasi në vitin 2021, numri i rasteve të raportuara si “Keqtrajtim apo Braktisje e fëmijëve”, kishte arritur në 98.

-Advertisement-

Një vit më pas, në 2022, ky numër u rrit në 104. E në vitin 2023 vetëm për 2 muajt e parë të vitit numri i fëmijëve të keqtrajtuar apo braktisur është 15.

Mosha e braktisjes 4 – 18 vjeç – Në mëshirën e kujt po mbesin këta fëmijë?

Momentalisht 38 fëmijë të braktisur janë nën kujdesin alternativ të fshatit të fëmijëve në Kosovë (SOS).

Berat Kryeziu, nga kjo qendër e strehimit për fëmijë, në një përgjigje për Infokus ka treguar se mosha e këtyre fëmijëve është 4 deri në 18 vjeç.

“Në Kujdesin Alternativ, momentalisht kemi nën kujdes 38 fëmijë pa përkujdes prindëror. Këta fëmijë jetojnë me ne përgjatë tërë kohës dhe ju ofrojmë kujdes dhe mbrojtje. Po ashtu fëmijët që mbushin 18 vjeç kalojnë në programin e gjysmë pavarësimit, ata  largohen nga gjiri i SOS familjes për të u përgatitur për jetesë të pavarur, por natyrisht se SOS Fshati vazhdon të i përkrahë. Aktualisht kemi 10 të rijnë mbi 18 vjeç të janë pjesë e programit të gjysmë pavarësimit.  Fatkeqësisht, fëmijët pa përkujdes prindëror të cilët mbushin 18 vjeç nuk kanë ndonjë përkrahje institucionale pas moshës 18 vjeçare, si kategori e veçante, përveç përkrahjes që marrin nga SOS Fshati. Mosha e 38 fëmijëve për të cilët ofrojmë kujdes afatgjatë është mes 4-18 vjeç”, ka deklaruar Kryeziu për Infokus.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë e kanë si një ndër shtyllat kryesore dhe shumë të rëndësishëm, edhe Programin e Fuqizimit të Familjes, në mënyrë që raste të tilla kur braktisen fëmijët të parandalohen.

“Program tjetër i rëndësishëm është edhe Programi i Fuqizimit të Familjes në kuadër të SOS Fshatrave të Fëmijëve i cili vepron në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Graçanicë. Me këtë program synojmë të parandalojmë shpërbërjen e familjeve të cilat ballafaqohen me sfida të ndryshme të cilat mund të rezultojnë me humbjen e kujdesit prindëror. Përmes këtij programi punojmë me familjet duke ju ofruar përkrahje në kujdesin e mire për fëmijët e tyre, mbështetje psikologjike, sociale e pedagogjike dhe duke i përgatitur për fuqizim ekonomik i cili do të ndikojë në mirëqenien e tyre dhe familjes. Për momentin në kuadër të këtij programi kemi mbi 500 fëmijë përfitues nga 166 familje, nga  të tri komunat”,, është shprehur tutje Kryeziu për Infokus.

Çfarë ndodhë me fëmijët e braktisur në SOS fshatrat pas moshës 18 vjeçare?

Kryeziu për Infokus ka treguar se SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovë nuk i lëshojnë dorën e nuk i  lënë pa përkrahje fëmijët edhe pasi ata arrijnë moshën madhore.

“Deri në moshën 18 vjeçare, fëmijët rriten me përkrahjen e SOS Nanës, SOS Tezes si dhe stafit multidisciplinar, më pas të njëjtit kalojnë në program të gjysëm pavarësimit, ku vazhdojmë të i përkrahim deri sa të jenë të gatshëm për jetesë të pavarur. Kujdesi dhe përkujdesja që ofrojmë për fëmijët pa përkujdes prindëror është në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të kujdesit për fëmijë dhe të rinjtë pa përkujdes prindëror”, ka thënë ai për Infokus.

Çfarë mund të ndikojë që një prind të braktisë fëmijën?

Sociologu Rejhan Fejza në një prononcim për Gazetën Infokus ka treguar se si shkaktar kryesor për keqtrajtimin apo braktisjen e fëmijëve është niveli jo i duhur i edukimit dhe i emancipimit të prindërve.

“Në shumë raste janë prindërit nuk kanë nivelin e duhur të edukimit apo emancipimit. Shoqëria jonë duke u udhëhequr nga shteti duhet urgjentisht të angazhohet në ngritjen e vetëdijes se çka është detyra ose obligimi i pozicionit “prind”. Prindi përveç ligjërisht edhe në aspektin kulturorë ka përgjegjësi rritjen dhe edukimin e fëmijës më shumë sesa veç “bërjen” e tyre. Kam përshtypjen se një pjesë e konsiderueshme e çifteve por edhe individëve jashtë martesorë që bëhen prindër, këtë detyrë e marrin më shumë si veprime empatike jo-racionale në raport me fëmijët”, është shprehur Fejza për Infokus.

Po ashtu si një arsye për braktisje, Fejza e cilëson edhe gjendjen aktuale ekonomike në shoqërinë tonë.

“Keqtrajtimi i fëmijëve zakonisht bëhet me idenë e kinse-edukimit të tyre, ta zëmë duke i obliguar fëmijët të kryejnë punë të ndryshme me idenë që ai do të përgatitet në këtë formë për jetën madhore. Ndërkaq, braktisja është fenomen në rritje në shoqërinë tonë si pasojë kryesore e normave shoqërore por edhe si pasojë e gjendjes aktuale ekonomike të shoqërisë tonë e veçanërisht e çifteve të reja apo edhe prindërve të rinj”, ka thënë ai.

Sociologu tregon se si ndikon në aspektin shëndetësor, psikik e social, braktisja nga prindërit tek fëmijët.

“Fëmijët e keqtrajtuar zakonisht ndodhë që të kenë probleme shëndetësore të llojit si probleme me zemrën, sëmundje të mushkërive ose mëlçisë, kanceri, obeziteti, tensioni i lartë dhe kolesteroli i lartë. Dëmtohet rëndë edhe kapaciteti kognitiv dhe ai linguistik. Çrregullim i stresit post-traumatik, probleme të shëndetit mendor, ku një raport i nxjerrë nga një grup 21 vjeçarësh që kanë vuajtur dhunë në familje apo keqtrajtime të ndryshme del se 80% e tyre kanë të paktën një problem mendor. Kanë problem në ngjizjen socio-ekonomike sepse si pasojë e keqtrajtimit apo braktisjes kanë problem lidhjen mes lëndëve dhe drejtimeve të funksionit shkollor. Lista e problemeve është e shumtë por ajo që ndikon direkt në shoqëri është problemet me sjellje që lidhen me dhunën në fëmijëri apo me braktisjen. Fëmijët e abuzuar rrezikojnë të përdorin alkool, të abuzojnë me substanca dhe të përfshihen në aktivitete seksuale me rrezik të lartë, në vitet që pasojnë”, ka thënë Fejza për Infokus.

Prindërit i braktisën e shteti i harroi!

Ndërkaq si një zgjidhje apo mënyrë më të lehtë që një fëmijë të kalojë këtë sfidë të jetës, dhe të mos lërë pasoja psikologjike apo sociale, sociologu Fejza e thekson krijimin e mekanizmave për zbulimin e këtyre rasteve dhe hapjen e qendrave sociale.

“Mënyra e vetme e lehtë është që shteti të krijoi mekanizma për zbulimin e këtyre raste dhe hapjen e qendrave sociale, aty këta fëmijë angazhohen dhe familjarizohen duke u marrë me aktivitete socio-kulturore dhe përmirësuese duke u observuar nga profesionistët e ri-edukimit, psikologët dhe sociologët”, është përgjigjur për Infokus Fejza.

Mirëpo deri më tash shteti sipas tij nuk ka bërë asgjë për këtë kategori madje është harruar tërësisht.

“Institucionet shtetërore në Kosovë deri më tash e kanë anashkaluar pothuajse këtë problematikë e cila i lëkundë themelet e shtetit dhe shoqërisë në të ardhmen.  Duhet të krijohen mekanizma brenda Policisë së Kosovës që mirren vetëm më këtë lloj problematike dhe që u shkojnë deri në fund këtyre punëve duke mos i trajtuar si probleme të rangut të dytë. Po ashtu ekzekutivi dhe legjislativi duhet të angazhohen me ligje dhe vendime që obligojnë çiftet por edhe institucionet që të mirren vazhdimisht me këto raste sepse janë problematika të tilla të cilat kërkojnë trajtim të vazhdueshëm deri në pjekurinë e fëmijës”, ka thënë sociologu Fejza për Infokus.

Duke qenë se këta fëmijë u harruan edhe nga shteti mbeten në fatin e rrugëve e të organizatave që merren me këtë problematikë tashmë të theksuar edhe në Kosovë.

/Gazeta Infokus/

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera