Lajme

Kurti i shpjegoi ikjet nga Kosova me gjendjen e keqe në dy fusha, parashikoi që arsimi mund të ndreqet për 10-15 vjet

Autori: Gazeta inFokus 11:38 | 20 November 2026

Kryeministri Albin Kurti ka identifikuar dy faktorë kryesorë që, sipas tij, po ndikojnë në migrimin e qytetarëve të Kosovës, si brenda vendit, ashtu edhe drejt vendeve të tjera: cilësia e arsimit dhe problemet në sistemin e drejtësisë.

Duke folur për këtë çështje, Kurti ka thënë se gjatë gjashtë vjetëve të qeverisjes së tij ka krijuar bindjen se këta janë dy ndër shkaktarët kryesorë që i shtyjnë qytetarët të largohen nga vendbanimet e tyre ose nga Kosova.

Ai ka theksuar se, për dallim nga periudhat e mëhershme, kur migrimi lidhej me okupimin serb, përndjekjen politike dhe varfërinë ekonomike, sot një rol të rëndësishëm në këtë fenomen po luajnë kushtet e jetesës në komuna dhe cilësia e shërbimeve publike.

-Advertisement-

Si faktor të parë, Kurti ka përmendur gjendjen në komunat e Kosovës, duke vlerësuar se kushtet e jetesës, veçanërisht në zonat rurale, po ndikojnë në shpërnguljen e qytetarëve drejt qendrave më të mëdha urbane ose jashtë vendit.

“Unë jam i bindur se në Kosovë jetohet shumë më mirë si qytetar i Republikës sesa si banor i komunës. Shumica e komunave të Kosovës i kanë kushtet e jetesës të tilla, sidomos në zonat rurale dhe sidomos për shkak të cilësisë së arsimit, që ata ose migrojnë brenda në Fushë Kosovë e në Prishtinë, ose në Gjermani e në Zvicër. Besoni, një ndër shkaqet kryesore të migrimit, qoftë të brendshëm, qoftë jashtë, është arsimi”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri ka pranuar se arsimi mbetet një prej sfidave më të mëdha për institucionet e Kosovës, duke thënë se rezultatet e investimeve në këtë sektor kërkojnë shumë kohë për t’u vërejtur.

Sipas tij, përmirësimi i cilësisë së arsimit kërkon stabilitet dhe investime afatgjata, pasi rezultatet e reformave të sotme mund të shihen vetëm pas 10 deri në 15 vjetësh.

“Edhe unë jam shumë optimist që do të mund t’i rregullojmë edhe industrinë, edhe mbrojtjen, edhe sigurinë, edhe investimet, kulturë, sport. Sfidë e madhe do të mbetet arsimi, sepse në arsim duhet me mbjellë sivjet edhe dy vite të mëvonshme për me mundur me korrur mbas nja 10-15 vjetëve. Është shumë e ngadalshme ajo. Do stabilitet të madh”, ka thënë ai.

Kurti ka kritikuar edhe mënyrën e organizimit të arsimit në nivelin lokal, duke deklaruar se do të preferonte që ky sektor të ishte më i centralizuar.

Ai ka përmendur decentralizimin e arsimit në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, për shkak të komunave me shumicë serbe, dhe ka vlerësuar se drejtorët komunalë të arsimit duhet të kenë rol dhe rëndësi më të madhe.

“Unë kisha qenë më shumë që arsimi të jetë më i centralizuar, po jua them shumë hapur. Po prej propozimit të Ahtisaarit, për shkak të 10 komunave me shumicë serbe, arsimi është decentralizuar. Dhe vetëm shikoni sa është cilësia e kuadrove tona që janë drejtorë komunalë të arsimit nëpër 38 komunat e Kosovës. Pa e bërë drejtorin komunal të arsimit njeri shumë më të rëndësishëm, nuk rregullohet arsimi”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se dallimet në cilësinë e arsimit janë të dukshme edhe ndërmjet komunave, duke theksuar se gjendja është më e mirë në kryeqytet sesa në qendrat e tjera, ndërsa problemet janë më të theksuara në zonat rurale.

Përveç arsimit, si faktor të dytë që ndikon në migrimin e qytetarëve, Kurti ka veçuar problemet me sistemin e drejtësisë.

Sipas tij, qytetarët që përballen me padrejtësi, ankesa të pazgjidhura apo procese të gjata gjyqësore mund të humbin besimin në institucionet e vendit dhe të vendosin të largohen bashkë me familjet e tyre.

“Kemi shumë qytetarë të vendit tonë që kur kanë shkuar në Pallat të Drejtësisë e kanë dalë prej atje, ose nëpër gjykatat themelore, nëpër prokurori, kur janë ankuar, kanë dalë më të pakënaqur sesa kanë hyrë”, ka thënë ai.

Kurti ka vlerësuar se zvarritja e proceseve gjyqësore dhe përballja me padrejtësi mund të jenë arsye që qytetarët të mos e shohin më të ardhmen e tyre në Kosovë.

“Një problem me fqinjin, një problem me vendin e punës, një padrejtësi diku, një stërzgjatje në proces gjyqësor, shkon me krejt familjen. Neve na duhet me e rregulluar drejtësinë dhe arsimin. Me thënë të drejtën, unë jam optimist për krejt të tjerat. Optimist i përmbajtur jam për këto të dyja. Edhe kjo është sfida jonë e madhe në vitet në vijim”, ka deklaruar kryeministri.

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy