Lajme

Policia demanton Petkoviqin lidhur me Ujmanin

Autori: Gazeta inFokus 16:12 | 11 December 2022

Policia e Kosovës ka mohuar pretendimet e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, se është keqtrajtuar një qytetar serb afër digës së Ujmanit, duke thënë se zyrtarët policorë vetëm kanë “legjitimuar një person, i cili pas legjitimit ka vazhduar pa asnjë problem”.

Petkoviq shkroi të dielën se kishte informuar të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, se një punonjës serb ishte keqtrajtuar nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

“Ia morën çelësat rojës, grisën flamujt. BE-ja duhet ta frenojë ngacmuesin dhe uzurpatorin Kurtin nga veprimet e tij të njëanshme dhe të armatosura me të cilat dëshiron të shkaktojë luftë!”, shkroi Petkoviq.

-Advertisement-

Mirëpo, Policia e Kosovës i ka mohuar këto pretendime, duke thënë se zyrtarët policorë nuk kanë “maltretuar asnjë person apo punonjës, siç është publikuar në media, por vetëm kanë legjitimuar një person i cili ka qenë duke kryer incizime me telefon në atë lokacion, i cili pas legjitimit ka vazhduar pa asnjë problem”.

Më tutje, në njoftimin për media të Policisë së Kosovës thuhet se pikërisht në këtë lokacion në tri raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të policisë, të cilët, siç thuhet në njoftim, “në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale”.

“Fatmirësisht nga këto sulme nuk është evidentuar ndonjë lëndim ndaj qytetarëve apo personave zyrtar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Situata në veri është tensionuar pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai akuzohet se “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se mbrëmjen e 10 dhjetorit janë ngritur gjashtë barrikada në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Ai tha se pikëkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë ende të mbyllura për arsye sigurie.

Sveçla u bëri thirrje serbëve lokalë t’i largojnë barrikadat në veri, ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se po pret që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, t’i largojë ato barrikada dhe të sigurojë lëvizjen e lirë.

Situatën në veri të Kosovës janë duke e monitoruar Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera