Lajme

“Përmbytja” e madhe e minierave të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 11:47 | 22 November 2021

Shumica e minierave tashmë janë jashtë funksionit, të shkatërruara brenda dhe jashtë, të vërshuara dhe të mbuluara me ujëra, me infrastrukturë përcjellëse totalisht të dëmtuar, sidomos ambientet e punës së administratës, ambientet e ushqimit, të depove të ndryshme. Pamjet e shumë minierave tona, dikur krenaria e vendit, tashmë janë nadrealiste thuaja, të shpërfytyruara, të degraduara frikshëm dhe të katandisura në përmasa të llahtarshme.

Për pasuritë nëntokësore në Kosovë, ka vite që thuaja se nuk interesohet askush. Shumica e minierave tashmë janë jashtë funksionit, të shkatërruara brenda dhe jashtë, të vërshuara dhe të mbuluara me ujëra, me infrastrukturë përcjellëse totalisht të dëmtuar, sidomos ambientet e punës së administratës, ambientet e ushqimit, të depove të ndryshme. Pamjet e shumë minierave tona, dikur krenaria e vendit, tashmë janë nadrealiste thuaja, të shpërfytyruara, të degraduara frikshëm dhe të katandisura në përmasa të llahtarshme.

Ky është përshkrimi i përgjithshëm i minierave të Kosovës, të cilat dikur ishin ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të vendit me të hyrat e realizuara, me numër të të punësuarve dhe me të mirat e tjera që i sillnin popullatës sonë. Ndërsa, përshkrimi më konkret do të ishte pak a shumë ky: Sot në mbarë vendin punojnë me kapacitete jo të plota, të përgjysmuara vetëm 4 xeherore të plumbit dhe Zinkut- Stantërgu, Artana dhe xeheroret Bello Bërdo dhe Cërnac, në pjesën veriore të Kosovës (mu në kufirin me Serbinë). Statusi aktual i këtyre minierave pra është aktiv, shkruan Buletini Ekonomik.

-Advertisement-

Ndërsa, që nga paslufta, praktikisht janë mbyllur, ose nuk punojnë fare Miniera e Hajvalisë, ajo e Kishnicës, nuk punon kaherë Deva, Karaqeva, Minierat e magnezitit në Golesh dhe në Strezovc dhe Miniera e boksiteve në Klinë.

Duhet thënë se xeheroret e plumbit dhe zinkut të Kosovës, si dominuese për nga eksploatimi i xeheve për vite të tëra dhe për nga trajtimi institucional, para dhe pas lufte, për nga të ardhurat, realizimet e tjera financiare dhe për nga numri i punëtorëve, tashmë janë në gjendje të mjerueshme dhe të alarmueshme. Punojnë siç u tha me gjysmë kapacitete vetëm katëra sosh, ndërkohë që gjendja në Minierën e Stantërgut dhe ajo në Artanë (Novo Bërdë) është thuaja tronditëse, ndërsa për gjendjen aktuale në xeheroret e Cërnacit dhe të Bello Bërdës, që shtrihen mu në kufirin verior me Serbinë, institucionet tona nuk kanë të dhëna konkrete.

Drejtori i Komisionit të Pavarur për Minierat dhe Mineralet e Kosovës (KPMM), Ramiz Krasniqi, thotë se udhëheqja e këtyre minierave rregullisht, sipas legjislacionit të Kosovës raportojnë te zyrtarët dhe institucionet kompetente për ecurit e punës, sasinë e prodhimit dhe zhvillimet e tjera që ndodhin në atë pjesë të Kosovës. Duhet sqaruar se trupi minerar i plumbit dhe zinkut në Cërnac dhe në Bello Bërdë shtrihet edhe përtej kufirit Kosovë- Sërbi, edhe në pjesën e Serbisë pra, ku eksploatohet dhe menaxhohet nga Serbia. Ndërkaq, pjesa e trupit minerar që shtrihet brenda Kosovës menaxhohet nga punëtorë të Kosovës, kryesisht nga komunat e pjesës veriore të vendit. Ka shumë gjasë që gjendja e tërësishme në minierat Cërnac dhe Bello Bërdo është dukshëm më e mirë se ajo në Stantërg dhe në Artanë.

Në Stantërg aktualisht punohet në horizontet e poshtme të minierës duke nisur nga horizonti VIII, IX, X dhe horizonti i XI-të. Në këto horizonte vlerësohet se ka ende goxha rezerva të trupit minerar dhe si të tillë, del që ende janë ekonomikisht të favorshëm për t’u eksploatuar, sqaron Krasniqi.

Në Minierën e Artanës (Novobërdës) punohet në horizontet e epërme të cilat nuk janë të përmbytura në ujë dhe ka pak a shumë kondita për angazhimin e xehetarëve. Ndërkohë që Miniera e Hajvalisë nuk punon qe sa vite për shkak të mungesës së një pompe për pompimin e ujit që ka përmbytur horizontet e kësaj xeheroreje. Shkaku del të jetë fare i pakuptimtë, pasi që, siç rrëfejnë ish-xehetarë të kësaj miniere, pompa, aq e domosdoshme nuk është siguruar kurrë nga asnjë qeveri e deritashme dhe nga asnjë institucion tjetër kompetentë, sado që çmimi i saj bëhet e ditur të ketë qenë rreth 30 mijë euro. Kjo pompë e munguar është shkaku i mbylljes së kësaj miniere.

Ndërsa, shkaqet e mbylljes së Minierës së Kishnicës nuk i dijnë në KPMM. Rreth interesimit të Buletinit Ekonomik për nivelin e teknologjisë që përdoret në këto miniera në KPMM theksojnë se teknologjia e përdorur në minierat e Kosovës nuk mund të vlerësohet më teknologji e vjetëruar, apo e re, sepse në shumë raste përcaktuese të përdorimit të teknologjisë së re është vet sistemi i shfrytëzimit dhe eksploatimit të xehes. Ata për këtë shpjegim e marrin shembullin te Miniera e Stantërgut, ku në shume vende brenda minierës përdoret teknologji moderne dhe makineri me produktivitet të lartë, por ka raste kur në disa horizonte përdoret edhe teknologji e vjetër, por me mekanizëm të ri. Rreth kushteve të punës, përkujdesjes shoqërore ndaj minatorëve, të ardhurave të tyre, sigurimit të ushqimit gjatë një orari pune, siç veprohet kudo në minierat e botës dhe përkujdesjes shëndetësore të xehetarëve në KPMM sqarojnë se kushtet e punës janë të përcaktuara sipas normativit të përcaktuar nga vet ndërmarrja dhe për këto nuk japin shumë shpjegime.

Minierat e plumbit dhe të zinkut, që nga paslufta përballen edhe me një vështirësi reale, e që është mungesa e një shkritorjeje, ose mbyllja e shkritorës ekzistuese në Mitrovicë (më saktësisht në Zveçan” që nga paslufta. Në mungesë të shkritores, xeheja e plumbit dhe zinkut në Kosovë kalon vetëm nëpër flotacion (janë aktive ende flotacioni i Trepçës në Mitrovicë, ai i Kishnicës dhe flotacioni i minierave Cernac dhe Bello Berdo në veri të Kosovës, dhe vetëm si koncentrat eksportohet, kryesisht, në Zvicër. Ndërkaq, finalizimi i xehes se plumbit dhe zinkut, nuk bëhet në Kosovë fare që nga paslufta. Ç’është më keq, tashme janë inekzistente edhe fabrikat (8 sish) anëembnanë Kosovës të Trepçës, që si lëndë të parë kanë pasur përpunimin e metalit final të dalë nga xeheja e Stantërgut, Kishnicës, Artanës, Hajvalisë dhe minierave Cërnac e Bello Berdo. Pra tashmë janë jashtë funksionit Fabrika e municionit në Skënderaj, “Ekstra” e Vushtrrisë, “Famipa” e Prizrenit, Fabrika e akumulatorëve në Gjakovë dhe të tjerat, që i kishte ngritur “Trepça” për ta valorizuar metalin e vet.

Minierat e tjera, pos të plumbit dhe zinkut – Miniera e Kromit në Devë, ato të jo-mineraleve në Karaqevë, Minierat e magnezitit në Golesh dhe ajo në Strezovc dhe Miniera e boksiteve në Klinë nuk punojnë po ashtu me vite të tëra pas luftës. Për Minierën e kromit në Devë në KPMM shpjegojnë se vendi – territori ku shtrihet kjo minierë dhe vendburimi mineral gjendet në territorin e Shqipërisë, ndërsa rruga, përkatësisht infrastruktura që shërben për transportin e xehes dhe rrugët e ajrimit të minierës janë me qasje nga territori i Kosovës. Ndërmarrja e cila dëshiron t’i shfrytëzojë këta trupa mineral, duhet paraprakisht ta ketë lejen nga Shqipëria dhe pastaj duhet bërë kërkesë te institucionet e Kosovës për të pasur lejen tjetër, atë për transportin e kësaj xeheje nëpërmjet galerisë së hapur. Edhe miniera e Karaqevës nuk punon fare. Vendburimi në këtë xeherore karakterizohet ekskluzivisht me mineralin e bentonitit, që, në bazë të hulumtimeve të bëra më heret, është vërtetuar se ka rezervë të mjaftueshme për t’u eksploatuar.

Por, siç theksojnë në KPMM, nuk ka kërkesa dhe interesime për ta shfrytëzuar këtë mineral. Arsyet pse është hequr dorë nga ndërmarrjet që kishin aplikuar për të vënë nën prodhim këtë xeherore si dhe arsyetimet e vlerësimeve ekonomike për këtë heqje dorë nga Karaqeva, nuk janë bërë edhe aq publike thuaja asnjëherë. Sa i përket minierave të vjetra kosovare siç janë minierat e magnezitit në Golesh dhe në Strezovc si dhe miniera e boksitit në Klinë, ato thuaja që nga paslufta kanë mbetur të mbyllura dhe në mëshirën e fatit. Më shumë për shkak të një mospërfilljeje institucionale dhe për shkak të mungesës së një kujdesi të meritueshëm shtetëror, këto miniera ende janë të paprivatizuara dhe siç u tha më lartë vazhdojnë të stërkeqen dhe të dëmtohen për ditë e më shumë. Kanë ekzistuar vlerësime se me privatizimin e tyre, ato do të aktivizoheshin më shpejtë dhe kështu do të vëheshin në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Për mosfunksionimin me vjet të tëra të këtyre minierave, njohësit e rrethanave dhe të problematikës konkrete, kryekëput fajësojnë institucionet kosovare dhe qeveritë, përkatësisht ministrinë përkatëse, të cilat që nga paslufta, dhe as pas 2008-tës, kur Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe sovran, thuaja se janë treguar totalisht të papërfillshme dhe fare të mefshta ndaj sektorit të minierave.

Si të shpjegohet ndryshe fakti se një vendim i Qeverisë, i miratuar që më 2008, me të cilin janë shpallur 11 zona të interesit (zona me xehe potencialisht të mundshme) dhe si të tilla në bazë të këtij vendimi këto zona është dashur shpejtë të lirohen nga uzurpatorët për t’iu dhënë ndërmarrjeve të fuqishme minerare për hulumtimin e xeheve në to, në bazë të Ligjit për investime strategjike, nuk është zbatuar kurrë. Sot e kësaj ditë këto zona nuk janë liruar ende. Ka shembuj të panumërt që flasin për indolencën e pakuptimtë të institucioneve të vendit ndaj sektorit të minierave.

Nuk arsyetohet as vonesa e madhe e emërimit të anëtarëve të ri të Bordit të KPMM-së, i cili institucion që prej 6 gushtit të vitit 2020 është pa bord. Ndërsa, dihet se KPMM është i vetmi institucion që i licencon ndërmarrjet e interesuara për hulumtimin, shfrytëzimin dhe përpunimin e resurseve minerale. Në një farë mënyre, në bazë të kompetencave ligjore, resurset minerare dhe minierat e Kosovës do të duhet të menaxhoheshin nga KPMM-ja në pajtim më nenin 56, paragrafi 1 të Ligjit për Minerale dhe Miniera (LMM). Sepse, ky institucion, në bayë të LMM-së ka autoritetin e përgjithshëm dhe përgjegjësinë për të siguruar hulumtimin dhe shfrytëzimin e rregulltë të resurseve minerale të Kosovës dhe shfrytëzimin optimal të resurseve minerale në të gjitha veprimtaritë minerare në përputhje me këtë Ligj dhe me Strategjinë Minerare.

Ndërsa, mikëqyrjen dhe inspektimin e minierave e bënë Inspektorati i minierave që funksionon në kuadër të KPMM-së në pajtim me nenin 69 të LMM-së, i cili përcakton se inspektorët e autorizuar të minierave kanë kompetencën e përgjithshme për të inspektuar aktivitetet e hulumtimit, shfrytëzimit dhe aktivitetet e veçanta të cilitdo person që ka licencë dhe leje nga KPMM-ja, shkruan Buletini Ekonomik.

KPMM-ja duhet të ndihmohet nga Qeveria, të nxitet për më shumë punë në rimëkëmbjen e minierave tona ”të përmbytura” dhe jo të anashkalohet sikur të ishte ndonjë “trup” i huaj dhe të lihet i qetë në komoditetin e hapsirave dhe ambienteve të punës në Kodrën e Diellit të kryeqytetit. Fundja, tërë veprimtarisë minerare, e sidomos rimëkëmbjes së minierave të “përmbytura” realisht nga vërshimi i ujërave për shumë e shumë vite dhe të “përmbytura” figurativisht nga moskujdesi total i asnjë institucioni shtetëror të Kosovës, duhet t’i kthehet vëmendja e merituar institucionale. Ndryshe xeheroret tona do të vazhdojnë të stërkeqen dhe të përmbyten pafundësisht.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera