Lajme

Pal Lekaj në fund të marsit pritet të dalë para gjykatës lidhur me akuzën për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

Autori: Gazeta inFokus 21:09 | 07 March 2023

Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), më 29 mars të këtij viti, pritet të dalë para gjykatës, lidhur me akuzën se në nëntor të 2015-ës, në cilësinë e deputetit, ka hedhur gaz lotsjellës në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Lidhur me lëndën me numër P.nr.xx , me të akuzuar P.L, ju njoftojmë se seanca është e caktuar me datë me 29 mars 2023, ora 10.00″, tha Gashi.

-Advertisement-

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 qershor 2017 ka ngritur aktakuzë kundër Pal Lekajt, të cilin e ngarkon me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka përdorur armën-gazin lotsjellës.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, për disa minuta është ndërprerë puna në Kuvend për shkak të kontaminimit të ambientit dhe se deputetët e të pranishmit e tjerë janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit.

Me këtë, Lekaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, par.2 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë deri në 10 mijë euro dhe me burgim prej një deri në 10 vjet. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera