Lajme

Nuk i deklaroi të ardhurat e bashkëshortit, 6 muaj burgim me kusht dhe 800 euro gjobë për ish-anëtaren e Këshillit Drejtues në Galerinë e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 16:55 | 27 July 2023

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 800 euro gjobë të akuzuarën Vjosa Hamitin, ish-anëtaren e Këshillit Drejtues në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e cila akuzohej për mosraportim të pasurisë.

Hamiti akuzohet se nuk ka deklaruar të ardhurat e bashkëshortit të saj Muhamet Hamiti, ish- ambasador i Kosovës në Londër,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarës Hamiti u shpall të enjten nga gjykatësi i rastit, Eroll Gashi.

-Advertisement-

Sipas këtij aktgjykimi, dënimi i shqiptuar me burgim nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës verifikuese prej një viti, e akuzuara Hamiti nuk kryen vepër tjetër penale.

Ndërsa, dënimin me gjobë e akuzuara Hamiti mund ta paguaj me dy këste, në të kundërtën nëse nuk e paguan dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet në dënim me burgim, duke iu llogaritur 20 euro për një ditë burgimi.

E akuzuara po ashtu obligohet që ta paguajë në emër të paushallit gjyqësor në shumë prej 30 euro dhe në emër të fondit të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 20 euro.

Ndryshe, në seancën e mbajtur të martën më 25 korrik, ku edhe ishte dhënë fjala përfundimtare e akuzuar Hamiti kishte pranuar fajësinë për veprën penale më të cilën ngarkohej.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurori Themelore në Prishtinë më datë 29 maj 2023, e akuzuara në cilësinë e Zyrtarit të Lartë Publik, Anëtare e Këshillit Drejtues në Galerinë Kombëtare të Kosovës, me dashje ka vepruar ne kundërshtim me nenin 5 par. 1 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë personat zyrtar, në atë mënyrë që e njëjta edhe pse ka qenë e obliguar dhe e njoftuar me kohë nga ana e Zyrtares Kontaktues pranë Organit të Punësimit, për të bërë deklarimin e saktë për vitin 2021 e njëjta nuk e ka bërë deklarimin e saktë ashtu që nuk i ka deklaruar te ardhurat për bashkëshortin e saj Muhamet Hamiti shumën prej 4 mijë 289 euro 65 centë.

E me këtë sipas aktakuzës Hamiti ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 2 të KPRK-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera