Lajme

“Nuk bëhet kiameti me dal sot kundër Binit”, Kastrati i kërkon VV-së të votojnë pro TRUST-it

Autori: Gazeta inFokus 16:39 | 19 January 2023

Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon seanca plenare për votimin pro ose kundër tërheqjes së dytë nga TRUST-i pensional.

Deri sa opozita e ka mbështetur tërheqjen e 30% të mjeteve nga Trusti Pensional, shumica e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë iniciativë.

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati ka akuzuar deputetët e mazhorancës që po i dalin në mbështetje dhe në mbrojtje kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

-Advertisement-

“Ju po i nënshtroheni këtij këtu, po e mbroni këtë këtu (duke ju drejtuar Kurtit). Nënshtroheni sa më shumë sepse dikush prej juve ndoshta ka përfundu këtu në pleqëri. Por sot duhet të vendoset për këtë çështje, pasi që është nevojë mediate e qytetarëve. Por ju zgjidhni kë mbroni, ju futeni edhe në mbrojtje të aferave këtu (duke ju drejtuar parullave për ambasadorin Martin Berishaj të cilat janë vendosur tek ulësja e kryeministrit Kurti në Kuvendin e Kosovës)”, ka thënë Kastrati.

Kastrati ka pyetur deputetët e Vetëvendosjes nëse do të vazhdojnë të mbrojnë “këtë Albin”.

“Shikoni këtu çfarë shkruan: A është Albini-Albin, a është Albini-Martin, apo Martini është Albin? Pra a është Albini ai Albini që ka premtuar se s’do ketë korrupsion, e sot po raportohet se një person i afërt, ambasador i Kosovës, akuzohet në Slloveni për një mega-skandal ku dyshohet se është i përfshirë. Apo Albini është Martin, pra është i përfshirë në këtë skandal. Dhe në fund gjithsesi se Martini është Albin pasi që ai nuk flet”, ka deklaruar Kastrati.

Deputeti i PDK-së ka akuzuar mazhorancën se me mbështetjen e tyre ndaj Qeverisë, kanë falur veriun e vendit.

Ndërkaq, ai i ka lutur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që të dalin kundër kreut të tyre.

“Bëjeni këtë për hir të mësuesve e arsimtarëve. Për hir të kamarierëve që ju kanë shërbyer sot ndonjë kafe. Votojeni Trust-in. Votojeni për hir të policit që e keni dërgu në veri. Votojeni për hir të ushtarit të FSK-së..”, ka deklaruar Kastrati.

“Nuk bëhet kiameti me dal sot kundër Binit”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera