Fokus

Nafije Latifi tregon si përvoja e saj me kancerin e gjirit e shtyu të themelonte Shoqatën JETA/VITA

Autori: Gazeta inFokus 15:10 | 18 Tetor 2026

Vështirësitë që përjetoi gjatë përballjes me kancerin e gjirit u bënë shtysë për Nafije Latifin që përvojën e saj personale ta kthente në një mision për t’u ardhur në ndihmë grave të tjera që përballen me të njëjtën sëmundje.

E ftuar në emisionin “Doktor Plus” me Arjeta Osmanin, në Gazetën Infokus, Latifi ka treguar se pikërisht sfidat që kishte kaluar gjatë diagnostikimit dhe trajtimit e kishin nxitur të mendonte për krijimin e një organizate që do të mbështeste dhe informonte gratë për kancerin e gjirit.

“Ishin vështirësitë nëpër të cilat kalova që më shtynë të mendoj një formë të ndihmesës për gratë, për gratë tjera. Dalëngadalë erdhëm deri te ideja, me familjarë, me miq, me shoqëri, që të themelojmë një shoqatë”, ka rrëfyer Latifi.

-Advertisement-

Kështu lindi ideja për themelimin e Shoqatës JETA/VITA, e cila do ta kishte në qendër të veprimtarisë së saj ndërgjegjësimin dhe informimin e grave për kancerin e gjirit.

Latifi ka treguar se gjatë zhvillimit të aktiviteteve të shoqatës janë mbështetur edhe në përvojat e vendeve më të zhvilluara, duke u përpjekur që praktikat e tyre t’i përshtatin me mundësitë dhe nevojat në Kosovë.

“Shoqata është begatuar me përvojat e vendeve më të zhvilluara. Atë që kemi pa që po ndodh jashtë, jemi mundu me apliku në vend, aq sa kemi pasë mundësi”, është shprehur ajo.

Sipas Latifit, angazhimi për ndërgjegjësimin e grave kishte nisur përmes organizimeve dhe takimeve në qytete të ndryshme të Kosovës, ku pjesëmarrja dhe interesimi i grave kishin qenë të mëdha.

“Kemi shku gjithkah. Mund të them se kemi pasë mirëkuptim edhe organizime shumë të mëdha të grave nëpër sallat e teatrove, nëpër sallat e kuvendeve komunale”, ka treguar ajo.

Duke folur për misionin e shoqatës, Latifi ka sqaruar se, ndonëse organizatat e shoqërisë civile nuk kanë kompetenca për trajtimin mjekësor të pacienteve, ato mund të luajnë rol të rëndësishëm në informimin dhe ndërgjegjësimin e tyre.

“Na si shoqëri civile, meqë s’kemi kompetenca dhe s’kemi mundësi të trajtimit, na kemi pasë mundësinë e informimit dhe ndërgjegjësimit të grave që kjo sëmundje është në mesin tonë”, ka deklaruar Latifi.

Ajo ka theksuar se një nga synimet kryesore të organizatës ka qenë që gratë të kuptojnë rëndësinë e kujdesit për shëndetin dhe të mos i neglizhojnë kontrollet që mundësojnë zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

“Të kujdesen për veten, të bëjnë të pamundshmen që ta zbulojnë sa më herët sëmundjen”, ka qenë mesazhi i saj.

Përmes rrëfimit në “Doktor Plus”, Nafije Latifi ka treguar se si një nga periudhat më të vështira të jetës së saj u shndërrua në nismë për të ndihmuar gratë e tjera, duke e kthyer përvojën personale me kancerin e gjirit në angazhim për ndërgjegjësim dhe mbështetje përmes Shoqatës JETA/VITA.

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy