Sport

MKRS e palëkundur, s’ka lojë në “Fadil Vokrri” pa pranim teknik

Autori: Gazeta inFokus 10:30 | 22 August 2018

Ministria e Sportit është e vendosur që të mos lejojë zhvillimin e asnjë ndeshje në stadiumin “Fadil Vokrri”, pa u bërë pranimi teknik.

Për Sportin në KTV, ministri Kujtim Gashi ka deklaruar se pasi të bëhet pranimi teknik dhe certifikimi nga UEFA, stadiumin do t’ia dorëzojnë Komunës e cila do të vendosë për të gjitha gjërat.

“Pranimi teknik do të bëhet në ditët në vazhdim duke pasur parasysh se ne ende nuk e kemi pranuar certifikimin nga UEFA. Pas certifikimit nga UEFA dhe pas pranimit teknik, stadiumin zyrtarisht ia dorëzojmë Komunës, e cila vendos pastaj për menaxhimin, kujdesin, por edhe mënyrën e shfrytëzimit. Pa u bë pranimi teknik nuk do të ketë as stërvitje e as lojë. Pas përfundimit të procedurave, stadiumi do të jetë në shërbim 24 orë, por do të ketë përgjegjës e mbikëqyrës, e jo sikur që është tani vetëm me roje”, ka thënë ai.

-Advertisement-

Gashi nënvizoi se për ndeshjen që ishte planifikuar të zhvillohet të hënën, institucioni që ai drejton nuk ka pasur asnjë njoftim.

Ministri i Sportit kërkon që të ketë përgjegjës për gjithë atë që ndodhë brenda dhe jashtë objektit ku janë investuar rreth 9 milionë euro.

“Janë disa procedura që nuk kanë përfunduar ende dhe ne nuk guxojmë për dëshirë të dikujt ta kthejmë procesin në pikën zero, pasi jemi në marrëdhënie me UEFA-n dhe nuk mund të bëjmë çfarë të duam e të hyjë e të dalë nga aty kush të dojë dhe të bëjë çfarë të dojë. Tani për tani, kryesore është që të dihet kush merr përgjegjësi për menaxhimin e stadiumit. Në ndeshjen, Drita -Prishtina, patëm edhe dëmtim të fushës dhe çka nëse kështu do të ndodhte edhe të hënën, kush do ta paguante?” është shprehur Gashi.

Në anën tjetër, kryetari i klubit të Prishtinës, Remzi Ejupi, ka deklaruar se kanë marr premtime se shumë shpejt do të përfundojë pranimi teknik.

“Kemi marr premtime se që nga e mërkura do të formohet komisioni dhe do të bëhen vlerësimet e punimeve e më pas edhe pranimi teknik i stadiumit. Ne e kemi mirëmbajtë stadiumin që nga viti 2006 dhe jemi të interesuar që ta mirëmbajmë dhe të mos ndodh ashtu siç ka ndodhur në “Adem Jashari”. Ne nuk dëshirojmë që të stërvitemi në stadium, pasi stërvitjet i kryejmë diku tjetër. Dëshirojmë që fusha të ruhet dhe të jetë e gatshme për lojë. Por, Ministria e Sportit nuk mund të vë kritere më të mëdha se sa UEFA dhe FIFA. Ata duhet të kryejnë punën që i’u takon sa më shpejt”, ka thënë Ejupi.

Ejupi konfirmoi se Prishtina nuk do të luajë askund tjetër përveç në shtëpinë e saj.

Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Gjilani që ishte planifikuar të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” është shtyrë dhe i mbetet Komisionit të Garave që të vendos për ndeshjen e fundit të xhiros së parë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta

Të tjera