Lajme

Mediat në Serbi në ekstazë pas deklaratave të Presidentit të Kroacisë për Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 16:36 | 30 January 2023

Pas deklaratave të Presidentit të Kroacisë Zoran Milanoviq se Kosova ka qenë pjesë e Serbisë dhe se është aneksuar nga bashkësia ndërkombëtare, gazeta kroate, “Jutarnj list” shkruan se mediat serbe kanë shpërthyer në ekstazë.

Madje disa tabloide që ia mbajnë krahun Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq Milanoviqin e kanë quajtur “vëlla serb”.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka mbajtur një konferencë për media në Petrinja, nga ku foli për luftën në Ukrainë, duke u shprehur kundër dërgimit të armëve atje.

-Advertisement-

Ndër tjerash, ai aty gjeti shkas të flasë edhe për Kosovën, duke thënë se ajo u aneksua nga bashkësia ndërkombëtare. Tani, sipas Milanoviqit, Rusia po e bën të njëjtën në Ukrainë, raporton agjencia kroate e lajmeve, Index, përcjell Gazeta Express.

“(Kosova) është rrëmbyer nga Serbia. Kosova është marrë nga Serbia, a është kështu? A e kemi njohur Kosovën, po e kemi njohur. Unë jam prapa Kosovës, por pasi kjo është bërë njëherë (aneksimi), pra pa vullnetin e shtetit (Serbisë), të cilës Kosova i ka takuar e kjo ka qenë Serbia, respektivisht Jugosllavia, e cila për ne nuk është shtet mik dhe as që jemi brengosur për ta, ka qenë vetëm çështje kohe se kur Rusia apo dikush tjetër do të bëjë të njëjtën dhe kjo tani po ndodhë”, ka thënë ai.

Presidenti kroat vazhdoi më tej dhe dikur tha se “nuk është në pyetje kontestimi i Kosovës”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera