Fokus

Me Edi Ramën e Erion Veliajn, çfarë bën organizata për të cilën Albin Kurti i ndau 75 mijë euro

Autori: Gazeta inFokus 11:31 | 03 Prill 2025

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti të mërkurën në mbrëmje mblodhi ministrat online. Në këtë mbledhje nate u mor vendimi që të ndahen 75 mijë euro për Fondacionin Shqiptaro – Amerikan.

Kjo shumë u nda në emër të promovimit të Kosovës, megjithatë në vendimin e miratuar nuk janë ofruar detaje të mëtejshme mbi mënyrën konkrete të realizimit të këtij qëllimi. Kjo, pavarësisht se fondacioni nuk rezulton të ketë pasur më parë ndonjë aktivitet të njohur në funksion të promovimit të Kosovës, shkruan Gazeta Infokus.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbrëmë mbledhje elektronike në të cilën ka: Ndarë 75,000€  për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, me qëllim të promovimit të vendit”, thuhet në njoftim.

-Advertisement-

Me çfarë merret Fondacioni Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF)?

Sipas informacioneve të publikuara në faqen zyrtare të këtij fondacioni, organizata ka për qëllim “mbështetjen e Shqipërisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm” dhe është themeluar në vitin 2009 me mbështetjen e USAID-it dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga të dhënat e disponueshme në faqen e tyre, nuk rezulton që fondacioni të ketë pasur më parë ndonjë projekt të drejtpërdrejtë në Kosovë apo në bashkëpunim me institucionet e saj. Përkundrazi, theksohet qartë se veprimtaria e tyre është e përqendruar në Shqipëri, gjë që dëshmohet edhe nga projektet e publikuara në uebfaqen zyrtare të fondacionit “https://www.aadf.org/sq/”.

“AADF u themelua në 2009 si organizatë pasuese e AAEF (Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve). AAEF u krijua në 1995 në bazë të Aktit “SEED” (Mbështetje për Demokracinë në Europën Juglindore) të vitit 1989. Fondi u themelua me një kapital prej 30 milion dollarësh të administruar nga USAID me qëllim nxitjen e sektorit privat në Shqipëri”, thuhet në historikun e saj.

Fokusi i këtij fondacioni, sipas përshkrimit në faqen e tij zyrtare, është “të krijojë mundësi dhe të fuqizojë komunitetet përmes investimeve në arsim dhe aftësi drejtuese, sipërmarrje, trashëgimi kulturore dhe ekoturizëm”. Më tej theksohet se misioni i tyre është i orientuar drejt progresit social dhe ekonomik të Shqipërisë, përfshirë rijetëzimin e monumenteve historike, aftësimin e profesionistëve shqiptarë dhe krijimin e mundësive për zhvillimin e sipërmarrjes.

Në raportimet mediatike për projektet e këtij fondacioni, shpesh shfaqen fotografi dhe kronika nga aktivitetet që zhvillohen në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku nuk mungojnë përurimet, nisjet dhe përfundimet e projekteve në bashkëpunim me zyrtarë të lartë shtetërorë. Ndër ta, shfaqen shpesh edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shkelje financiare me shuma të majme.

Duke qenë se Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë detaje të qarta mbi qëllimin e ndarjes së kësaj shumë parash dhe mënyrën se si ky fondacion – i cili nuk rezulton të jetë angazhuar më parë në promovimin e Kosovës – pritet ta bëjë këtë, Gazeta Infokus ka kërkuar sqarime nga Zyra e Kryeministrit Albin Kurti.

Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, redaksia nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

Etiketa:
Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy