Lajme

Lajçak pret sot Bislimin e Petkoviqin në Bruksel

Autori: Gazeta inFokus 06:59 | 04 April 2023

Brukseli do të jetë sot vend takimi i sërishëm i Zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, i ngarkuar për Integrime Evropiane dhe Dialog nga Qeveria e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Takimi i radhës do të ndërmjetësohet si zakonisht nga Miroslav Lajcak, emisar i BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Ky takim pritet t’i paraprijë takimit të radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

-Advertisement-

Qeveria e Kosovës njoftoi se Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar të hënën drejt Brukselit.

Në këtë takim në nivel të kryenegociatorëve, do të diskutohet në lidhje me zbatimin e aneksit të Marrëveshjes së arritur në Ohër.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga vlerësimet të cilat mund ta prishin atmosferën në dialog.

BE-ja shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve.

Peter Stano, zëdhënës i BE-së deklaroi se Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të takohen më 4 prill në Bruksel për të “diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Stano tha se presin nga të dyja palët “që të kontribuojnë në krijimin dhe mbajtjen e një atmosfere e cila ndihmon normalizimin dhe pajtimin, dhe nevojën për implementimin e obligimeve që palët kanë marrë mbi vete”, dhe shtoi se “palët janë pajtuar që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i cili do të kishte efekt negativ”.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.

Stano e quajti takimin e së martës si “shumë të rëndësishëm”, ngase siç tha “palët do të mblidhen për herë të parë që nga marrëveshja e Ohrit dhe do të diskutojnë pikërisht për hapat e nevojshëm për implementimin e obligimeve që dalin nga ajo marrëveshje dhe nga aneksi i saj”.

Takimi në Bruksel zhvillohet derisa ditëve të fundit në veri të vendit po digjen vetura me targa ‘RKS’, kurse Policia ka arrestuar një të dyshuar, për kryerjen e akteve të tilla, të cilit gjykata ia ka shqiptuar 30 ditë paraburgim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera