Lajme

Kuvendi e miraton në lexim të parë Projektligjin për KPM-në

Autori: Gazeta inFokus 15:15 | 07 March 2024

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten në lexim të parë Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Projektligji mori mbështetjen e 61 prej 62 deputetëve të pranishëm në seancë, mjaftueshëm sa për ta kaluar pengesën e parë.

Ai duhet të votohet edhe në lexim të dytë në Kuvend, para se të bëhet ligj.

-Advertisement-

Legjislacioni parasheh që mediat online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.

Ndryshimet në legjislacion parashohin gjoba deri në 40.000 euro për mediat që bëjnë shkelje të ndryshme ligjore.

Ky legjislacion i nxjerrë nga Qeveria e Kosovës dhjetorin e kaluar, ka nxitur kritika brenda dhe jashtë vendit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga ndryshimet në këtë ligj.

Ata e kanë parë këtë legjislacion si “sulm” ndaj mediave, duke shprehur drojën se ekzekutivi mund ta përdorë këtë ligj për të censuruar mediat.

Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se ndryshimet në Projektligjin për KMP-në duhet të bëhen në atë mënyrë që nuk do të kenë “ndikim negativ” në lirinë e mediave.

Aktualisht, tekstet e publikuara në mediat online monitorohen nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. Ai nuk gjobit mediat për gabimet e tyre, por merr vendime për ankesat e bëra ndaj mediave dhe më pas vendimet e Këshillit mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj mediave nëpër gjykatat e Kosovës./REL

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?

Të tjera