Lajme

Kurti e njofton Viola von Cramon për sanksionet që Kosova ia ka vënë Rusisë

Autori: Gazeta inFokus 20:13 | 03 March 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot për një takim Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila është shoqëruar nga shefi Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.

Siç thuhet në komunikatën e kryeministrisë, Kurti dhe von Cramon kanë diskutuar për situatën në Ukrainë, ku e ka njoftuar eurodeputeten për sanksionet e vëna nga Kosova mbi Federatën Rusë, të cilat, sipas tij, janë në përputhje me ato të SHBA-së dhe BE-së.Po ashtu, e ka njoftuar atë edhe për pranimin dhe strehimin e 20 gazetarëve ukrainas.

“Kryeministri Kurti dhe eurodeputetja Von Cramon diskutuan për situatën në Ukrainë pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse atje. Kryeministri Kurti e njoftoi për veprimet dhe vendimet e Qeverisë karshi Rusisë dhe në mbështetje të Ukrainës, të cilat në njërën anë përfshijnë sanksionet kundër Rusisë në përputhje me ato të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe në anën tjetër vendimin për të pranuar 20 gazetarë ukrainas”, ka thënë ai.

-Advertisement-

Sipas njoftimit, gjatë takimit Kurti ka thënë se “rreshtimi i qartë dhe i menjëhershëm me botën demokratike dhe kundër një pushteti despotik, është tregues i qartë i vlerave demokratike dhe orientimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës”.

“Çështje tjera që u folën gjatë takimit përfshijnë reformat në drejtësi, luftimin e krimit dhe korrupsionit, ndryshimet legjislative, sigurinë dhe energjinë. Kryeministri Kurti e falënderoi Raportuesen për Kosovë për vizitën dhe për rolin e saj aktiv, mbështetës dhe avokues për Republikën e Kosovës në kuadër të perspektivës evropiane të shtetit tonë”, thuhet në fund.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera