Lajme

Kurti deklarohet rreth marrëveshjes për energji me Serbinë

Autori: Gazeta inFokus 15:01 | 18 June 2022

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova dhe Serbia janë shumë afër marrëveshjes për energjinë që pritet të nënshkruhet javën e ardhshme mes të dyja palëve.

Ai ka thënë se nuk do të ketë asgjë shtesë në marrëveshje përveç katër shërbimeve të dakorduara për katër komunat në veri të vendit.

“Duhet të mbahet mend që bëhet fjalë për katër shërbime të dakorduara më herët, vendosja e matësve të energjisë, mirëmbajtja e matësve, faturimin dhe inkasimi. Këtë obligim ne e kemi përmbushur. Nuk do ketë asnjë shërbim shtesë përtej këtyre katër shërbimeve dhe përtej katër komunave në veri të Kosovës”, tha ai.

-Advertisement-

Kurti ka bërë thirrje për kujdes nga të pavërtetat që mund të thuhen publikisht, pasi sipas tij, po kërkohen pretekste që të mos arrihet kjo marrëveshje.

“Ditët e javës së ardhshme janë vendimtare për të parë a do bëhet finalizimi i dakordimit për nisjen e zbatimit të udhërrëfyesit të energjisë, andaj duhet të kemi kujdes që as me hamendësime e as me çerek të vërteta të mos e dëmtojnë procesin në ditët në vijim sepse po kërkohen pretekste për të devijuar nga marrëveshje afër së cilës jemi”.

Kurti shtoi se marrëveshja për energjinë nuk lidhet me liberalizimin e vizave, kurse për këtë proces tha se Kosova i ka përmbushur 95 nga kërkesat e BE-së qysh më herët.

“Kjo marrëveshje nuk lidhet me liberalizimin e vizave, ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret dhe e kemi rregulluar në masë të konsiderueshme imazhin e Kosovës, që për mua është më i miri që nga shpallja e pavarësisë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera