Fokus

Kur do të përfundoj lufta mes Rusisë dhe Ukrainës?

Autori: Samire Jaha 17:06 | 08 March 2022

Janë bërë 13-të ditë që kur Ushtria e Rusisë me vendim të presidentit Vladimir Putin, filloi pushtimin e territorit të Ukrainës, shkruan Gazeta Infokus.

Lufta e nisur mes Rusisë dhe Ukrainës paraqet rrezik që kjo luftë të përhapet gjithandej.

Por kur do të jetë përfundimi i kësaj lufte?

-Advertisement-

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, në një prononcim për Gazetën Infokus, ka thënë se deri më tani Rusia nuk ka pasur sukses për pushtimin e Ukrainës.

“Vlen të përmendet se në bisedimet e palës ruse me kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz, si dhe presidentin e Francës Emmanuel Macron, nga të cilët ka kërkuar ndërprerjen e zgjerimit të NATO’s, si  mundësi për ndërprerjen e sulmeve në Ukrainë. Ky fakt të lë të kuptosh se presidenti i Rusisë Vladimir Putin, e ka kuptuar se nuk mund t’i bëjë ballë rezistencës ukrainase si dhe sanksioneve të SHBA-së, BE-së dhe shumë shteteve demokratike të cilët e kanë dënuar agresionin rus”, ka deklaruar Elezi për Infokus.

Me pas ai ka shtuar se rezultatet e dobëta të luftimeve ruse në Ukrainë, i kanë lënë Serbisë të kuptojë se Rusia nuk është një forcë në të cilën mundet të mbështetet.

“Pas fillimit të sulmeve nga ana e Rusisë në Ukrainë, ka pasur diskutime dhe analiza se edhe shtetet e Ballkanit mund të rrezikohen nga mundësia e aktivizimit të satelitëve të Rusisë në Ballkan, por referuar rezultateve të dobëta të luftimeve ruse në Ukrainë, mendoj se satelitët e saj si Serbia, e kanë kuptuar se Rusia nuk është një forcë, e cila mund t’i mbështesë në apetitet e tyre për pushtime të territoreve të reja në Ballkan, të cilat Serbia në vazhdimësi i ka pretenduar”, ka thënë Elezi.

Ndërsa sa i përket asaj se kjo luftë a do të ketë një zgjerim të një lufte zingjirore, njohësi i sigurisë theksoi se këto luftime në Ukrainë, kanë treguar se Rusia nuk mund të konsiderohet si fuqi ushtarake që mund të i zgjeroj luftimet.

Po ashtu, Elezi tha se Rusia nuk e ka një ushtri dhe ekonomi për të zhvilluar luftime në kohë më të gjatë se një muaj.

“Luftimet në Ukrainë kanë treguar se Rusia nuk mund të konsiderohet si një fuqi ushtarake, e cila mund të zgjeroj luftimet e saj edhe në vendet tjera e sidomos shteteve tjera, të cilat janë anëtare të NATO’s, por eventualisht mund të rrezikoj vendet baltike, duke goditur ato vende me raketa dhe sulme të tjera ajrore, ngase Rusia ka vetëm këtë potencial, por në asnjë mënyrë pushtimin e tyre”, u shpreh Elezi.

Gjithashtu ai zhvillimet e fundit në Ukrainë i cilëson të frikshme, pasi tentativa për pushtimin e Ukrainës, ka bërë që sulmet të jenë të rënda, duke mos kursyer edhe jetën e civilëve.

Sipas tij, Rusia në të kaluarën është menduar si një fuqi serioze ushtarake, por që Rusia paraqet rrezik për vendet e tjera vetëm me posedimin e saj nuklear.

“Federata ruse, ka cenuar integritetin e një shteti sovran, të cilin edhe vetë e ka njohur, por aktualisht është duke ushtruar dhunë përmes sulmeve ushtarake me qëllim pushtimin e saj. Agresioni rus në Ukrainë të bënë të mendosh se Rusia ka pretendime edhe për invadimin e shteteve tjera, por referuar kapaciteteve të saja luftarake deri tani, mendoj se Rusia nuk ka kapacitete luftarake dhe ekonomike të zhvilloi edhe luftëra të tjera”, deklaroi njohësi i sigurisë, Bedri Elezi.

Po ashtu, ai u shpreh se rindërtimet nga kjo luftë do të vijnë pas disa vjetësh, por ndoshta edhe me dekada.

“Nëse i referohemi gjendjes aktuale në Ukrainë, atëherë mund të konstatojmë se në Ukraina ka dëme serioze, dhe sigurisht se rindërtimi i Ukrainës do të zgjas me vite të tëra, apo edhe me dekada, por ne besojmë se pas përfundimit do të organizohen konferenca ndërkombëtare për mbështetjen ekonomike dhe rindërtimin e Ukrainës, me çka edhe koha e rindërtimit të saj do të jetë më e shkurtër”, tha Elezi për Infokus.

Një gjë të tillë e pohon edhe njohësi tjetër i çështjeve politike në Kosovë, Artan Muhaxhiri.

Ai një prononcim për Gazetën Infokus tha se rimëkëmbja ekonomike e Ukrainës do të vijë gjatë dekadës së ardhshme.

“Në aspektin material, angazhimi i tashëm madhor ndërkombëtar, me donacione të shpejta miliardëshe, është sinjal se një qasje e këtillë do të vazhdojë edhe pas përfundimit të luftës. Sigurisht që gjatë dekadës së ardhshme do të ketë misione të mëdha të OKB-së, BE-së dhe instancave tjera të këtij formati, për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës dhe rehabilitime fundamentale strukturore, me qëllim të kthimit në normalitet”, deklaroi Muhaxhiri.

Sa i përket pjesës se kjo luftë a do të ketë një zgjerim zingjiror, Muhaxhiri tha se kjo gjë do të ndodhte vetëm nëse Rusia do ta kishte pushtuar Ukrainën brenda një kohe të shkurtë.

“Zgjerimi i fushëbetejave do të nënkuptonte kërkesa më të mëdha për resurse njerëzore, ushtarake dhe ekonomike, të cilat duket që Rusia nuk i ka. Gatishmëria e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe e fqinjëve të saj, tash është maksimale, prandaj reagimet e tyre do të ishin shumë më të ashpra sesa në rastin e Ukrainës”, shtoi Muhaxhiri.

Përfundimi i kësaj lufte sipas tij do të vijë kur kostoja e saj do të bëhet e papërballueshme për sistemin shumëdimensional të Putinit.

“Kjo situatë do të shkaktojë rritje të reagimeve të brendshme dhe dobësimeve të jashtme. Ideja e Putinit është ngrirja e gjendjes së tashme, në mënyrë që ta ketë si aset të shfrytëzueshëm për faktorizim edhe në ardhmen. Mirëpo, bashkësia ndërkombëtare nuk ka dhënë asnjë shenjë për dorëzim para aspiratave putiniste, pasi kështu do të shënohej një precedent shkatërrimtar dhe i pafalshëm civilizues”, u prononcua Muhaxhiri për Gazetën Infokus.

Ndryshe, forcat Ruse kanë filluar sulmet ndaj territorit të Ukrainës me 24 shkurt.

Deri më tani shumë vende i kanë vënë sanksione shtetit të Rusisë duke përfshirë, USA, BE, Shqipëria, Kosova e shumë vende të tjera.

Si pasojë e këtyre sulmeve mbetën të vdekur shumë persona, e nuk u kursyen as civilët.

Edhe pse kohe lufte delegacionet e këtyre dy shteteve kanë zhvilluara tri raunde të bisedimeve, por nuk kanë arritur asnjë marrëveshje konkrete që do të ndalte luftën./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC

Të tjera