Fokus

“Kemi vajza 20-vjeçare me kancer të gjirit” – Nafije Latifi ngre shqetësimin për rastet te të rejat

Autori: Gazeta inFokus 09:57 | 18 Tetor 2026

Mosha e grave që po përballen me kancerin e gjirit në Kosovë po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, pasi sipas Nafije Latifit, themeluese e Shoqatës JETA/VITA, kjo sëmundje po prek edhe vajza të reja, rreth moshës 30-vjeçare.

Në emisionin “Doktor Plus” me Arjeta Osmanin, në Gazetën Infokus, Latifi ka folur për përvojën e saj shumëvjeçare me pacientet e prekura nga kanceri i gjirit, duke theksuar se dikur rastet më të shpeshta lidheshin me gratë rreth moshës 50-vjeçare, ndërsa tani po vërehen raste edhe në mosha më të reja.

“Deri më tash ka qenë e ditur që numri më i madh i grave të cilat atakohen me këtë sëmundje janë rreth moshës 50-vjeçare, diku kah koha e klimaksit për gratë, menopauzës. Por, për fat të keq, tash kjo moshë ka fillu të bie”, ka deklaruar Latifi.

-Advertisement-

Ajo ka treguar se gjatë angazhimit të saj ka hasur edhe në raste të vajzave të reja të diagnostikuara me këtë sëmundje.

“Ne kemi pasur raste në Klinikën e Onkologjisë edhe në Klinikën Torakale, të kemi vajza të reja, femra të reja, rreth moshës 30 vjeç”, ka thënë ajo.

Sipas Latifit, kanceri i gjirit prek gra të grupmoshave të ndryshme, por shqetësimi i saj lidhet veçanërisht me rastet te moshat e reja.

“Sot kemi raste të moshave 30, 40, 50 vjeçe, madje edhe 70-80 vjeçe, por sëmundja zhvillohet shumë më shpejt edhe shumë agresive te vajzat e reja, gjë që është shumë brengosëse”, është shprehur Latifi.

Themeluesja e Shoqatës JETA/VITA ka treguar se gratë shpesh i drejtohen asaj për shqetësimet shëndetësore, jo vetëm gjatë aktiviteteve dhe ligjëratave që organizon shoqata, por edhe në takime të rastësishme.

“Madje edhe gjatë ecjes nëpër shesh ose diku tjetër, më flet ndonjë grua, ankohet për problemet e saj. Sepse më njohin ndoshta nga emisionet televizive, nga takimet e ndryshme”, ka rrëfyer ajo.

Megjithatë, Latifi ka theksuar se në raste të tilla gjithmonë i udhëzon gratë të kërkojnë ndihmë profesionale, pasi vetëm mjekët mund ta vlerësojnë gjendjen e tyre shëndetësore.

“Unë çdo njërës i them: Shko te eksperti mjekësor, sepse unë nuk jam e thirrur me vendos për situatën e saj”, ka deklaruar ajo.

Duke folur për rastet te moshat e reja, Latifi ka shprehur shqetësimin se kjo dukuri përbën një sfidë për gratë e prekura dhe për shoqërinë.

“Ne e kemi popullatën e re. Por mosha po bie, domethënë gjithnjë e më të reja po sëmuren dhe kjo është një fatkeqësi për shoqërinë tonë, për personat që atakohen”, ka theksuar ajo.

Deklaratat e Latifit vënë në pah rëndësinë e vëmendjes ndaj ndryshimeve të mundshme në gji dhe konsultimit me profesionistët shëndetësorë, edhe kur bëhet fjalë për gra të reja.

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy