Ekonomi

Intervistë: Burhan Kavaja shpalos planin për rimëkëmbjen e Trepçës

Autori: Sylejman Sylejmani 19:51 | 18 January 2019

Intervistë: Burhan Kavaja shpalos planin për rimëkëmbjen e Trepçës

Në një intervistë për Gazetën inFokus, ish-drejtori i minierës së Trepçës në Stan Tërg, Burhan Kavaja ka folur gjerë e gjatë për gjendjen në të cilën ka mbetur miniera me të cilën menaxhoi për shumë vite.

Kavaja nuk e ka përkrahur kërkesën e punëtorëve të Trepçës, që pagat të rriten për të gjithë.

-Advertisement-

Vetëm minatorët, e ata që ballafaqohen me rreziqe në punë, sipas tij e meritojnë që paga t’u rritet.

Për 20 vjet, nga gjiganti i dikurshëm ekonomik, Kavaja thotë se vetëm është marrë, e nuk është investuar asgjë.
Por kush i ka fajet për gjithë këto që i ndodhën kombinatit me nam, që dikur mbante gjallë tërë ish-Jugosllavinë?

Lexoni intervistën e plotë të Burhan Kavajës, të dhënë për Gazetën inFokus:

inFokus: Punëtorët e Trepçës kanë qenë deri vonë në grevë, ku kanë kërkuar që pagat e tyre të rriten prej 20 për qind. Paga mesatare në Trepçë është diku rreth 600-700 euro, në krahasim me pagat e tjera në Kosovë a mendoni se e meritojnë një rritje të pagës?

Burhan Kavaja: Unë çdo herë solidarizohem me minatorët, sepse e di që është punë e vështirë. Mirëpo në mënyrë gjenerale kërkimi i rritjes së rrogave është çështje që duhet të shikohet mirë. Nuk janë rrogat edhe të vogla, mirëpo nëse merret një ndarje e cila bëhet nga buxheti për sektorët e tjerë të cilët as nuk e dinë çka punojnë e marrin rroga, atëherë është normale që edhe ata kërkojnë.

inFokus: Do të thotë nuk e shihni aq të arsyeshme që të rriten pagat gjeneralisht për të gjithë?

Burhan Kavaja: Jo duhet të rriten për ata që ballafaqohen me punë të vështira e të rrezikshme, me punë nëntokësore. Për ta nuk është kurrë rroga e madhe. Por, kur kërkohen rritje rrogash edhe për ata që nuk ballafaqohen me punë të vështira, është kërkesë jo modeste.

inFokus: Trepça e shohim se nuk i ka punët mirë financiarisht, si do të duhej të dilte kjo situatë?

Burhan Kavaja: Trepça fillimisht është dashtë që me një plan të shfrytëzimit racional të startojë, e jo të shfrytëzojë mjetet e buxhetit plus raubimit të koncentratit dhe xehes. Trepça nuk është vonë, mundet tash e tutje me e pas një plan të biznesit, i cili bazohet pikësëpari në investime dhe përgatitjen e minierës për shfrytëzim racional. Me pas një plan të fuqisë punëtore ku përfshihen minatorët, e jo nepotizmi edhe punësimi i të gjithë atyre që nuk kanë lidhje me prodhim drejtpërsëdrejti.

inFokus: Pra, thoni se në Trepçë ka të punësuar shumë militantë?

Burhan Kavaja: Trepça si në jug edhe në veri është e ngarkuar me fuqi punëtore e cila nuk është produktive, nuk është në gjendje profesionale ta bëjë shfrytëzimin e duhur, por vetëm t’i punësojë militantët partiak dhe ata të cilët janë farefis. Kurfarë arsye nuk ka që afër 1.300 punëtorë që punojnë në Trepçë në Jug, me një prodhim i cili është pesë herë më i vogël se në kohën kur është prodhuar në Trepçë 801 tonë në vjet, në Stan Tërg, ose gjithsej afër 2 milionë ton xehe në tërë Kosovën, Veri, Jug, Hajvali, Novëbërdë e të tjera.

inFokus: A ka lavërdi të shfrytëzohen lëndët e para minerale të papërpunuara?

Burhan Kavaja: Më parë edhe tash lëvërdia e shfrytëzimit të lëndëve të para minerale ka qenë se ato janë përpunuar këtu në vend, është prodhuar prej koncentratit metali, prej metalit janë finalizu. Gjithkund në botë mund të pritet që vetëm 5 për qind me pas fitim nga nxjerrja e lëndëve të para minerale. Sa shkon shkallë më e lartë e përpunimit, aq më tepër është fitimi, deri gati 100 për qind në produktin e fundit. A na nuk kemi as metalurgji as përpunim të metaleve, fatkeqësisht çdo gjë është fundosë.

inFokus: Por, cila është zgjedhja më e mirë?

Burhan Kavaja: Zgjedhja më e mirë do të ishte në qoftë se për dy vjet ishte vendosë një moratorium që mos me pas mundësi me u shfrytëzuar dhe me u shkatërruar edhe më tutje minierat, që një pjesë të fuqisë punëtore që janë në moshë të pensionohen me një pension të denjë njerëzor.
inFokus: Do të thotë sipas jush minierat përveç që nuk janë shfrytëzuar ashtu siç është dashur, edhe janë shkatërruar?

Burhan Kavaja: Mendoni, në qoftë se duhet 30 deri në 40 për qind të fitimit të jepet për punët përgatitore, korridoret, puset, punishtet e nuk është dhënë asgjë më tepër se 10 vjet, sidomos prej këtij vitit 2012, atëherë dihet se në çfarë gjendje është. Veç është marrë, nuk është investuar dhe ajo duhet ta ketë diku kufirin.

inFokus: Pse mendoni se nuk është investuar deri tash?

Burhan Kavaja: Nuk është investuar për arsye se nuk kanë pas plan operativ, për shfrytëzimin racional dhe nuk kanë pasur kurrfarë kontrolle se sa po shfrytëzohet e sa po investohet në përgatitjen e minierave për shfrytëzim afatgjatë.

inFokus: Kjo i bie që ju nuk jeni të kënaqur me menaxherët, bordin e të tjerët që kanë menaxhuar që nga paslufta me Trepçën?

Burhan Kavaja: Mua nuk më bie të them a jam i kënaqur apo jo. Ajo shihet nga pasqyra e prodhimit dhe nga pasqyra e afarizmit, prej aty shihet se në çfarë situate janë. Unë nuk kisha dashur për kolegë të them se a kanë ditur a jo, por në qoftë se dikujt i lihet ajo që të menaxhohet ashtu siç mendon vet pa pasur një kontrollë të mirëfilltë të mundësisë edhe financiare edhe operative, edhe tekniko-teknologjike.

inFokus: Ju keni thënë se Kosova duhet të ketë ministri për miniera. Pse duhet të bëhet ajo?

Burhan Kavaja: Organet duhet ta kenë ministrinë e minierave dhe të energjetikës, e jo kjo të mos shkrihet në ministri të tjera, sepse lëndët e para minerale, si kaustobiolitet, ashtu edhe metaletet paraqesin një potencial të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Me ministri për miniera dhe energjetikë, me rifreskimin e kuadrove dhe xehetarëve për këtë punë dhe me lirimin e një numri shumë të madh të punëtorëve që janë nga nepotizmi, militantët partiakë, do të mund të fillonte një jetë e normale për minierat, por edhe me investime paraprake për shfrytëzimin e metaleve dhe finalizimin e tyre.

inFokus: Ministri i Zhvillimit Ekonomik e ka përmendur se shumë shpejt do të fillojë rimëkëmbja e Trepçës. A mendoni se për një kohë të shkurtë mund të ndodhë kjo?

Burhan Kavaja: Ai i cili e njeh teknikën e shfrytëzimit të lëndëve të para minerale nuk mund të jap kësi deklaratash, për arsye se minierat kërkojnë një afat të caktuar për përgatitje për zhvillim, për finalizimin e tyre. Kjo më tepër po më duket si një deklarim i cili duhet të jetë parazgjedhor se me miniera ashtu nuk veprohet. Sigurisht i duhet një kohë më e gjatë profesionale dhe me investime të mjaftueshme që mundësojnë përpunimin e lëndëve të para minerale.

inFokus: A mendoni se në Kosovë fakultetet e xehtarisë e minierave mund të nxjerrin kuadro të cilat mund të menaxhojnë me Trepçën më vonë?

Burhan Kavaja: Kuadri i mirëfilltë kërkon përvojë. Me kuadër bachelor, të cilët edhe ashtu nuk mund të punësohen, por edhe me u punësuar u duhet përvojë. Duhet patjetër një seleksionim dhe një përgatitje plotësuese për të mundur me i përgatit kuadrat.

inFokus: E dimë që më herët Kosova ka pasur shumë kuadro me përvojë. Sa do t’i kushtojë vendit kjo kohë kur ky kuadër nuk është shfrytëzuar?

Burhan Kavaja: Është krijuar një vakum mes atyre që janë në moshë e tash nuk munden me punuar dhe këtyre që nuk janë të përgatitur dhe nuk e kanë përvojën e duhur për punë profesionale si në minierë ashtu edhe në industri. Është krijuar një vakum gati 20 vjeçar që duhet me na kushtuar dhe do të na kushtojë shumë. Bile na kushton edhe në sigurinë e vendit, sepse nuk është e lehtë që kur t’i vjen në një pozitë, që një pjesë e atyre që kanë përvojë kanë dalur jashtë, këta tjerët nuk janë përgatitur ende, e ti sot dëshiron që me e zhvillu degën e minierave të industrisë. Është mjaft vështirë, por nuk është e pamundur.

inFokus: Dikush krejt këtë që po ndodhë po i konsideron se po është për shkak se po duan që ta dërgojnë Trepçën në falimentim, e pastaj të vjen dikush tjetër që ta marrë atë me kosto shumë të lirë. Si e shihni ju këtë pjesë?

Burhan Kavaja: Në privatizime janë bërë lëshime shumë të mëdha. Me të ndjerin Aziz Abrashi ne e patëm përgatit një vlerësim se sa është vlera e lëndëve të para minerale dhe e pjesës së industrisë dhe infrastrukturës, në vitin 1992. Atëherë na pat dal që vlera e lëndëve të para minerale është dikund 505 miliardë dollarë me çmime kur një barel ka qenë 8-9 dollarë. Bile shpesh tash më ka ra me dëgju që Serbia e përdorë me thënë se kjo është pasuri e Serbisë, duke u bazuar se në këtë punë shkencore profesionale e kemi bërë që në atë kohë. Për me e relizu atë duhet të kemi kujdes në privatizim. Kemi raste kur kanë ndodhur privatizime vetëm që t’i futen dikujt qindra mijëra euro në xhep.

inFokus: A ka interes që minierat të privatizohen?

Burhan Kavaja: Minierat sot vështirë dikush i privatizon, pasi duhen investime shumë të mëdha, pajisjet janë të vjetruara. Nuk e shoh se ka shumë të interesuar për privatizimin e minierave.

inFokus: Deri tash një ekspert sikur ju, a jeni kontaktuar nga Qeveria përgjatë hartimit të ligjit për Trepçën?

Burhan Kavaja: A mos keni lexuar diku që më kanë kontaktuar mua dhe të tjerët. Jo. Këta janë të dijshëm, çdo gjë e dinë vet, nuk kanë nevojë për përvojën të cilën e kemi krijuar, ata vet këto gjëra i zgjedhin, ata vet i menaxhojnë, ata vet i punësojnë, ata vet i qesin prej pune, ata vet e marrin kajmakun, edhe nuk ka nevojë për përvojën tonë fare. Neglizhimi ka ndodhë për shkak se ne kishim qenë rezistues të fort që të mos ketë mashtrime.

Lexo dhe:

https://gazetainfokus.com/alarmante-trepca-cdo-vit-e-me-keq/

https://gazetainfokus.com/keto-jane-pagat-e-majme-ne-ndermarrjen-me-gjendje-te-rende-financiare-dokument/?fbclid=IwAR0hb9fyDhzIomq0yz-dH8uJZpFZtyNeUpzPKShPzRPh_AMvt82MllDKjY0

https://gazetainfokus.com/renia-e-gjigantit-fakte-per-humbjet-financiare-te-trepces/?fbclid=IwAR0-AXkoTO8Sr2zuBGTtZmmo17TdHg_mj6iQG_oysux9GBnl5gxcDRXWDhs

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera