Haxholli: Kosova mund të marrë zotim pozitiv për liberalizimin e vizave më 23 qershor
Autori: Gazeta inFokus 21:16 | 17 June 2022
Liberalizimi i vizave dhe dialogu Kosovë-Serbi, me një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke, ishin temat kryesore për të cilat u bisedua gjatë vizitave të kancelarit gjerman dhe diplomatëve të tjerë të lartë evropian në Kosovë ,gjatë ditëve të fundit. Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se në Samitin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, që pritet të mbahet më 23 qershor në Bruksel, Kosova mund të merr një zotim pozitiv për liberalizimin e vizave.
Vizita e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, ajo e ministrit të Jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, të cilat ndodhën gjatë javës së fundit, nga njohës të rrethanave politike dhe integrimeve evropiane po vlerësohen si shumë të rëndësishme për vendin tonë.
Në takimet e krerëve të shtetit tonë me kancelerin gjerman dhe shefin e diplomacisë austriake dhe presidentin e KE temë diskutimi ishte çështja e liberalizimit të vizave, dialogu Kosovë-Serbi, marrëveshja përfundimtare si dhe siguria në rajon pas agresionit rus në Ukrainë.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në një prononcim për Telegrafin ka thënë se këto vizita janë shumë të rëndësishme, që tregojnë për një fokus që zyrtarët evropian kanë për Kosovën.
Haxholli vlerëson se mesazhet e tyre ishin të qarta: “Kosova dhe Serbia sa më parë të arrijnë një marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme që përmbyll procesin e dialogut”.
“Vizitat e fundit të zyrtarëve të lartë të shteteve evropiane janë shumë të rëndësishme për Kosovën, dhe tregojnë për një fokus që këto shtete kanë në këtë pjesë. Mesazhet ishin të qarta, sidomos për Kosovën dhe Serbinë, që sa më parë të arrijnë një marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme që përmbyll procesin e dialogut, Kosovë-Serbi. Si dhe kërkuan përkushtim si nga ana e Kosovës ashtu dhe nga Serbia që të ketë rezultate dhe progres në procesin e dialogut”, ka thënë Haxholli.
Haxholli foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin tha se ka sinjale pozitive.
Sipas saj, në Samitin që do të mbahet më 23 qershor mund të ketë një zotim pozitiv të shteteve evropiane, por siç tha ajo asgjë nuk është e sigurt.
“Një proces tjetër i rëndësishëm është dhe ai për liberalizimin e vizave që ka sinjale pozitive, që në Samitin e qershorit mund të ketë një zotim të shteteve evropiane, por që nuk ka diçka konkrete. Ne e dimë që shumë herë janë dhënë zotime nga ana e BE-së, që Kosovës duhet t’i hiqen vizat, por edhe pse ka pas rekomandim të Parlamentit Evropian dhe prej Komisionit Evropian disa herë, disa shtete anëtare skeptike brenda BE-së nuk kanë qenë dakord që Kosovës t’i ofrohet liberalizimi i vizave. Edhe tani në këtë samit nuk është që ka diçka të sigurt apo ndonjë garancë, që do të ketë dakordim të të gjitha shteteve anëtare, që Kosovës t’i ofrohet më në fund liberalizimi i vizave, por do të presim takimin dhe të shohim se çfarë do të ndodh. Duke qenë se shumë herë jemi zhgënjyer në të kaluarën, por presim takimin ”, u shpreh Haxholli.
E pyetur, se nëse Kosova merr ndonjë zotim pozitiv për liberalizimin e vizave, a do të thotë kjo që shumë shpejt do të fillojnë procedurat për liberalizim? Haxholli theksoi: “Nëse ndodh, ose ofrohet ndonjë zotim nga shtetet anëtare të BE-së, normalisht kalon kohë, pastaj ka procedura ku do të mblidhet Këshilli i Ministrave, të vendoset kjo çështje në agjendë të Këshillit dhe tek pastaj të merret vendimi. Pra edhe nëse ka ndonjë zotim pozitiv, Kosova ende do të jetë larg liberalizimit të vizave”.
E lidhur me këtë çështje është deklaruar sot edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ai në një intervistë për EuroNews Albania theksoi se Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë.
“Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme evropiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë”, citohet të ketë thënë Lajçak.
Ndryshe, Samiti i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të mbahet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, ndërsa në këtë samit do të diskutohet edhe për perspektivën evropiane të këtyre vendeve.
Kosova është shteti i vetëm në Evropë që ende nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë, pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Evropian se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.
Të tjera
-
Haziri: Për shpërndarjen e Kuvendit, do të votojë edhe LDK-ja
Ditëve të fundit janë shtuar zërat për shkuarje në zgjedhje të parakohshme pa...
-
Mbi 2 mijë fëmijë lindën në mars, prijnë me numër meshkujt
Vetëm gjatë muajit mars, kanë lindur 2 mijë e 042 fëmijë. Por dhe gjatë këtij...
-
Qentë endacakë sulm*ojnë gazetaren te Menza e Studentëve, publikon pamje
Gazetarja e Radio Kosovës, Behare Bajraktari ka thënë se sot rreth otës 18:00...
-
Krasniqi fton LDK-në e AAK-në për shpërndarjen e Kuvendit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka bërë th...
-
Kurti në Kotor, publikon pamje duke shtrënguar duart me O’Brien e Spajiq, Ramën “e fsheh”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar fotografi nga darka e s...
-
Takimi për “dinarin”, Qeveria: Pala serbe bëri propozime që synojnë legalizimin e strukturave të saj paralele e ilegale
Qeveria e Kosovës ka lëshuar komunikatë në lidhje me takimin e sotëm të zv/kr...
-
Osmani nderon Monumentin Kombëtar të Përkujtimit në Danimarkë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka nderuar Monumentin ...
-
Edi Rama i uron shërim të shpejtë kryeministrit sllovak
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka uruar shërim të shpejtë kryemini...
-
Arrestohet një person në Ferizaj, dyshohet se vodhi një motoçikletë
Është arrestuar një person i moshës 36-vjeçare në Ferizaj, pasi dyshohet se k...
-
Çështja e dinarit, Lajçak thotë se është gati të pres sërish palët nëse tregojnë gatishmëri për një zgjidhje
Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur asnjë marrëv...
-
BE-ja konfirmon: As sot s’ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për dinarin
Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur asnjë marrëv...
-
Kurti udhëton drejt Malit të Zi, publikohet agjenda
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Mal të Z...