Lajme

Haxhiu: Disa u pasuruan shpejtë, Prokuroria Speciale s’ka vullnet për të dënuar korrupsionin në nivele të larta

Autori: Gazeta inFokus 23:47 | 20 April 2022

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kritikuar Prokurorinë Speciale të Kosovës për mungesë vullneti në luftimin e korrupsionit dhe krimit në nivele të larta. Në emisionin DPT te Fidani, Haxhiu ka thënë se ka dënime për nivele të ulëta, por asnjëherë për ato të larta.

Ajo ka përmendur pasurimin e shpejtë të zyrtarëve në Kosovë.

“Prokuroria Speciale nuk ka vullnet për të punuar në këtë drejtim. … po do të kemi polemika për sa kohë që s’ka vullnet për t’i kryer detyrat, do të kemi polemika. Prokuroria speciale është përgjegjëse kur bëhet fjalë për nivelin e lartë, ku bëhet shpëlarja e parave. Ka dënime për nivelet e ulëta, por asnjëherë s’po shkon te nivelet e larta. Njohim shumë njerëz që tani kanë pasuri marramendëse, dhe para një kohe nuk kanë pasur”, ka thënë ajo.

-Advertisement-

Ministrja Haxhiu ka thënë se ndryshimi nuk mund të bëhet shpejtë, por sipas saj Qeveria Kurti ka vullnetin e hekurt që ta bëjë ndryshimin.

“Nuk mund të bëhet brenda natës, nuk mund të bëhet brenda ditës. Mund të marr kohë ndryshimi. Ka një vullnet të hekurt në qeverinë Kurti për ta bërë ndryshimin”, ka theksuar ajo.

Po ashtu, Haxhiu ka thënë qeveria dhe minsitria që ajo drejton do të kenë zero tolerancë si dhe ka thënë se po bëhen përgatitjet për krjimin e një task-force për luftimin e korrupsionit në nivele të larta. Po ashtu, ka thënë se do të bashkëpunojë edhe Ministrinë e Brendshme dhe ministrin e saj, Xhelal Sveçla.

“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është proces sfidues. Kemi vullnetin për ta luftuar, jemi zero tolerant. Mirëpo, në anën tjetër përgjegjës kryesorë janë institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, pra Prokuroria dhe Policia. Jemi në konsultime për ta krijuar një trupë që merret vetëm me luftimin e korrupsionit të lartë”, tha ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera