Sport

“Fenomeni” Ronaldo, në spital për shkak të pneumonisë

Autori: Gazeta inFokus 10:32 | 13 August 2018

Kampioni i botës me Brazilin, Luis Nazario Da Lima (Ronaldo) ka njoftuar fansat e tij të shqetësuar se do të dalë brenda së hënës nga spitali, pasi u shtrua në një prej institucioneve shëndetësore të Ibizas për shkak të një problemi me pneumoninë.

“Fenomeni” 41-vjeçar tashmë u është përgjigjur reporterëve lokalë, të interesuar mbi gjendjen shëndetësore të tij, duke thënë se është shtruar në repartin e kujdesit intensiv të spitalit “Can Misses”.

Ronaldo është autor i 62 golave me fanellën e “Seleçao”-s, përfshi këtu dy golat e finales së Kupës së Botës të vitit 2002, kundër Gjermanisë.

-Advertisement-

“Kalova një gjendje të rëndë gripale në Ibiza dhe m’u desh të shtrohesha në spital që prej së premtes, por është diçka rutinë dhe normale”, shkroi në Twitter, legjenda e futbollit brazilian.

Ish-sulmuesi i Realit, Barcelonës, Interit dhe Milanit, falënderoi fansat për dashurinë dhe urimet e tyre. Ronaldo ishte me pushime në Ibiza, aty ku rezulton pronar i një shtëpie.

Karriera e sulmuesit u mbyll 7 vite më parë, kur ai “vari këpucët në gozhdë”, pas dy viteve të kaluara te klubi i Corinthiansit në Brazil.

Ronaldo ka fituar dy tituj kampionë në “La Liga” me Realin, si dhe një Kupë UEFA me Interin. Ai ka qenë pjesë e Brazilit edhe në fitimin e titullit kampion bote në vitin 1994, edhe pse nuk luajti, ndërkohë që ndihmoi skuadrën të arrinte finalen e Kupës së Botës, Francë 1998. Ai është shpallur dy herë fitues i “Topit të Artë”, si lojtari më i mirë në botë në vitet 1997 dhe 2002.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera