Lajme

“E tmerruar si nënë dhe deputete”, Kica-Xhelili pyetje ndaj qeverisë, Kuvendit e shoqërisë civile për dhunimin e 11 vjeçares

Autori: Gazeta inFokus 18:02 | 29 August 2022

Deputetja Doarsa Kica Xhelili ka thënë se është e tmerruar, si nënë dhe si deputete, për rastin e dhunimit të vajzës 11 vjeçare nga pesë meshkuj në Prishtinë, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se është ferr në vete të zgjohesh çdo ditë me frikën se fëmija yt mund të dhunohet

Ajo ka shtruar pyetje legjitime ndaj vetvetes, deputetëve tjerë, qeverisë, shoqërisë civile, organizatave që merren me mbrojtjen e të miturve dhe secilit qytetar të Republikës së Kosovës, se “çfarë po ndodhë? Çka po bëjmë e çka nuk po bëjmë?”

-Advertisement-

Postimi i saj i plotë:

Një i mitur i vetëm i dhunuar është tashmë një më shumë se që kemi guxuar ta lejojmë.

Çdo ditë, zgjohem pranë vajzës sime. Kur jam me të, mendoj për të ardhmen e saj e kur jam larg saj, për sigurinë e saj.

Tani, të kemi nevojë të zgjohemi çdo ditë me frikën se fëmija ynë mund të përdhunohet është ferr në vete. Është përtej frikës. Të tjetërson. Të zgjon ndjenja monstruoze ndaj sulmuesit.

Jam absolutisht e skandalizuar nga rasti i sotëm ku dyshohet për përdhunimin e 11 vjeçares nga disa persona. Si nënë, jam e skandalizuar. E tmerruar. Jam e shqetësuar përtej mase për këtë rast dhe çdo rast (aspak të rrallë së fundmi) të dhunimeve. As nuk mund ta paramendoj si ndjehen prindërit e saj.

Si deputete, jam po aq e skandalizuar sa kam nevojë të reagoj. Të mos bëj vetëm status që harrohet brenda 24 orësh. Të shtroj pyetje legjitime ndaj vetvetes, deputetëve tjerë, qeverisë, shoqërisë civile, organizatave që merren me mbrojtjen e të miturve dhe secilit qytetar të Republikës së Kosovës.

Çfarë po ndodhë? Çka po bëjmë e çka nuk po bëjmë?

Dikush një ditë më tha, “po shtohen” rastet. Të them të drejtën, mendoj që nuk po shtohen sa, në fakt, po bëhen publike tanimë. Do të doja të besoj që po vetëdijesohemi për rëndësinë e thyerjes së tabuve dhe ti trajtojmë si kriminel ata që në fakt janë të tillë. Përdhunuesit.

Normimi dhe sanksionimi i veprave penale është botë në vete. Sanksionet nuk vijnë pa analiza shumë të thukëta e të thella të sistemeve dhe rolit që sanksionet kanë në parandalim, e më pas integrim e edukim. Në shumë sisteme, sanksionet penale pavarësisht natyrës sanksionuese, nuk shihen si metodat optimale e të vetme të uljes së kryerjes së veprave penale. Ato e kanë të domosdoshme të bashkëveprojnë me institucione e veprimtari tjera parandaluese.

Atëherë, shtrojmë pyetjen, marrë parasysh elementet tona sociale, ekonomike e kulturore, çka po na mungon?

A janë, realisht, sanksionet të pamjaftueshme? A janë rastet e dështuara të ndjekjes penale në fakt shtytës negativ? A është kohëzgjatja e ndjekjes penale? Kohëzgjatja e procedurave?

Apo është arsimi jo i mirëfilltë? Edukimi seksual? Edukimi i të rinjve mbi pasojat e veprave penale? Thyerja e tabuve mbi diskutimet e hapura rreth këtyre temave?

Kosova duhet URGJENTISHT të krijoi grupe ekspertësh nga të gjitha fushat që mund t’i kontribuojnë diskutimit të mirëfilltë rreth mekanizmave kyç preventues, edukues e sanksionues që i përgjigjet të gjitha pyetjeve të mësipërme, dhe këtu të përfshihet spektri politik.

Probleme mund të kemi shumë, por e kemi OBLIGIM PRIMAR mirëqenien e fëmijëve tonë.

Nuk guxojmë të lejojmë të lëndohet fëmija i askujt. Absolutisht askujt!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera