Lajme

Dy vjet në krye të LDK-së, Abdixhiku vizitohet nga familja e ish-presidentit Rugova

Autori: Gazeta inFokus 13:38 | 15 March 2023

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në dyvjetorin e marrjes së kësaj detyre është vizituar nga familja e ish-presidentit dhe njëherit themeluesit të LDK-së, Ibrahim Rugova.

Abdixhiku është shprehur i nderuar nga vizita e bashkëshortes së Rugovës, Fanës, vajzës së tij Teutës dhe djalit Ukës.

Ai ka thënë se kjo është vizita e parë e Fana Rugovës në selinë qendrore të partisë.

-Advertisement-

“Nga zonja Fana pranova dhe një dhuratë tejet të çmueshme e domethënëse për mua; një kristal guri; të njëjtin që Presidenti Rugova e mbante për më të veçantë, atë që e kishte dërguar tek Presidenti Klinton e Papa Gjon Pali i Dytë, si shenjë Kosove. Mes emocionesh e kujtimesh të shumta mbi gjithë historinë e familjes sonë politike, i njoftova për punët tona tani”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai tutje është shprehur se dy vitet e shkuara shënojnë rikthimin e LDK-së. “E nisëm në një moment të vështirë; dëgjuam, ndryshuam, vepruam mbarë. Qëndruam fort, ecëm drejtë e treguam përgjegjësi për vendin në çdo hap tonin. Mes nevojës së pashmangshme për hapje e reformë, gjetëm dhe unitetin e brendshëm e përfaqësimin e denjë jashtë. Nderuam të shkuarën, por vendosëm të ndërtojmë të ardhmen. Prandaj fituam zgjedhjet lokale; fituam më të rëndësishmen për ne – besimin e qytetarëve tanë”.

“Sot, LDK ka rigjetur veten mes njerëzve të shkëlqyeshëm të këtij vendi. Ka rigjetur veten mes veprimtarëve e veprimtareve që vazhdojnë të ndërtojnë rrugën e nisur 33 vjet më parë nga patriotë të mëdhenj të kohës. Kjo rrugë gjithsesi s’bëhet më e lehtë, e me çdo rritje tonën ajo bëhet edhe me më shumë përgjegjësi”.

“Por kjo rrugë e jona mbetet e paalternativë. Lidhja është e fortë. Idetë tona janë të kohës. E shkuara jonë është historike. Të ardhmen do ta bëjmë vet ne. Dhe kjo e ardhme është e bukur. Sepse Kosova meriton më mirë. Sepse Kosova mundet më shumë”, ka përfunduar Abdixhiku.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera