Dënimi nga Gjykata Speciale me 18 vjet burgim për Pjetër Shalën, deklarata e prokurores West dhe reagimet në vend
Autori: Gazeta inFokus
07:47 | 17 Korrik 2024
Të martën, më 16 korrik 2024, Trupi Gjykues shqiptoi Aktgjykimin në çështjen gjyqësore kundër Pjetër Shalës. Ky është aktgjykimi i dytë i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara në çështje gjyqësore për krime lufte.
Trupi Gjykues shpalli fajtor Pjetër Shalën për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 18 vjet burgim. Për arsye juridike, Trupi Gjykues shpalli të pafajshëm Shalën për krimin e trajtimit mizor.
Në njoftimin e Gjykatës Speciale thuhet se trupi Gjykues konstatoi se Shala mban përgjegjësi penale për veprat penale përmes kontributit personal të tij si pjesëmarrës në një ndërmarrje kriminale të përbashkët, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së.
Kjo çështje gjyqësore thuhet se ka të bëjë me krime lufte të kryera afërisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, në Fabrikën e Metalit në Kukës (FMK), një fabrikë e dikurshme për përpunimin e metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë.
“Gjatë kësaj periudhe, FMK-ja shërbeu si shtab i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe u përdor për një sërë qëllimesh, përfshirë për rekrutim, mobilizim dhe logjistikë. Disa anëtarë të UÇK-e përdorën edhe për të mbajtur të ndaluar, marrë në pyetje dhe keqtrajtuar personat për të cilët mendohej se bashkëpunonin, kishin lidhje ose ishin simpatizantë të autoriteteve serbe, ose të cilët konsideroheshin se nuk përkrahnin mjaftueshëm përpjekjet e UÇK-së. Viktimat ishin kryesisht shqiptarë kosovarë, të cilët përjetuan vuajtje prej shqiptarëve të tjerë kosovarë.
Numri i gjithsejtë i të ndaluarve në FMK gjatë periudhës që lidhet me akuzat nuk dihet, por sipas vlerësimit të Trupit Gjykues duhet të ketë qenë rreth 40 persona, përfshirë tri të ndaluara femra. Trupi Gjykues arriti të identifikonte tetëmbëdhjetë (18) persona. Trupi Gjykues konstatoi se ata u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese, në dhoma të vogla, pa ujë, ushqim dhe kujdes mjekësor të mjaftueshëm, nuk i lejuan të pastroheshin ose të ndërronin teshat”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas Speciales, të ndaluarve nuk u dhanë asnjë arsye për ndalimin e tyre dhe nuk patën mundësinë të kundërshtonin ligjshmërinë e mbajtjes në ndalim.
Të ndaluarit gjithashtu u morën në pyetje ashpërsisht, më së shpeshti gjatë natës, dhe u detyruan të jepnin deklarata ose të bënin deklarata pranuese. Ata u keqtrajtuan psikologjikisht dhe fizikisht dhe disa prej tyre i detyruan të bënin punë fizike. Si pasojë, të ndaluarit jetonin në frikë të vazhdueshme. Keqtrajtimi brutal u shkaktoi të ndaluarve lëndime afatgjata fizike dhe mendore.
Disa prej të ndaluarve humbën aftësinë për të fituar jetesën ose për të mbajtur familje. Disa prej tyre u detyruan të ndërprisnin karrierën ose shkollimin, sepse konsideroheshin si familje spiunësh.
Njëri prej të ndaluarve u qëllua me armë zjarri nga një anëtarë i UÇK-së, pasi ishte keqtrajtuar rëndë nga një grup ushtarësh të UÇK-së. Ai vdiq si pasojë e lëndimeve nga armë zjarri dhe refuzimit të trajtimit mjekësor të duhur.
Specialja njofton se gjatë gjykimit, Trupi Gjykues dëgjoi 22 dëshmitarë, 10 të thirrur nga Prokurori i Specializuar, 2 të thirrur nga Mbrojtësi Specializuar, dhe 10 nga Mbrojtja.
Trupi Gjykues gjithashtu shqyrtoi deklarata me shkrim, prova shkresore dhe akt-ekspertiza. Gjykimi u zhvillua në kontekstin e atmosferës së vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve.
Tetë viktima morën pjesë në proces, por të gjithë ishin nën masa mbrojtëse.
E pas dhënies së dënimit prej 18 vitesh burgim, ka reaguar Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, duke e mirëpritur vendimin.
“Arritja e vënies para përgjegjësisë për krime të rënda – përfshirë edhe kundër atyre personave si z. Shala që kishin shmangur më parë për disa vjet juridiksionin e gjykatave të Kosovës – është një hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit”, tha ajo.
“Dita e sotme është gjithashtu një ditë kur ne kujtojmë dhe përulemi para viktimave të krimeve të z. Shala, që ishin kryesisht shqiptarë të Kosovës, dhe atyre familjeve që kanë pritur për një çerek shekulli që i akuzuari të vihet para përgjegjësisë”, vazhdoi prokurorja West.
E pas dënimit me 18 vjet burgim për Pjetër Shalën, ka pasur reagime të ashpra në vend.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dënimit me 18 vite burgim ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Pjetër Shala.
Krasniqi tha se vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale është vazhdimësi e verdikteve drakoniane ndaj çlirimtarëve, të cilët sipas tij, luftuan vetëm për lirinë e popullit.
“Lufta e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë së Kosovës, të cilën askush dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë e ta rishkruajë”.Avokati, Skender Musa, ka thënë se vendimi i Gjykatës Speciale për dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Pjetër Shalës, me 18 vjet burgim është pa prova dhe nuk ka bazë ligjore.
Shala i njohur edhe si “Ujku”, u shpall fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në një fabrikë metalike në Kukës gjatë luftës në Kosovë – të kryera në mes të 17 majit dhe 5 qershorit të 1999, në fabrikën e metaleve ë Kukës.
“Mendoj që nuk ka pasur prova dhe baze ligjore për të shqiptuar një dënim të tillë, madje edhe për të shpallur fajtor zotin Shala lidhur me akuzuar që iu kanë veshur. Përndryshe në rast se do të kishte prova dhe do të vërtetohet se e ka kryer veprat penale, nëse merret praktika e Gjykatës së Hagës, por edhe praktikat e gjykatave të Kosovës, kur po shpallen fajtore dhe po dënohen ish-pjesëtarë të ushtrisë serbe për krimet që i kanë kryer në Kosovë, prapë se prapë është i lartë”, ka thënë Musa në RTVDukagjini.
Ai kritikoi gjithashtu pretendimet e Gjykatës Speciale se UÇK-ja është “ndërmarrje përbashkët kriminale”, duke i cilësuar si të pabaza dhe të motivuara politikisht.
Edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku ka reaguar pas dënimit me 18 vjet burgim të Pjetër Shalës nga Gjykata Speciale.
Në reagimin e bërë në Facebook, Klinaku thotë se Specialja po i bën dënimet duke u bazuar në dëshmi të pushtuesit serb, transmeton Telegrafi.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka luftuar kundër pushtuesit serb dhe për lirinë e popullit. Gjykata Speciale në Hagë në emër të popullit dënon luftëtarët e UÇK-së, por duke u bazuar në dëshmi të pushtuesit serb e me dëshmi të dëshmitarëve të fshehur nga populli”, thuhet në reagimin e tij.

T� tjera
-
Osmani: Vepra e dhunës në familje do të duhej ta kishte dënimin e njëjtë si terrorizmi
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar përgjegjësi institucional...
-
Hoxha: Arlinda sot s’mund të flasë, por letra e saj na akuzon të gjithëve që kemi përgjegjësi – kjo ditë është pasqyra jonë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha tha se ndjen turp për...
-
Haxhiu del në mbrojtje të Gërvallës e Sveçlës pas vrasjes së Arlinda Zekaj: Çfarë faji kanë ministrat?
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dalë në mbrojtje të mini...
-
Haxhiu për vra*sjen e Arlinda Zekajt: Nuk mjaftojnë raportet që përfundojnë në sirtar, kërkohen masa ndaj atyre që shkelën detyrën
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë t...
-
Seanca e Kuvendit nis me një minutë heshtje për Arlinda Zekajn
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, që po mbahet për rastin e vrasjes mizore...
-
Haxhiu për vra*sjen e Arlinda Zekajt: Fjalët e saj sot tingëllojnë si paralajmërim tragjik që nuk arritëm ta parandalonim
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për vrasjen e Arli...
-
Macron paralajmëron: E shtuna e ardhshme mbetet “ditë me rrezik të lartë” nga protestat
Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi të hënën se e shtuna e ardhsh...
-
Gjyqtari e lejoi dhunuesin të jetojë në një shtëpi me viktimën, ia ndaloi t’i afrohej në distancë dy metrash në shtëpinë ku jetonin
Migjen Kastrati, gjyqtar i Gjykatës Themelore në Pejë, kishte marrë një vendi...
-
Prokuroria në Pejë: Janë iniciuar hetime ndaj zyrtarëve të përmendur në parashtresën e Arlinda Zekajt
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, bën të ditur se, j...
-
Presidentja ua përcjell kryeparlamentares dhe deputetëve vendimin për kthimin e Ligjit të Speciales në Kuvend
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ia ka kthyer Kuvendit për rishqy...
-
Njeriu i tij rrëfen momentin kur Vuçiq mori vesh se kishte humbur zgjedhjet në Serbi
Presidenti i Partisë Progresive Serbe, Milosh Vuçeviq, ka komentuar humbjen z...
-
“Jepni dorëheqje”, Çitaku: Si Arlinda, edhe unë uroj që të mos mund të flini më natën!
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar për së ...


































