Lajme

Çfarë e pret Kroacinë pas epokës së re të euros dhe zonës Shengen?

Autori: Gazeta inFokus 15:57 | 02 January 2023

Kroacia po hyn në një vit historik pasi iu bashkua zonës Shengen pa kufij të BE-së dhe ajo heq monedhën e saj, kunën, duke adoptuar euron, shkruan BBC, .

Kroacia u angazhua për t’u bashkuar me eurozonën kur u bë anëtarja më e re e BE-së në vitin 2013.

Partitë nacionaliste donin të mbanin kunën, por u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese.

-Advertisement-

Kroacia është vendi i 27 në zonën Shengen që lejon 400 milionë njerëz të lëvizin lirshëm ndërmjet vendeve.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i përshëndeti ndryshimet si “dy arritje të jashtëzakonshme” për shtetin më të ri anëtar të BE-së.

Ajo tha se 1 janari, kur zyrtarisht ndodhën ndryshimet, do të ishte një ditë “për librat e historisë”.

“Mbi të gjitha, ky do të ishte një moment gëzimi dhe krenarie për popullin kroat. Është dëshmi e udhëtimit tuaj të mahnitshëm, punës tuaj të palodhur dhe vendosmërisë suaj”, tha ajo.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, tha të dielën se vendi, si një ish-republikë jugosllave që luftoi një luftë për pavarësi në vitet 1990 kishte “arritur qëllimet e tij strategjike, shtetërore dhe politike” nga dy ndryshimet historike.

Ai këto deklarta i bëri në një ceremoni në pikën kufitare të Breganës me Slloveninë fqinje, ku pasaportat nuk do të kontrollohen më në mënyrë rutinore.

Plenkoviç tha se anëtarësimi në Shengen do të “do të thoshte shumë për Kroacinë si një vend turistik, i cili është në një masë të madhe një destinacion ku turistët udhëtojnë me makinë”.

Hyrja e Kroacisë në zonën Shengen pritet të nxisë industrinë e saj të turizmit, e cila përbën 20% të PBB-së së saj dhe mirëpret miliona vizitorë çdo vit.

Radhët e gjata më parë në pikat kufitare me Hungarinë dhe Slloveninë duhet të kthehen në të kaluarën.

Përdorimi i euros është tashmë i përhapur në vend, me asete kyçe si banesat të vlerësuara në monedhë dhe një përqindje e madhe e depozitave bankare të shprehura gjithashtu në euro.

Ekspertët thonë se lëvizja në monedhën evropiane duhet të ndihmojë në mbrojtjen e ekonomisë së Kroacisë në një kohë inflacioni në të gjithë globin.

Euro u lançua më 1 janar 1999 si monedhë elektronike dhe u bë mjet ligjor për rreth 300 milionë njerëz në 12 shtete anëtare më 1 janar 2002. Me shtimin e Kroacisë, tani ka 20 vende në eurozonë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera