Lajme

Betohen asamblistët e rinj të Mitrovicës së Veriut

Autori: Gazeta inFokus 13:33 | 14 December 2022

Në Mitrovicë të Veriut më 14 dhjetor u betuan asamblistët e rinj. Më pas, Kuvendi Komunal, në seancë të mbyllur, nisi procedurat për zgjedhjen e kreut të këtij institucioni.

Nga 15 asamblistët e rinj, që dhanë betimin, vetëm një është nga radhët e komunitetit serb. Ai është Dushan Millunoviq nga iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe”.

Në fillim të muajit nëntor, kryetarët e katër komunave në veri, që vinin nga radhët e Listës Serbe, por edhe kryetarët e Kuvendeve Komunale dhe asamblistët, dhanë dorëheqje.

-Advertisement-

Asamblistët e rinj, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të zëvendësojnë asamblistët e Listës Serbe, që u dorëhoqën.

Zyrtarët serbë dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Por, në ndërkohë Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën një marrëveshje për targat.

Për shkak të rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, zgjedhjet për kryetarë komune dhe ato për kuvende komunale në katër komunat në veri të Kosovës – të parapara të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor – janë shtyrë për në prill të vitit të ardhshëm.

Që nga 6 dhjetori, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur tensionet. Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada, pas arrestimit të një ish-polici serb.

Për shkak të tensioneve, Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në veri dhe autoritetet kanë mbyllur përkohësisht dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera