Bankat e së ardhmes
Autori: Gazeta inFokus
12:32 | 09 April 2018
Bankimi në Kosovë ka avancuar dukshëm viteve të fundit. Praktika e kryerjes së shërbimeve brenda sporteleve bankare ka ngelur mbrapa, pasi janë digjitalizuar shërbimet
Kosova po e lë mbrapa praktikën e kryerjes së shërbimeve brenda sporteleve bankare, kryesisht si rezultat i avancimit të dukshëm të bankimit në vend.
Në përcjellje të zhvillimeve globale dhe si rezultat i avancimit të teknologjisë bankat komerciale në Kosovë gjatë viteve të fundit kanë investuar shumë në avancimin e shërbimeve për klientët duke digjitalizuar shërbimet. Për klientët e bankave tashmë janë në dispozicion shërbimet e automatizuara, të cilat përveçse ofrojnë rehati në kryerjen e transaksioneve bankare, qasje në para cash dhe pagesa 24 orë gjatë 7 ditëve të javës mundësojnë edhe pavarësim nga orari zyrtar i punës së bankave dhe njëkohësisht kanë kosto më të ulëta financiare. Madje me disa shërbime që po ofrohen nga bankat Kosova ka lënë shumë mbrapa edhe vendet e rajonit.
Përfitime të dyanshme
Petrit Balija, drejtor ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, ka theksuar se digjitalizimi i shërbimeve bankare është një realitet global, i cili ka marrë hovin paralelisht me zhvillimin e teknologjisë informative dhe me krijimin e shprehive të reja të konsumatorëve. “Ne jemi dëshmitarë të një transformimi shoqëror që ka përfshirë edhe Kosovën, ku shumica prej nesh ka qasje në internet dhe posedon një pajisje kompjuterike dhe një telefon të mençur. Këto pajisje janë bërë pjesë e jetës e në veçanti për një popullatë të re si e ka Kosova, të cilët janë të prirë të integrojnë këtë teknologji në jetën e tyre të përditshme. Konform këtyre zhvillimeve edhe bankat kanë bërë përshtatjen e shërbimeve të tyre dhe tani ofrojnë platformat të reja digjitale për të kryer bankingun”, ka pohuar Balija.
Sipas kreut të Shoqatës së Bankave të Kosovës, nga ky digjitalizim bankat përfitojnë, pasi në këtë mënyrë vazhdojnë te ruajnë lidhjen e tyre në treg, duke ju përshtatur nevojave të konsumatorit, gjegjësisht klientëve bankarë, përndryshe, siç thotë ai, do të rrezikonin që të zëvendësoheshin me biznese tjera, “FinTech”, të cilat do të ndërmjetësonin këto shërbime për klientët dhe ndoshta edhe do të merrnin primatin për të ofruar këto shërbime elektronike. “Pra kjo është nevojë e kohës apo presion i avancimit të konkurrencës në shërbimet financiare. Në të njëjtën kohë përmirësojnë efikasitetin operacional dhe rrisin vëllimin e transaksioneve të përgjithshme”, thotë ai.
Në anën tjetër, sipas tij, klientët përfitojnë pasi këto shërbime janë më të shpejta dhe më të lira në krahasim me shërbimet manuale. “Klientët i preferojnë këto shërbime pasi që ato mund të kryhen nga çdo vend dhe në çdo kohë”, shprehet Balija.
Efektet pozitive të digjitalizimit
Fehmi Mehmeti, guvernator i BQK-së, thotë se në përcjellje të zhvillimeve globale në fushën e digjitalizimit të shërbimeve financiare, si rezultat i zbulimeve dhe i avancimit të teknologjisë, edhe bankat komerciale në Kosovë gjatë viteve të fundit kanë investuar mjaft shumë në avancimin e shërbimeve për klientët e tyre duke transformuar apo duke modernizuar shërbimet bankare. “Kërkesat për këto ndryshime rrjedhin edhe nga preferencat dhe nga nevojat e paraqitura nga ana e konsumatorëve për shërbime të shpejta dhe të sigurta, të cilat zvogëlojnë kohën e tyre. Shumë shërbime që ofrohen nga bankat komerciale në Kosovë janë në përgjithësi të digjitalizuara përmes platformave të ndryshme”, shprehet Mehmeti.
Sipas tij, tregu bankar në Kosove mundëson realizimin e pagesave përmes instrumenteve elektronike pa shfrytëzuar paratë e gatshme, si përmes kartelave në shumë terminale të shitjes (POS), si dhe qasje në llogari përmes internetit 24/7 duke i ofruar klientit fleksibilitet dhe mundësi për kryerjen e pagesave online kudo në botë.
“Sot klientët kanë mundësi të kenë qasje në llogaritë e tyre gjatë 24 orëve dhe të kryejnë shumë transaksione, siç janë transferimi i parave përmes llogarive apo pagesën e faturave të ndryshme, kudo që kanë qasje në internet”, shprehet ai.
Me avancimet teknologjike tani shumë procese mund të realizohen edhe përmes bankomatit siç janë: deponimi i parave të gatshme, pagesë të kësteve të kredit kartelave, por edhe të faturave të shërbimeve të ndryshme publike etj.
Vlerësohet se efekti i digjitalizimit në shërbime financiare është shumë pozitiv pasi rrit qasjen dhe kualitetin e shërbimeve bankare, qoftë duke rritur efikasitetin përmes uljes së kostos për ofruesit dhe për përdoruesit e shërbimeve, apo duke ofruar shërbime më të avancuara dhe më të sofistikuara. Rrjedhimisht, shkurtohet koha për kryerjen e këtyre shërbimeve, zvogëlohet mundësia e gabimeve që mund të shkaktohen nga punët manuale dhe në këtë mënyrë bankat e ndërtojnë besnikërinë e klientëve.
Rritje e përdorimit të instrumenteve elektronike
Kreu i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë se vendi ka përparësi të shumta në digjitalizimin e shërbimeve bankare, pasi edhe qasja në internet është më e madhe në Kosovë.
“Gjithashtu edhe klientët e bankave në Kosovë si demografi është me e re në moshë dhe kjo bën që shërbimet digjitale të jenë më lehtë të zbatueshme. Po ashtu, bankat të cilat veprojnë në Kosovë janë banka me reputacion të lartë të sigurisë dhe të cilësisë së shërbimeve pasi ne kemi një sektor shumë mirë të konsoliduar të bankave me një ekspertizë të avancuar”, shprehet Balija.
Ndërsa guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, thotë se në Kosovë viteve të fundit vërehet një rritje e përdorimit të instrumenteve elektronike për kryerjen e pagesave. “Nga të dhënat e fundit statistikore vërehet rritje në numër dhe vlerë të kredit transferimeve, të cilat paraqesin një alternativë për kryerjen e pagesave pa para të gatshme. Me rritje të dukshme të përdorimit janë karakterizuar edhe pagesat përmes instrumenteve elektronike siç janë: transaksionet përmes debit kartelave, kredit kartelave dhe e-bankingut”, shprehet ai.
Sipas tij, nëse bëhet një krahasim me vendet e rajoni, për sa i përket përdorimit të kartelave, sipas të dhënave të publikuara në fund të vitit 2016 Kosova ka pasur në dispozicion 484,021 debit kartela për 1 milion banorë, përderisa Shqipëria në të njëjtën periudhë ka raportuar 301,596 debit kartela për 1 milion banorë, kurse Maqedonia 697,112 debit kartela për 1 milion banorë.
Sa i përket kartelave me funksion krediti për vitin 2016 në Kosovë kanë qenë 88,382 për 1 milion banorë, në Shqipëri 29,736 kredit kartela për 1 milion banorë, ndërsa në Maqedoni janë raportuar 181,475 kredit kartela për 1 milion banorë.
“Nga të dhënat e BQK-së vërehet se Kosova ka një trend në rritje të numrit të kartelave në përdorim dhe numrit të transaksioneve përmes instrumenteve të pagesave elektronike, e cila në disa kategori qëndron më lart se disa prej vendeve të rajonit, megjithëse është e nevojshme të bëhet më tepër në zvogëlimin e përdorimit të parave të gatshme dhe shfrytëzimin e instrumenteve të pagesave elektronike për të ndjekur standardet e vendeve të BE-së”, shprehet ai.
56 zona, 24/7
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, janë katër banka që kanë hapur zonat 24/7, ose zona të shërbimit 24 orë gjatë shtatë ditë të javës, që mundësojnë kryerjen e shërbimeve të ndryshme bankare, duke përfshirë edhe pagesat. “Deri më tani kemi 56 zona 24/7 ku klientët mund t’i qasen bankave në çdo moment. Është qasje që bankat kanë filluar së aplikuari së fundmi”, thotë guvernatori i BQK-së. Ky shprehet se digjitalizimi i shërbimeve bankare nuk ka zvogëluar numrin e punëtorëve në këtë sektor. “Numri i të punësuarve në banka komerciale në fund të vitit 2017 ka qenë rreth 3300, që është shifër përgjithësisht e ngjashme nëse kthehemi pas në vitet 2016 dhe 2015. Digjitalizimi i shërbimeve është trend që aplikohet në çdo sistem bankar dhe që ndikon në rritjen e mundësisë së vetshërbimit nga klientët, por në të njëjtën kohë bankat rrisin edhe aktivitetet dhe produktet financiare që mund të ndikojë në rialokimin e resurseve te fusha përkatëse. Duke marrë në përgjithësi, që nga fillimi i operimit të tyre, numri i stafit në banka ka qenë në rritje dhe përgjithësisht i qëndrueshëm”.
Digjitalizimi, i pandalshëm
Ibish Mazreku, prorektor për marrëdhënie ndërkombëtare dhe ngritje të cilësisë në universitetin publik “Haxhi Zeka” në Pejë, thotë se digjitalizimi i ekonomisë dhe i bankave është i pandalshëm dhe domosdoshmëri e kohës. Sipas tij, përparësia më e madhe e ofrimit të këtyre shërbimeve është ofrimi i shërbimeve për klientët 24/7. “Këto shërbime ofrohen përmes E-bankingut, M-bankingut, ATM-së (tërheqja dhe deponimi i parave) etj. Sistemi bankar ende është në proces edhe më të madh të automatizimit dhe digjitalizimit edhe të proceseve tjera si p.sh. Raportimi automatik te mbikëqyrja financiare, kreditimi automatik përmes sistemit të digjitalizuar, ku për të arritur këtë fazë sistemi duhet të ketë qasje në informata relevante për të interesuar për kredi qofshin ato biznese apo individë”, ka thënë Mazreku. Ai më tutje tregon se bankat në vendin tonë nuk dallojnë shumë me regjionin sa i përket ofrimit të shërbimeve bankare përmes E-bankingut, M-bankingut dhe ATM-së, pasi mbi 80 për qind e pronësisë së këtyre bankave është e huaj dhe sjellin përvojat e tyre nga vendet e tyre. “Shtrirja e inovacioneve financiare apo ‘FinTech’-u është e madhe. As ne nuk mund të jemi imunë ndaj këtyre ndryshimeve”, ka thënë Mazreku.

T� tjera
-
Protesta për vrasjen e Arlinda Zekajt, hidhen tymuese para MD-së, kërkohet dorëheqja e Gërvallës, Sveçlës e Muhaxherit
Në Prishtinë po mbahet edhe sot protestë kundër vrasjes së grave. Protesta e ...
-
Çitaku: Janë arritur disa marrëveshje në takimin e grupit punues për strategjinë e apelit
Deputetja e PDK-së, njëherësh anëtare e grupit punues qeveritar për hartimin ...
-
Bullgaria kthen 19 tonë mollë nga Maqedonia për shkak të pesticideve të larta
Mbi 19 tonë mollë maqedonase do të asgjësohen, pasi analizat laboratorike kan...
-
Presidentja Shiroka Pula priti Besiana Kadarenë, në fokus trashëgimia e shkrimtarit
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur sot në takim Besiana K...
-
23 zyrtarë korrektues nga Kosova fillojnë punën në burgjet e Danimarkës
Gjithsej 23 zyrtarë korrektues nga Kosova, të cilët më parë kanë ndjekur traj...
-
Drejtësi për Arlinda Zekajn, nis protesta në Prishtinë
Sot në Prishtinë mbahet protestë me kërkesën për drejtësi për Arlinda Zekajn,...
-
“Sofra e gurtë” sërish para Kryeministrisë, Rama e quan “destinacioni më i ri turistik” në Tiranë
Edhe mëngjesin e kësaj të shtune, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka ven...
-
Zhurma politike për protezat e invalidëve të UÇK-së – Hulumtimi i Infokus nxjerr të vërtetën, mbi 1.4 milionë euro për 102 persona
Një debat i ashpër politik, akuza e kundër akuza u bënë rreth parave të ndara...
-
Dogana zbulon rreth 10 tonë mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera e tyre 154 mijë dollarë
Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 10 tonë mallra të padeklaruara gjatë kontro...
-
Prattipati takon komandantin e KFOR-it: Të ruhet një ambient i sigurt për të gjithë komunitetet në Kosovë
E ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosov...
-
Si do të funksiokojë çështja e konfiskimit të patentëshoferit pas vendimit të Gjykatës Supreme, Policia e Kosovës jep sqarime
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, i cili ...
-
Podujevë: Qentë sulmojnë fëmijën, gruaja e dyshuar si pronare e tyre sulmon policinë
Në Podujevë, gjatë ditës së djeshme raportohet se një fëmijë 12-vjeçar është ...
































