Lajme

Avokati jep detaje për të dyshuarin e vrasjes në Ferizaj, reperi Buta nuk është intervistuar ende

Autori: Gazeta inFokus 20:39 | 29 May 2022

Një vrasje e rëndë ndodhi mbrëmjen e së premtes në qendër të Ferizajt.

30 vjeçari, Gazmend Hyseni u godit me 6 plumba dhe si pasojë e plagëve të marra, humbi jetën. I dyshuari për vrasjen e të lartcekurit është Qëndrim Januzi, i njohur për publikun edhe si vëllai i rep-artistit, Buta (Betim Januzi).

Lidhur me këtë ngjarje, lajmi.net ka kontaktuar avokatin mbrojtës të Qëndrim Januzit, Kastriot Zenuni.

-Advertisement-

Zenuni ka theksuar se kontakti me klientin e tij ka qenë i pakët, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

“Unë e kam takuar atë në spital, kur ka qenë seanca dëgjimore por ka folur shumë pak për shkak të gjendjes shëndetësore. Edhe vetë mjeku kujdestar ka deklaruar se gjendja e tij i pamundëson që të deklarohet më gjatë. Mund të përgjigjet me po ose jo, por jo më gjatë”, tha ai.

Avokati theksoi se me të takuar Januzin i është prezantuar si avokat i caktuar në rastin e tij.

“Është deklaruar pak. I jam prezantuar se jam avokati ka thënë në rregull mirë. S’është që ka deklaruar diçka më tepër, për shkak edhe të gjendjes. Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, por deri më tani nuk e kam pranuar aktvendimin për shkak se nuk është ditë pune, seanca dëgjimore është zhvilluar në QKUK, ku ndodhet i pandehuri”, deklaroi avokati.

Zenuni theksoi se gjendja e klientit të tij është jashtë rrezikut për jetë.

“Gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë, por jo në gjendje të mirë të përgjigjet. Tu e pa gjendjen nuk është se e kemi intervistuar gjatë”, shtoi ai.

Por i pyetur nëse lidhur me këtë rast, organet e hetuesisë kanë intervistuar reperin Buta, avokati Kastriot Zenuni tha se deri dje, pra kur edhe është zhvilluar kjo seancë ai nuk ishte intervistuar.

“Lidhur me këtë pyetje, deri dje në atë moment nuk është intervistuar. Sa kam informacione, pra deri në seancën dëgjimore. Rreth orës 17:00, sa kam informacione jo”, deklaroi ai.

E sipas avokatit ajo çfarë dihet deri më tani thuhet se viktima dhe i dyshuari në këtë rast kanë patur probleme me njëri-tjetrin edhe para këtij rasti.

“Aq sa kemi informacione, flitet se kanë patur mosmarrëveshje edhe më herët. Për shkak të gjendjes shëndetësore të tij nuk është arritur që të shtjellohet më tepër kjo çështje. Ai vetëm është përgjigjur mirë, në rregull. Për seancën e radhës nuk mund të parashohim asgjë. Sepse ende s’kam pranuar as vendimin e fundit të Prokurorisë zyrtarisht”, përfundoi avokati.

Ndërsa gjatë ditës së sotme, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari ka deklaruar se atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Atij i është caktuar masa e paraburgimit 30 ditë, për momentin është në spital, masën e mban në spital dhe ruhet nga policia, në momentin kur shërohet plotësisht transferohet në Qendrën e Paraburgimit”, ka deklaruar Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari.

Viktima në këtë rast, Gazmend Hyseni në momentin e ngjarjes së rëndë ishte para një marketi në qendër të Ferizajt, kur i dyshuari Qëndrim Januzi është afruar dhe ka filluar të gjuaj me armë zjarri në drejtim të tij.

Në vendin e ngjarjes i pranishëm ka qenë edhe një zyrtar policor në detyrë, me veshje civile i cili më pas ka shtënë me armë zjarri në drejtim të Januzit.

Pas kësaj, dorasi i plagosur nga arma zyrtare është dërguar në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Ndryshe vetëm në periudhën mujore janar-prill në Kosovë janë raportuar shtatë raste të vrasjeve, të cilat janë përcjellur edhe me disa të tjera të ndodhura më pas.

Numri i madh i vrasjeve është raportuar nga viti në vit në gjithë Kosovën. Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës ka konfiskuar 462 armë zjarri, e 6 mijë municione pa leje.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë kanë bërë të ditur se në Kosovë janë rreth 36 mijë e 15 armë me leje.

Vetëm brenda vitit të kaluar në vend janë regjistruar 19 vrasje.

Edhe më i lartë ishte numri i vrasjeve në vitin 2018 ku ishin kryer gjithsej 34 vrasje, në vitin 2019 – 20 vrasje, kurse në vitin 2020 u raportuan 27 vrasje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera