Lajme

Ja gjithë çfarë u tha mbrëmë në takimin Thaçi – Grenell

Autori: Gazeta inFokus 09:23 | 23 January 2020

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është takuar mbrëmjen e së mërkurës me të dërguarin special të Presidentit të ShBA-ve Donald Trump, Richard Grenell, për dialogun Kosovë – Serbi.

Grenell kur erdhi në Kosovë, zhvilloi një darkë pune me Presidentin Thaçi, shkruan gazeta inFokus.

Kështu, Thaçi e ka falënderuar ambasadorin Grenell për atë që po bën për Kosovën, për marrëveshjen e re të arritur.

-Advertisement-

“Unë besoj që nën udhëheqjen e Presidentit Trump ne do të mund të arrijmë edhe më shumë paqe dhe stabilitet dhe një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, që do të kontribuojë shumë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor. Roli i SHBA-së në këtë proces është i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm. Kam besim të plotë se nën lidershipin e Presidentit Trump do të arrijmë deri te marrëveshja finale në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Kjo do i ndihmojë shumë zhvillimit ekonomik, progresit, paqes dhe stabilitetit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, sa i përket pyetjes për krijimin e institucioneve të reja, Thaçi ka thënë se me kërkesë të tij e ka nominuar kandidatin për kryeministër, kryetarin e partisë së parë, si dhe tash ju mbetet partive politike që të punojnë dhe atij personalisht që të gjejë partnerë dhe të bëjë shumicën e mjaftueshme që të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ndërsa ka shtuar se Grenell është i dërguar special për dialogun Kosovë – Serbi e jo për çështje të brendshme, shkruan gazeta inFokus.

“Ambasadori Grenell është i ngarkuari special për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi nga Presidenti Trump. Nuk është për çështje lokale dhe të brendshme politike këtu, sikur që nuk është asnjë diplomat që të interferojë apo të bëjë presion, qoftë edhe ambasador në Prishtinë, në çështje të brendshme, lokale, sepse është e drejtë e secilës parti politike që të zgjedhë partnerin, prandaj ne do të diskutojmë për dialogun, do të diskutojmë për çështje që janë me rëndësi jetike të konsolidimit të shtetit të Kosovës, të kultivimit të përjetshëm të relacioneve mes Prishtinës dhe Uashingtonit, kështu që është jashtë agjendave lokale dhe elektorale kjo vizitë, por është në agjendën e planifikimit të shtytjes përpara të dialogut”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, ambasadori Grenell ka thënë se Presidenti Trump është përqendruar në mënyrë individuale në përpjekjen për të zgjidhur këtë problem, duke mos shikuar prapa, duke mos pasur gjithmonë të njëjtin ngërç politik dhe të njëjtat mosmarrëveshje.

“Ne dëshirojmë të bëjmë përparim në këtë rajon, në Kosovë dhe Serbi, në rrafshin ekonomik. Të rinjtë kanë nevojë për punë, kjo është mantra e administratës Trump. Ne kemi një ekonomi shpërthyese në Shtetet e Bashkuara, sepse ne kemi qenë në gjendje t’i themi qeverisë ta reduktojë ndikimin, t’i lërë bizneset të lulëzojnë, të largohet nga rruga, t’i lërë njerëzit ta kenë fuqinë. Dhe ajo që ne po përpiqemi të bëjmë këtu është të kuptojmë se këto probleme të gjata, të vështira kanë vërtet nevojë për fokusin e njerëzve. Ju duhet t’u jepni punë dhe zhvillim ekonomik njerëzve që e meritojnë atë. Populli i Kosovës meriton të ketë punë të reja dhe një të ardhme të ndritshme. Dhe ajo që unë jam duke u përpjekur të bëj është të shikoj të gjitha çështjet që kanë ngecur në tryezë, që kanë ndikim ekonomik, dhe ne thjesht do t’i zgjidhim ato. Ne do ta shtyjmë si qeverinë, ashtu edhe liderët në Kosovë dhe në Serbi, duke ju thënë kujdesuni për popullin, filloni të ecni përpara me punët. Komuniteti i biznesit në Shtetet e Bashkuara, komuniteti i biznesit në Evropë, do të donte të hynte në këtë rajon në një mënyrë më të madhe. Por nuk mund ta bësh këtë nëse ekziston një konflikt nga institucioni politik, kështu që ajo që unë po përpiqem të bëj është të eci përpara, të vazhdoj tutje me një grumbull projektesh. Ne kemi një tërësi idesh që do t’i shtyjmë përpara që do të krijojnë energji, stimuj ekonomikë dhe konkretisht vende pune, punë me pagesë të mirë. Kjo është ajo që na duhet, ne kemi nevojë për zhvillim ekonomik dhe kështu përsëri Presidenti Trump është përqendruar në këtë, duke thënë se kur keni një ekonomi të gjallë, kur keni njerëz që marrin pjesë në ekonomi në një mënyrë të re, me biznese të reja dhe punë më të mira, çështjet politike do të humbin vëmendjen, sepse atëherë njerëzit përqendrohen në jetën e tyre të përditshme. Kjo është ajo që unë kam ardhur ta bëjë këtu. Nuk do të përfshihem në debatet politike, sepse ky është një lloj i shikimit prapa dhe unë dua të filloj të merrem me problemet që kemi pasur dhe të cilat na çojnë përpara, si Kosovën, ashtu edhe Serbinë, drejt një sensi më të madh të të punuarit së bashku për popullin”, ka thënë Grenell./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Nëntori sjellë Magjinë në ETC
-Advertisement-

Të tjera