Lajme

Refuzohen 103 persona që pretendojnë se janë viktima të dhunës seksuale

Autori: Gazeta inFokus 17:26 | 20 October 2018

Rreth 800 persona kanë aplikuar për statusin e viktimës së dhunës seksuale. Deri më tani 143 prej tyre kanë filluar edhe marrjen e pensioneve. Ndërsa, 103 prej tyre janë refuzuar nga komisioni qeveritar, ku siç thonë ata, nuk ka pasur prova të mjaftueshme dhe bindëse për rastin. Për Kosova Press, rrëfehet njëra nga të mbijetuarit e dhunës seksuale, e cila pretendon që është viktimë, mirëpo është refuzuar nga komisioni qeveritar.

Përjetimet e asaj nate, nuk po mund t’i shlyej nga kujtesa, edhe tash pas 18 vjetëve.

Për të është ende e freskët, nata e 26 majit të vitit 1999. Qirrjet e fëmijëve, torturat e policëve serbë, zërat e burrave që nuk gjenin forcë edhe më tej të përballonin goditjet që shkaktoheshin në trupat e tyre, janë vetëm disa sekuenca që i përsëriten asaj herë pas here në mendje.

-Advertisement-

Ishte pikërisht nata e 26 majit, kur ajo kishte fatin e zi të merret nga forcat serbe me dhunë, në mesin e shumë personave të cilit gjendeshin në kolonë, si shkak i dëbimit nga shtëpitë e tyre.

“Një herë më ka hup vetëdija prej tute, prej tmerri, aty ka pas shumë, ka pas plotë. Prej orës 2 e diçka u kon, na kanë shti në ato dhomat. Kunati u kon në atë tjetrën dhomë e kom ni tu e rreh. Neve na kanë shti aty kanë bo çka kanë dasht vet. Prej dyve deri të nesërmen orën shtatë të mëngjesit. Tani na kanë qit në njëstom të rrugës, aty më ka marrë dikush me gjithë kunatin bashkë edhe na kanëqu te fmia. Aty kom nejt si e pavetëdishme, në të lig, e malltretume, e dhunume në tona mënyrat” rrëfen ajo.

Pas asaj kohe, ajo rrëfen që asnjëherë nuk ka qenë mirë me shëndet. Madje ishte detyruar që për shkak të dhunimit, t’i kryej dy intervenime kirurgjike.

Sikur të mos i mjaftonin këto, ajo në atë kohë, bashkëshortin e kishte në Gjermani.

Pas tri viteve, kur ai u kthye , siç rrëfen ajo, e la të vetme, me pretekstin që kishte ç’nderuar familjen.

Burri e kuptoj, si e kuptoj, jena nda… vetëm për qit arsyje. Edhe vet ai tregon që vetëm për këtëarsyje nuk më ka marrë më. Kurrë ditë të mirë nuk kom pas, edhe s’di sa herë kom tentu veç me myt vetën, mos me jetumo. Mos me jetumo, as edhe një minutë.Kom hjek shumë, kom hjek edhe për që më ndodh qikjohja, nuk e kom besu.Për neve ditë të mirëmo nuk ka, se veç qato momente kur i kujtoj, mu vetëdija se di çka boj e çka maroj, me doket qëkapaki i kres po më shkon përpjet”, thotë ajo.

Përveç gjendjes shëndetësore edhe atë ekonomike e ka shumë të vështirë.

Me të kuptuar që kishte filluar procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, ani pse e kishte të vështirë, kishte aplikuar në komisionin qeveritar.

Mirëpo, ajo është refuzuar nga ky i fundit, me faktin se nuk kishte prova të mjaftueshme. Por, kjo nuk është e vetmja aplikuese e cila është refuzuar.

Kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, Minire Begaj ka treguar për Kosova Press, se deri më 28 shtator kanë aplikuar rreth 800 persona. Por, jo të gjithë kanë pasur fatin të pranohen.

“Prej tyre i kemi pranuar 143 që ju ka njoft statusi i viktimës së dhunës gjatë luftës… prej tyre të refuzuar i kemi 103.Me thanë të drejtën krejt kjo fazë që po e përmendni, të gjitha ato mundësi që na i ka leju ligji edhe shumë mirë që na i ka jep këtë mundësi, që në fund të fundit ka ardh në përfundim komisioni, që nuk është bind komisioni me gjithë ato proces që e kemi marrë. Qoftë edhe një narrativ, qoftë edhe një dokument mbështetës, në fund edhe një intervistë. Duhet ta kemi parasysh që ka ndodh që në disa raste kemi pasur kontradikta të mëdha me storien edhe me intervistën. Por, që e mira është që ne së fundmi kemi vendos me thirr palën në intervistë për arsye se kemi konsideruar që të paktën ta kemi palën përpara dhe sa do pak të bindemi përfundimisht”, shprehet Begaj.

Mirëpo, aplikuesit të cilët refuzohen kanë mundësinë që prapë të bëjnë kërkesë në komision, për rishqyrtim. Në lidhje me rastin e gruas e cila vjen nga një fshat i Podujevës, Anton Nrecaj nga Qendra për ndihmë juridike dhe zhvillim regjional “Clard”, thotë se ka filluar procedurat e para për në gjykatë.

“Ne ju kemi drejtu gjykatës me argumentin që vendimet të cilat janë nxjerrë në shkallën e parë dhe shkallën e dytë prej komisionit qeveritar, janë vendime dhe argumente të padrejta dhe të paqëndrueshme dhe mbi bazën e kësaj, ne edhe i kemi argumentu faktet, duke përfshirë edhe deklaratat e vetë personave të cilët kanë qenë viktimë dhe personave që kanë qenë dëshmitarë, dhe ky argument në gjykatëështë i mjaftueshëm, që gjykata të nxjerr një aktgjykim në bazën e të cilës hedh poshtë vendimet e komisionit qeveritar dhe gjithë procesin e aplikimit të viktimave të cilat ju drejtohen gjykatës , po flas për rastet vec e vec… mirëpo rastet që ne i kemi argumentet bindëse do t’i drejtohemi gjykatës dhe se presim prej gjykatës t’i hedh poshtë vendimet e komisionit, dhe ta rishqyrtoj lëndën nga fillimi”, thotë Nrecaj.

Jo të gjitha viktimat kanë fatin të aplikojnë për njohjen e statusit. Disa prej tyre sot e asaj dite ende vazhdojnë të ndihen tëstigmatizuara, e disa prej tyre nuk kanë pasur fatin as ta presin këtë ditë, kanë ndërruar jetë.

Drejtoresha e qendrës kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës, Feride Rushit thotë se procesi i gjatë për këto viktima po shkakton ankth të dyfishtë.

“Ato që hynë në proces mund të them që më shumë i mban ankthi pezull se çfarë po ndodh me to, çfarë do të kërkohet, a do të marrin vendim pozitiv. Mirëpo, ato që hyjnë në proces edhe nuk tërhiqen nga procesi, qajo është një pjesë pozitive që nuk tërhiqen, realisht por presin me shpresën e mirë që ato që e kanë dokumentu, dokumentacionin e besueshëm do të thotë që do ta marrin vendimin pozitiv” tha Rushiti.

Në mars të vitit 2014, ish presidentja Atifete Jahjaga kishte themeluar Këshillin Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ajo madje njihet si përfaqësuesja e vetme e vendit e cila kërkoi me ngulm që t’u njihet statusi këtyre viktimave. Ani pse procesi ka filluar, ajo e quan si të vonuar.

“Të them të drejtën është paksa një proces i vonuar , sepse ka qenë dashur të filloj, para dy viteve edhe kur ka qenë e paraparë në bazë të punës dhe në bazë të rekomandimeve, sepse komisioni është rrjedhimojë e Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Neve për një arsye apo tjetrën këtë çështje e kemi adresuar me shumë vonesë në 14 apo 15 vjet pas përfundimit të luftës, dhe falë këshillit kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, falë shumë aktivistëve që në mungesë të institucioneve të themi deri në vitin 2013 apo në vitin 2014 e kanë kryer edhe punën e institucioneve në mungesë të tyre”, thotë Jahjaga.

Procesi i verifikimit të viktimave të dhunës seksuale ka filluar me 5 shkurt të këtij viti.

Megjithatë, ani pse dihet se janë afro 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ende askush nuk është i dënuar për këto vepra.

Lutja e vetme e zonjës që rrëfen në këtë shkrim, është që një ditë, asaj t’i njihet ky status, që sado pak t’i zbutet dhimbja që ka përjetuar me vite.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Studente dhe prind, Medina Berisha tregon për rrugëtimin e saj akademik në UNI- Universum International College, fuqizuar nga Arizona State…
-Advertisement-

Të tjera