Lajme

Drejtësia në luftë me politikën – rasti konkret “listat e veteranëve”

Autori: Gazeta inFokus 18:20 | 06 October 2018

Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të mbetet i ekspozuar ndaj ndikimit politik dhe ky ndikim është në forma të ndryshme, vlerësojnë zyrtarë të institucioneve të larta të Kosovës, si dhe njohës të çështjeve juridike në vend.

Rasti, i cili muajt e fundit ka ngjallur debat dhe polemika jo vetëm në opinion, por edhe ndërmjet drejtuesve institucionalë, është rasti i “Listës së veteranëve”.

Së fundmi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka potencuar pretendimet për të ndikuar në punën e Prokurorisë nga ana e politikës, duke marrë shembull pikërisht rastin e “veteranëve”.

-Advertisement-

“Shembull eklatant është çështja e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne të gjithë duhet ta inkurajojmë sistemin e drejtësisë që kësaj çështjeje t’i shkojë deri në fund, me një transparencë dhe përgjegjësi të plotë”, ka thënë Thaçi, raporton Radio Evropa e Lirë.

Se ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë janë duke u bërë nga njerëz të politikës, e ka konfirmuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai i ka thënë një televizioni vendor se ndërhyrjet bëhen në mënyrë të hapur, duke i kërcënuar prokurorët dhe gjyqtarët.

“Vetëm përmendja e tyre, sa herë ka ndodhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të gjitha ato janë kërcënime. Ato janë cenim i pavarësisë së Gjyqësorit”, ka thënë Veseli.

Deklaratat me përmbajtje kërcënuese nga ana e deputetëve të caktuar të Kuvendit të Kosovës, i ka cilësuar si ndërhyrje në punën e Prokurorisë edhe Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me mediet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Çdo deklarim apo lidhur me këtë, konsiderohet si ndërhyrje dhe si pengim në punën e pavarur të Prokurorisë”, pati theksuar Hoxha për Radion Evropa e Lirë.

Rebelët dhe të dëgjueshmit

Megjithatë, njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të lartë politikë dhe institucionalë në favor të mbështetjes së pavarësisë së sistemit të drejtësisë, pikërisht ata shtrijnë ndikimin në këtë sistem.

Sipas tyre, ndikimi politik në sistemin e drejtësisë është shumëdimensional.

Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se fillimisht ky ndikim bëhet përmes mungesës së përkrahjes së vërtetë për sistemin e drejtësisë. Gjithashtu, sipas tij, çdo mënyrë e emërimit në pozita të larta dhe proces të rekrutimit, bëhet me ndikim politik, në mënyrë që politika t’i ketë përfaqësuesit e vet në krye të institucioneve të drejtësisë. Kjo ndikon, siç thotë Musliu, që ndjekja dhe gjykimi eventual i politikanëve të dyshuar për vepra penale, të mos ndodhë.

Prokurorët dhe gjykatësit, të cilët kanë refuzuar t’iu nënshtrohen instruksioneve e politikës, sipas Musliut, nga vetë politika konsiderohen si rebelë.

“Të njëjtit, në momentin që i kanë atakuar politikanët, janë vendosur në ‘gjueti’ nga ana e politikës, përmes kërcënimeve dhe shantazheve të ndryshme publike. Kjo është një prej formave që, thjesht, u dërgohet të gjithë atyre bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale, që nëse e zbatojnë ligjin dhe nuk janë të dëgjueshëm në raport me politikën, do të marrin këso mesazhe dhe këso kërcënime, si dhe nuk do ta kenë të mundshme ushtrimin e profesionit në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale”, thekson Musliu.

I padëgjueshëm ndaj politikës, sipas tij, është treguar edhe ish-prokurori Elez Blakaj, i cili kishte hetuar çështjen “veteranët” dhe që ka dhënë dorëheqje nga funksioni, me arsyetimin se mbi të janë bërë presione. Dorëheqja e tij, ishte përcjellë me kërcënime e madje edhe me fyerje publike nga përfaqësues institucionalë.

Në anën tjetër, Musliu thotë se ka mjaft shembuj indikativ se Prokuroria dhe Gjyqësori janë të varur nga politika dhe u nënshtrohen kërkesave të saj.

Sipas tij, indikativ ishte rasti i ngritjes së aktakuzës ndaj ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashit, si dhe më pas, vitin e kaluar, tërheqja nga gjykata e kësaj aktakuze nga prokurori, vetëm një javë para zgjedhjes së Gashit për të parin e AKI-së.

Ngjashëm, siç thotë ai, ishte edhe rasti ndaj ministrit aktual të Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili rast ishte trajtuar me urgjencë dhe ishte rrëzuar në gjykatë vetëm pak ditë para se të bëhen listat përfundimtare zgjedhore.

rastin e njohur “Pronto”, ku protagonist kryesor është ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, si dhe 11 persona të tjerë, të cilët bartnin apo bartin ende funksione të larta publike. Por, në tetor është shtyrë seanca gjyqësore për këtë rast, për 15 nëntor.

Këtë shtyrje e ka cilësuar si indikativ Përparim Kryeziu, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike.

“Shtyrja e seancës së rastit ‘Pronto’ është vetëm një nga indikatorët se ka një përzierje të politikës në sistemin e drejtësisë. Ne e patëm edhe rastin e prokurorit Blakaj, se si u diskutua mendimi i tij për t’u tërhequr nga pozita e tij dhe për t’u larguar jashtë vendit. Mënyra se si përfaqësuesit tanë politikë e diskutuan veprimin e tij, flet shumë se si e shohin limitin se deri ku përfaqësuesit politikë mund të ndikojnë në sistemin e drejtësisë”, thotë Kryeziu.

Të afërmit e politikës dhe centralizimi i Prokurorisë

Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale Ndërkombëtare në një bisedë për Radion Evropa e Lirë e pati quajtur të rrezikshme për vendin, ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë.

“Ndikimi i politikës në sistemin e drejtësisë në Kosovës është evident, por paksa perfid, pak i fshehur, por si i tillë është evident për shkak se kemi vërejtur edhe në aferën ‘Pronto’ dhe shumë afera tjera. Udhëheqësit politikë apo partitë politike kanë qenë shumë të interesuara që të emërojnë njerëz të afërt të tyre në sistemin e drejtësisë. Ky është ndikim i politikës që po rrezikon autonominë, pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, ka thënë Salihu.

Në anën tjetër, sipas Musliut, në shumë raste vetë Gjyqësori dhe sistemi prokurorial i nënshtrohen politikës edhe atëherë kur politika nuk e ka të domosdoshme të ndikojë.

“Nëse një rast iniciohet, nga kushdo ose prej institucioneve të ndryshme – në këtë rast nga policia, nga ndonjë institucion i pavarur apo nga vetë qytetarët – ndaj një profili të lartë të politikanëve, ato vihen nën kontroll nga vetë Zyra e kryeprokurorit të shtetit, e cila e ka krijuar një bazë ligjore. Çdo rast ndaj profilit të lartë, nuk mund të fillojë të hetohet pa e dhënë lejen vetë Zyra e kryeprokurorit të Shtetit. Kjo është një formë e centralizimit, për ta kontrolluar në tërësi çdo ndjekje eventuale që mund të zhvillohet ndaj profilit të lartë. Kjo dëshmon varësinë totale të sistemit të ndjekjes në raport me politikën”, shprehet Musliu.

Thirrjet e përfaqësuesve politikë dhe institucionalë, që të shmangen pretendimet për ndikimin politik në institucionet e drejtësisë dhe që atyre t’u krijohet hapësira për punë profesionale dhe të pavarur, njohësit e çështjeve juridike i kanë cilësuar si hipokrizi.

Bazuar në Raportin e fundit të Progresit nga Komisioni Evropian, Kosova gjendet në fazën përgatitore të luftës kundër korrupsionit.

“Administrata e Gjyqësorit është e ngadaltë dhe joefikase, ndërkaq që gjyqësori edhe më tej mbetet i ekspozuar ndaj ndikimit politik”, është thënë në këtë raport.

Po ashtu, në Raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriu i Departamentit Amerikan të Shtetit, është thënë se në Kosovë “strukturat e drejtësisë ishin subjekt i ndërhyrjeve politike me emërime të diskutueshme dhe mandate të paqarta”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta
-Advertisement-

Të tjera