Ekonomi

Institucionet e drejtësisë më të korruptuarat

Autori: Gazeta inFokus 11:39 | 13 March 2018

Përderisa institucionet që merren me drejtësi do të duhej që të ishin institucionet më të besueshme për qytetarët, e niveli i korrupsionit të ishte zero, në vendin më të varfër në rajon po ndodh e kundërta.

Në institucionet e drejtësisë në vend, po ‘lulëzon” korrupsioni.

Gjykatat, Prokuroria dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, po del të jenë institucionet, ku niveli i lartë i korrupsionit është shumë i pranishëm, shkruan Infokusi.com.

-Advertisement-

Numri i qytetarëve që besojnë se në këto institucione nuk ka korrupsion, nuk e kalon as 3 për qindëshin.

“Me përqindje dukshëm më të vogël se korrupsioni nuk është i pranishëm janë vlerësuar institucionet si Organi Shqyrtues i Prokurimit (2 %), Prokurori (rreth 3 %), dhe ministritë e linjës (rreth 3 %)”.

Kështu thuhet në “Studimin mbi perceptimin e korrupsionit”, që ka publikuar të martën Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Në bazë të këtij raporti mosbesimin qytetarëve në këto institucione ua kanë shtuar përvojat e miqve, partnerëve,, por edhe përvojat personale. 52 % e të anketuarve janë përballur vetë me korrupsion.

“Rreth 73% e bizneseve cekin përvojat e miqëve ose partnerëve të tyre si burim informativ në të cilat bazohet vlerësimi për nivelin e korrupsionit, pasuar nga 53.1 e bizneseve që kanë pasur përvojë personale”, thuhet në raportin e publikuar nga OEAK-u.

Më shqetësuese është se edhe pse bizneses hasin në korrupsion, ato nuk e raportojnë. Mbi 85 për qind e bizneseve nuk e kanë raportuar korrupsionin.

Ngurrimi i tyre për mos raportim të këtyre rasteve vie prej frikës nga hakmarrja, mosbesimi ndaj gjykatave si dhe mosbesimi në luftimin e korrupsionit.

Madje, sipas tyre sundimi i dobët i ligjit, zbatimi i dobët i ligjeve ekzistuese dhe mungesën e vullnetit politik për luftimin e kësaj dukurie, janë faktorët kryesorë që mundësojnë korrupsionin në vend, shkruan Infokusi.com.

“Duke ranguar faktorët që mundësojnë korrupsionin, 80.5 % rangojnë sundimin e dobët të ligjit dhe zbatimin e dobët të ligjeve ekzistuese si faktorin një. Ndërsa, 78.28 % të respondetëve konsiderojnë mungesë e vullnetit politik për luftimin e kësaj dukurie si faktorin e dytë që mundëson korrupsionin në Kosovë”, thekson raporti.

Për dallim nga institucionet e drejtësisë ku vlerësohet se korrupsioni është në nivel të lartë, ka edhe institucione ku të anketuarit besojnë që nuk ka korrupsion fare.

Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve, Administrata Tatimore e Kosovës, Dogana, Kuvendi i Kosovës dhe Zyra e Presidentit, janë disa prej këtyre institucioneve.

“Sa i përket institucioneve ku bizneset besojnë se korrupisoni nuk është aspak i pranishëm, ato renditen si në vijim: Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve (30 %), Dogana e Kosovës (30%), Kuvendi i Kosovës (10 %), Zyra e Presidentit (10%), dhe Administrata Tatimore e Kosovës (7 %)”, thuhet më tej në këtë raport.

Gjatë prezantimit të “Studimit mbi perceptimin e korrupsionit”, u vlerësua se në Kosovë mbetet në nivele të larta dhe shqetësuese, si për qytetarët, ashtu edhe bizneset, derisa problem akut mbetet korrupsioni.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se korrupsioni po ndikon edhe në të bërit biznes, ku këto të fundit kanë renditur si problem kryesor rendisin sistemin gjyqësor joefikas. Sipas Zekës, përkundër fushatave anti-korrupsion që bëhen pothuajse çdo ditë, rezultatet po mungojnë.

“Pasojat e korrupsionit i përjetojmë çdo ditë e ato reflektojnë edhe në të bërit biznes. Derisa zotimet e zyrtarëve të vendit në luftën kundër korrupsionit përsëriten çdo ditë, përtej retorikës së bukur, rezultatet tregojnë se korrupsioni është prezent. Është interesante që bizneset kanë renditur si problem kryesor drejtësinë”, tha Zeka.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, apeloi për partneritet mes sektorit privat dhe Ministrisë që ai e drejton, që të kenë bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit.

Tahiri deklaroi se shkelja e parimit të konkurrencës del të jetë problemi kryesor, përderisa theksoi se korrupsioni po shfaqet në tri forma, në formë të përfitimit personal, abuzimit të pushtetit dhe ndikimit nga një palë e tretë, raporton Infokusi.

“Për asnjë moment nuk jam shkëputur se këto janë ligje që do tu shërbejnë vetëm institucioneve janë dhe duhet të shërbejnë të gjithëve, qytetarëve, Shoqërisë civile. Thërras për partneritet mes sektorit privat dhe MD, që të kemi bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, Kodi penal që do të miratohet javën tjetër në Kuvend do të ndikojë në parandalimin e korrupsionit.

Albert Avdiu nga UNDP, bëri të ditur se 98 për qind e bizneseve kanë deklaruar se problem kryesor është korrupsioni, derisa 52 për qind e tyre kanë pranuar se kanë ndeshur me të.

“Nëse 98 përqind të biznese thonë se problem është korrupsioni dhe 52 për qind thonë se janë përballur me të, duhet të dalim me masa konkrete se si duhet të përmirësohet kjo. Grupet e margjinalizuara janë ato që e ndiejnë më së shumti korrupsionin. Për ta arritur përmirësimin dy palët duhet të luajnë rolin e tyre, duke kryer punën e tyre në luftën korrupsionit. Korrupsioni ndikon në uljen e vendeve të punës, ai çon në njëanshmëri”, tha ai.

Ndryshe, luftimi i korrupsionit është një nga kushtet e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. (Arjeta Shabani)/Infokusi

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy