Lajme

Vizat, mashtrimi i dekadës!

Autori: Gazeta inFokus 08:11 | 13 October 2017

Po bëhet gati një dekadë prejse liderët politikë të Kosovës kanë filluar ta premtojnë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Madje disa herë u tha se liberalizimi është “çështje muajsh”.

Por, të gjitha këto shpresa i ka përmbysur dje presidenti Thaçi, i cili i kërkoi homologut të tij Ilir Meta shtetësi të Shqipërisë për kosovarët. Ndërsa analistët politikë thonë se nuk ka liri të lëvizjes përmes një shteti tjetër.

Hashim Thaçi ishte zgjedhur dy herë kryeministër i Kosovës me njërin nga premtimet kryesore në fushata zgjedhore, përpos punësimit, se liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian do të kryhet shumë shpejt.

-Advertisement-

Një avaz të tillë të premtimeve Thaçi e kishte nisur në vitin 2010, në atë kohë si lider i PDK-së, duke u zotuar se kosovarët do të lëviznin lirshëm drejt BE-së disa muaj pas formimit të Qeverisë. Një rrugë të tillë të Thaçit e ndoqën edhe politikanët e tjerë.

Të tillë ishin ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kryeministri i tanishëm, Ramush Haradinaj, si dhe ministri i tanishëm i MPJ-së, Behgjet Pacolli, shkruan Zëri.

Mirëpo pavarësisht se as pas 7 vjetëve zotimet për viza ende nuk i ka realizuar, Hashim Thaçi para pak ditësh ofroi një plan krejtësisht tjetër për t’i pajisur qytetarët me viza, duke kërkuar nga Shqipëria që t’ua japë qytetarëve të Kosovës shtetësinë në mënyrë që ata të udhëtojnë lirshëm.

E një gjë të tillë njohësit e proceseve politike e shohin si tentim për ta shfajësuar veten para qytetarëve për dështimin e realizimit të premtimeve të bëra gjatë viteve. Sipas tyre, nuk ka liri të lëvizjes përmes një shteti tjetër.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm
-Advertisement-

Të tjera