Lajme

Hoti: Kuvendi i Kosovës nuk do të drejtohet më nga ata që i fyejnë gratë

Autori: Gazeta inFokus 20:23 | 08 June 2017

Gjatë një bashkëbisedimi me elektoratin dhe qytetarët e Degës së II-të të LDK-së në Prishtinë, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të enjten se pas fitores së koalicionit të djathtë në zgjedhjet e së dielës, Kuvendi i Kosovës nuk do të drejtohet më nga njerëz që i fyejnë gratë në baza gjinore.

“Kuvendi i Kosovës si vatër e demokracisë nuk do të drejtohet pas të dielës nga njerëz që i fyejnë gratë në baza gjinore. Fitorja jonë në zgjedhje do të mundësojë që qeveria dhe kuvendi të drejtohen nga personalitete me integritet dhe respekt për të gjithë qytetarët, sidomos nga ata që kanë respekt të veçantë për gratë, vajzat dhe të rinjtë në përgjithësi”, ka thënë Hoti.

“Vetëm qeverisja jonë, Kosovës ia çel rrugën për integrimet euro-atlantike. Ne kemi zgjidhje për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, pa humbur asnjë pëllëmbë tokë. Ne do t’ua sjellim krejt qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave. Ne do ta krijojmë ushtrinë e Kosovës. Ne kemi miq të fortë që na besojnë ne dhe që duan ta ndihmojnë Kosovën. Prandaj, dilni masivisht në këto zgjedhje, që janë referendum për Kosovën”, ka thënë Hoti.

-Advertisement-

Ai ka thënë të dielën se qytetarët e Prishtinës dhe gjithë Kosovës duhet t’i thonë ndal koalicionit të mistershëm të mesnatës. “Thuani jo atyre që paraqiten ndryshe, nga ata që janë. Alternativën e vetme për Kosovën e keni në numrin 16. Besoj në fitoren e madhe të koalicionit tonë, si në kohën e Ibrahim Rugovës, prandaj mos hezitoni dhe dilni në zgjedhje”, ka thënë Hoti.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se qytetarët e Prishtinës duhet të dalin masivisht të dielën në zgjedhje për të arritur dy fitore të mëdha, e para për ta fituar shumicën në Kuvend dhe e dyta për ta rikthyer Prishtinën.

Mustafë Krasniqi, kryetar i Degës së II-të të LDK-së në Prishtinë, ka thënë se kandidati për kryeministër Avdullah Hoti, gjatë pozitës së tij të nënkryetarit të Prishtinës, së bashku me kryeministrin Mustafa i kanë vënë themelet e zhvillimit të kryeqytetit.

“Me përgatitjen e tij profesionale shpresojmë dhe besojmë se ky sukses do të përsëritet edhe nga qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti në nivel të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera