Lajme

LDK: Valon Prebrezës i japin dorëheqje dy drejtorë të Arsimit për vetëm 11 muaj

Autori: Gazeta inFokus 14:44 | 27 November 2026

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Fushë Kosovë, ka reaguar pas dorëheqjes së drejtorit të Arsimit, Sabri Xhigoli, vetëm katër muaj pas emërimit të tij në këtë pozitë, shkruan Gazeta Infokus.

Sipas LDK-së, kjo është dorëheqja e dytë në Drejtorinë e Arsimit brenda vetëm 11 muajve të qeverisjes së Valon Prebrezës.

Dorëheqja e Xhigolit, sipas LDK-së, erdhi pasi kryetari i komunës i kërkoi pezullimin e drejtorit të shkollës, Amir Pllana, për shkak të numrit të vogël të pjesëmarrësve në një aktivitet të organizuar për nder të 28 Nëntorit, ndonëse organizimi ishte bërë nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

-Advertisement-

Për këtë rast, Gazeta Infokus kishte raportuar paraprakisht, duke bërë të ditur se Xhigoli nuk ishte pajtuar me kërkesën e Prebrezës për ndëshkimin e drejtorit të gjimnazit.

LDK-ja ka ngritur shqetësime edhe për Drejtorinë e Pronës, e cila, sipas kësaj partie, vazhdon të mbetet pa drejtues të ri prej më shumë se dy muajsh, pas arrestimit të drejtorit nga radhët e Vetëvendosjes.

Sipas LDK-së, këto zhvillime ngrenë pikëpyetje serioze për mënyrën e menaxhimit të drejtorive komunale dhe presionin politik ndaj drejtuesve të tyre.

“Komunës i duhen drejtorë që punojnë dhe marrin përgjegjësi, jo drejtorë që qëndrojnë në detyrë vetëm për aq kohë sa gëzojnë miratimin e Kryetarit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Reagimi i plotë:

DORËHEQJA E DYTË NË DREJTORINË E ARSIMIT BRENDA 11 MUAJVE TË QEVERISJES!
Drejtori i Arsimit, Sabri Xhigoli, ka dhënë dorëheqje vetëm katër muaj pas emërimit të tij, pas situatës së krijuar dje nga Kryetari i Komunës, i cili i kërkoi pezullimin e drejtorit të shkollës Amir Pllana për shkak të numrit të vogël të pjesëmarrësve në një aktivitet të organizuar për nder të 28 Nëntorit. Ani pse këtë e organizoi Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.
Kjo është dorëheqja e dytë në Drejtorinë e Arsimit brenda vetëm 11 muajve të qeverisjes.
Ndërkohë, pas arrestimit të Drejtorit të Pronës nga radhët e VV-së, kjo drejtori vazhdon të mbetet pa drejtues të ri, tash e mbi dy muaj. Pra, një tjetër institucion komunal që vazhdon të funksionojë pa udhëheqje të emëruar.
Këto zhvillime ngrenë një çështje serioze për mënyrën se si po menaxhohen drejtoritë komunale. Në vend që prioritet të jetë puna, përgjegjësia dhe realizimi i projekteve në interes të qytetarëve, po krijohet një klimë ku drejtorët duket se duhet të veprojnë nën kontroll të vazhdueshëm dhe presion politik.
Komunës i duhen drejtorë që punojnë dhe marrin përgjegjësi, jo drejtorë që qëndrojnë në detyrë vetëm për aq kohë sa gëzojnë miratimin e Kryetarit./Gazeta Infokus

Kush po e Feston Ditëlindjen në Krejt Kosovën?!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy