Ekonomi

Fermerët vendorë i “shkel” importi – 50 milion kilogram qumësht e produkte të tij erdhën në Kosovë vetëm brenda këtij viti – ndikim pati edhe një vendim i Armend Mujës

Autori: Gazeta inFokus 11:19 | 24 November 2026

Miliona kilogram qumësht e produkte të tij po importohen në Kosovë derisa prodhuesit kosovarë shpeshherë detyrohen ta derdhin atë.  Kështu Kosova vazhdon të dominohet nga importi i qumështit në masë tejet të madhe nga vendet e rajonit dhe të Evropës, shkruan Gazeta Infokus.

Importi i këtyre produkteve Kosovës po i kushton miliona euro. Sipas të dhënave të doganës për periudhën nga 1 janari deri më 4 nëntor 2026, Kosova ka importuar gjithsej 47,830,822 kilogramë qumësht dhe produkte të qumështit, në vlerë prej 73,285,696 eurosh.

Hulumtimi i Gazetës Infokus, i bazuar në të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës, zbulon se Sllovenia është vendi prej nga Kosova ka importuar sasinë më të madhe të qumështit dhe produkteve të tij gjatë vitit 2026.

-Advertisement-

10 shtetet nga të cilat Kosova importon më së shumti qumësht dhe produkte të tij

Sipas të dhënave doganore, nga 1 janari deri më 4 nëntor 2026, Kosova ka importuar nga Sllovenia gjithsej 17,102,398 kilogramë qumësht dhe produkte të qumështit, në vlerë prej 13,464,697 eurosh.

Pas Sllovenisë renditet Gjermania, nga e cila janë importuar 7,826,673 kilogramë, në vlerë prej 23,847,685 eurosh.

Megjithëse sasia e importuar nga Gjermania është dukshëm më e vogël sesa ajo nga Sllovenia, vlera e importeve gjermane është rreth 10.4 milionë euro më e lartë.

Në vendin e tretë renditet Bosnja dhe Hercegovina, nga e cila Kosova ka importuar 4,964,269 kilogramë, në vlerë prej 3,919,318 eurosh.

Shqipëria renditet e katërta, me 4,015,388 kilogramë qumësht dhe produkte të tij, në vlerë prej 2,510,244 eurosh.

Ndërkaq, Hungaria është vendi i pestë për nga sasia e importuar, me 3,911,301 kilogramë, në vlerë prej 4,240,248 eurosh.

Të dhënat e Doganës tregojnë se edhe Maqedonia e Veriut ka një prani të konsiderueshme në tregun kosovar të qumështit.

Nga ky shtet, gjatë periudhës së analizuar të vitit 2026, janë importuar 3,488,330 kilogramë, në vlerë prej 4,285,703 eurosh

Pas saj renditet Polonia, me 1,724,308 kilogramë, në vlerë prej 3,737,591 eurosh.

Në listën e vendeve nga të cilat Kosova importon qumësht dhe produkte të tij bëjnë pjesë edhe Greqia, Austria dhe Italia.

Nga Greqia janë importuar 755,524 kilogramë, në vlerë prej 2,073,776 eurosh, ndërsa nga Austria 623,270 kilogramë, në vlerë prej 3,037,835 eurosh.

Italia, ndërkaq, ka eksportuar drejt Kosovës 498,300 kilogramë qumësht dhe produkte të tij, në vlerë prej 3,178,204 eurosh.

Sllovenia printe edhe gjatë vitit 2025

Të dhënat doganore tregojnë se Sllovenia ishte furnizuesi kryesor i Kosovës edhe gjatë vitit 2025.

Gjatë atij viti, nga Sllovenia ishin importuar 17,625,443 kilogramë qumësht dhe produkte të tij, në vlerë prej 14,499,064 eurosh.

Gjermania renditej e dyta, me 10,101,836 kilogramë, në vlerë prej 32,072,240 eurosh.

Në vendin e tretë ishte Hungaria, me 6,120,174 kilogramë, ndërsa Shqipëria renditej e katërta me 5,169,523 kilogramë.

Bosnja dhe Hercegovina ishte e pesta, me 4,265,197 kilogramë.

Në total, gjatë gjithë vitit 2025, Kosova kishte importuar 53,366,258 kilogramë qumësht dhe produkte të qumështit, në vlerë prej 89,806,519 eurosh.

Importi në rritje dhe sfidat për prodhuesit vendorë

Gazeta Infokus kishte raportuar më herët se vetëm gjatë periudhës qershor–tetor 2026, importi i qumështit dhe produkteve të tij në Kosovë ishte rritur për mbi 3.2 milionë kilogramë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Kjo rritje ishte regjistruar pas masave të paralajmëruara nga ministri i Bujqësisë, Armend Muja, për mbrojtjen e prodhimit vendor dhe rregullimin e përdorimit të qumështit pluhur dhe vajit të palmës në industrinë e përpunimit.

Të dhënat për vendet e origjinës tregojnë se tregu kosovar furnizohet me sasi të konsiderueshme të qumështit dhe produkteve të tij nga jashtë, ndërsa çështja e konkurrencës me prodhuesit vendorë vazhdon të mbetet në qendër të debatit për sektorin e qumështit. /Gazeta Infokus/

Këto janë shifrat alarmante – vendimi i Armend Mujës që rriti importin e qumështit dhe po shkatërron prodhuesit e përpunuesit vendorë

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy