Lajme

Lista Studentore e ftuar në Forumin për Zgjerimin në Bruksel, Baucal flet për rivendosjen e marrëdhënieve me fqinjtë

Autori: Gazeta inFokus 17:41 | 16 November 2026

Përfaqësuesit e Listës Studentore që i fitoi zgjedhjet në Serbi po marrin pjesë sot në Forumin Europian për Zgjerimin në Bruksel, ndërsa pasdite iu drejtua të pranishmëve edhe përfaqësuesi i këtij subjekti politik, Aleksandar Baucal.

Fjalimi i Baucalit u përmbyll me duartrokitje dhe ovacione nga të pranishmit, tha koordinatorja serbe e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, Bojana Selakoviq, duke shpërndarë një video-incizim.

Përfaqësuesi i Listës Studentore, Aleksandar Baucal, deklaroi në Bruksel se ndryshimi i pushtetit përmes mjeteve joviolente dhe demokratike është vetëm hapi i parë dhe se Serbinë tani e pret detyra e rindërtimit të institucioneve që do ta parandalojnë personalizimin e pushtetit dhe do t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve, pavarësisht se për kë kanë votuar.

-Advertisement-

“Jam i bindur se, që nga tani, lajmet që vijnë nga Serbia do të jenë kryesisht pozitive”, tha Baucal në Forumin për Zgjerimin e BE-së në Bruksel, raportoi agjencia serbe e lajmeve Beta.

Ai tha se gjatë ditëve të fundit, në takimet me partnerët ndërkombëtarë, janë parashtruar kryesisht tri pyetje: si është arritur fitorja zgjedhore, cili është plani për periudhën e ardhshme dhe nëse Serbia do të mbetet në rrugën europiane.

Sipas tij, besimi nuk ndërtohet vetëm përmes marrëveshjeve dhe bisedimeve politike, por edhe përmes zgjidhjes së përbashkët të problemeve konkrete.

Duke folur për planet për periudhën e ardhshme, Baucal tha se Lista Studentore, edhe para shpalljes së zgjedhjeve, kishte miratuar programin për “ditën pas”.

Ai theksoi se qëllimi kryesor është ndërtimi i Serbisë si një shtet i mirëorganizuar, modern, europian dhe demokratik, me të cilin do të krenohen të gjithë qytetarët.

Ndër prioritetet, ai përmendi rikthimin e sundimit të ligjit, krijimin e institucioneve funksionale, mbrojtjen e lirisë së medias dhe reformimin e administratës publike.

Baucal tha se Serbia, në politikën e jashtme, do të përpiqet ta rikthejë kredibilitetin, përgjegjësinë dhe parashikueshmërinë, me theks të veçantë në rivendosjen e marrëdhënieve me shtetet fqinje.

Duke folur për integrimin europian, ai vlerësoi se rruga europiane e Serbisë është para së gjithash rrugë e reformave, forcimit të vlerave europiane, ndërtimit të institucioneve funksionale dhe vendosjes së sundimit të vërtetë të ligjit.

“Duam që Serbia të jetë partnere e besueshme dhe me kredibilitet për Bashkimin Europian dhe fqinjtë tanë”, tha Baucal.

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy