DETAJE TË REJA: Mburreshin për “çmimin e lartë” – del që AKP-ja pronën për babain e Valon Ramadanit e shiti me çmimin më të ulët nga 6 prona në Ferizaj në 2025-ën
Autori: Hateme Smajli
16:17 | 16 November 2026
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e cila kishte arsyetuar shitjen direkte të një prone në Ferizaj duke iu referuar çmimit të saj, rezulton se pikërisht atë pronë ia kishte shitur me çmimin më të ulët për metër katror në mesin e gjashtë shitjeve direkte të vitit 2025, të analizuara nga Gazeta Infokus në këtë qytet. Bëhet fjalë për pronën prej 2 mijë e 524 metrash katrorë, që iu shit Hysni Ramadanit, babait të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, dhe Shaban Aliut, bashkëpronar i kompleksit luksoz “Panorama Residence” në Ferizaj.
Për këtë pronë, e cila sipas hulumtimit të mëhershëm të Gazetës Infokus ishte rrugë, AKP-ja kishte miratuar shitjen direkte për 302 mijë e 880 euro, apo vetëm 120 euro për metër katror.
Megjithëse shuma e përgjithshme e transaksionit tejkalonte 300 mijë euro, krahasimi me pesë shitjet e tjera direkte të analizuara në Ferizaj tregon se prona e blerë nga babai i deputetit të LVV-së dhe Shaban Aliu kishte çmimin më të ulët për metër katror.
Këto të dhëna dalin nga dokumentet që Gazeta Infokus ka siguruar nga AKP-ja, në kuadër të 54 shitjeve direkte të vitit 2025.
Mbi 2 mijë e 500 metra katrorë rrugë për 120 euro metri katror
Gazeta Infokus kishte raportuar më herët për shitjen e pronës në Zonën Kadastrale të Nekodimit, në Ferizaj, duke zbuluar se bëhej fjalë për një sipërfaqe që kishte funksion rrugor dhe që përmes shitjes direkte kishte kaluar në pronësi private.
Sipas vendimit BD-217/40, të miratuar më 29 janar 2025, AKP-ja kishte vendosur që ngastra me numër 410-0, me sipërfaqe prej 2 mijë e 524 metrash katrorë, t’u shitej Hysni Ramadanit dhe Shaban Aliut.
Çmimi i përgjithshëm ishte 302 mijë e 880 euro, që i bie saktësisht 120 euro për metër katror.
Hysni Ramadani është babai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, ndërsa Shaban Aliu, sipas raportimeve të mëhershme të Infokusit, është bashkëpronar i kompleksit rezidencial “Panorama Residence”.
Në këtë zonë, ku është ndërtuar një prej komplekseve luksoze të Ferizajt, vilat me sipërfaqe mbi 250 metra katrorë janë ofruar me çmime që afrojnë gjysmë milioni euro, apo deri në rreth 1 mijë e 700 euro për metër katror.
Megjithatë, çmimet e vilave të ndërtuara nuk janë drejtpërdrejt të krahasueshme me çmimin e tokës, pasi përfshijnë edhe vlerën e ndërtimeve dhe investimeve.
Ajo që tashmë del nga krahasimi i dokumenteve të AKP-së është se prona e shitur për Ramadanin dhe Aliun ka pasur çmim më të ulët për metër katror se pesë pronat e tjera të përfshira në këtë analizë.
Pesë pronat e tjera u shitën nga 144 deri në 200 euro për metër katror
Në pesë vendimet e tjera të shitjes direkte në Ferizaj, çmimet kanë lëvizur nga 144 deri në 200 euro për metër katror.
Përmes vendimit BD-217/31, AKP-ja ia ka shitur Arton Mirditës një sipërfaqe prej 256 metrash katrorë tokë, me çmim prej 160 eurosh për metër katror, apo gjithsej 40 mijë e 960 euro.

Me të njëjtin çmim është shitur edhe prona prej 519 metrash katrorë për Zyrafete Hysiqin, e cila ka paguar gjithsej 83 mijë e 40 euro.

Po 160 euro për metër katror ka qenë çmimi edhe për Kjani dhe Nadire Haxhimusën, të cilëve AKP-ja u ka shitur 331 metra katrorë tokë për 52 mijë e 960 euro.

Ndërkaq, Faruk dhe Xhelal Lipovica kanë blerë një sipërfaqe prej 369 metrash katrorë për 53 mijë e 136 euro, apo 144 euro për metër katror.

Çmimi më i lartë për metër katror në mesin e këtyre gjashtë shitjeve është regjistruar në rastin e Enis Ejupit.
Atij i janë shitur 417 metra katrorë tokë për 83 mijë e 400 euro, apo 200 euro për metër katror.

Kështu, ndërsa prona e blerë nga Hysni Ramadani dhe Shaban Aliu është shitur për 120 euro metri katror, prona e blerë nga Enis Ejupi ka kushtuar 80 euro më shumë për çdo metër katror.

Tri prona në Ferizaj me çmim të njëjtë si në Prishtinë
Një tjetër element që bie në sy nga analiza është se tri prej gjashtë shitjeve direkte në Ferizaj janë realizuar me çmim prej 160 eurosh për metër katror.
Pikërisht këtë çmim AKP-ja e kishte aplikuar edhe në shumicën e shitjeve direkte në Prishtinë, për të cilat Gazeta Infokus kishte raportuar më herët.
Në hulumtimin për kryeqytetin, Infokus kishte zbuluar se AKP-ja, përmes 17 vendimeve të Bordit të Drejtorëve, kishte miratuar shitjen direkte të 18 ngastrave kadastrale.
Në 16 prej këtyre vendimeve, çmimi ishte 160 euro për metër katror, ndërsa në një vendim tjetër, që përfshinte dy ngastra, çmimi ishte rreth 127 euro për metër katror.
Gazeta Infokus kishte identifikuar përmes Gjeoportalit të Kosovës disa prej këtyre ngastrave në lagjen Emshir të Prishtinës.
Kështu, dokumentet tregojnë se AKP-ja ka aplikuar çmime të njëjta për metër katror në disa shitje direkte në Ferizaj dhe në kryeqytet, pavarësisht se bëhet fjalë për prona në lokacione të ndryshme.
Për të vlerësuar nëse çmimet kanë qenë në përputhje me tregun, nevojiten vlerësimet individuale të pronave dhe të dhënat për destinimin e tyre.
Gjashtë shitje direkte, mbi 616 mijë euro
Në total, gjashtë vendimet e shitjeve direkte të analizuara nga Gazeta Infokus për Ferizajn gjatë vitit 2025 përfshijnë 4 mijë e 416 metra katrorë tokë, me vlerë të përgjithshme prej 616 mijë e 376 eurosh.
Nga këto, pesë vendime kanë të bëjnë me prona të ndërmarrjes shoqërore “Pasuria Bujqësore”, ndërsa njëri me ndërmarrjen shoqërore “Tefik Çanga”.
Katër vendime janë miratuar më 29 janar 2025, ndërsa dy të tjera më 16 maj të po atij viti.
Prona me çmimin më të ulët për metër katror në këtë grup mbetet ajo në Nekodim, e shitur për 120 euro metri katror Hysni Ramadanit dhe Shaban Aliut.
Ndërsa në raportimin e mëhershëm për këtë rast ishte vënë në pah çmimi i përgjithshëm i shitjes, dokumentet e tjera të siguruara nga Gazeta Infokus tregojnë se, kur krahasohet çmimi për metër katror, prona e blerë nga babai i deputetit të LVV-së rezulton më e lira nga gjashtë shitjet direkte të analizuara në Ferizaj gjatë vitit 2025.
/Gazeta Infokus

T� tjera
-
Trump fajëson teknologjinë e vjetër për kaosin në aeroportet amerikane: “Pati një sulm në zemër”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka fajësuar paj...
-
Kënga serbe për Kosovën në Bruksel, Rama: S’e di nëse ishte e qëllimshme apo nga padija, por ishte fyerje e rëndë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kritikoi interpretimin e një kënge nacio...
-
Pamje të tmerrshme nga tuneli në Lismir: Komuna e Fushë Kosovës akuzohet se e dëmtoi, tani mbushet me ujë sa herë bie shi
Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Komunën e Fushë Kosovës,...
-
“Kështu është kur mbetesh pa miq e aleatë”, Rrezarta Krasniqi reagon për këngën serbe kundër Kosovës në një forum të BE-së
Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, ka r...
-
Gruaja në Bordin e BQK-së e burri në TEB, mbi 127 mijë euro të hyra nga pagat e bonuset e majme
Në Kosovë, një nga vendet më të varfra të kontinentit evropian, të cilën e qe...
-
Presidentja takohet me ambasadoren e Izraelit, në fokus bashkëpunimi mes dy vendeve
Presidentja Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Izraelit n...
-
KPM nuk miraton rekomandimin për vërejtje ndaj TV Dukagjinit për emisionin “Debat Plus”
Komisioni i Pavarur për Media (KPM), lidhur me rastin e Televizionit Dukagjin...
-
Komisioni Evropian distancohet edhe me “shkrim” për melodinë nacionaliste kundër Kosovës: Na vjen keq për zgjedhjen e grupit muzikor
Komisioni Europian ka shprehur keqardhje për interpretimin e këngës nacionali...
-
Eurodeputeti: Kosova meriton respekt të plotë, meloditë nacionaliste në Forumin e Zgjerimit minojnë frymën e pajtimit rajonal
Deputeti i Parlamentit Europian, Ilhan Kyuchyuk i ka dalë në mbështetje Kosov...
-
26-vjeçarja që u arrestua për drogë me Astrit Haraqijën, motra e ish-kandidates për deputete
Kjo grua që po hyn në objektin e Gjykatës në Prishtinë, është një nga gjashtë...
-
Rama njofton se është anuluar takimi në Athinë për “Prishtina 2030”: Kurti dhe Qeveria duhet të japin llogari
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se është anuluar takimi në A...
-
Hykmete Bajrami akuzon Qeverinë për kapjen e ZRRE-së dhe KOSTT-it: Sot tregoi kujt i ka shërbyer për 7 vjet
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar...
































