“I forti i pushtetit”, Luan Dalipi – nga pasuria milionëshe, tenderët e kompanisë së vëllait e takimi me njeriun e Ramës, deri te “shqelmi” i fundit
Autori: Gazeta inFokus
13:42 | 13 November 2026
Për më shumë se pesë vjet, Luan Dalipi ishte një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit Albin Kurti. Nga shef i stafit të kryeministrit, ai kaloi në krye të Agjencisë për Investime dhe Eksport, ndërsa emri i tij u përmend vazhdimisht në raportime për tenderë publikë, pasuri milionëshe, dyshime për konflikt interesi dhe përfshirjen e kompanisë së vëllait në tregun e energjisë elektrike.
Tani, vetëm pak muaj pas marrjes së pozitës së re, Dalipi raportohet se është larguar edhe nga drejtimi i Agjencisë për Investime dhe Eksport.
Gazeta Nacionale raportoi këtë të premte, më 13 nëntor 2026, se largimi është bërë me direktiva të kryeministrit Kurti. Arsyet mbeten të panjohura, pasi as Qeveria dhe as Dalipi nuk kanë dhënë sqarime publike.
Ky zhvillim vjen vetëm gjashtë ditë pasi Gazeta Infokus publikoi fotografi të takimit të Dalipit me Vllaznim Osmanin, ish-shefin e kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Por historiku i Dalipit në raport me pushtetin, biznesin dhe institucionet publike është shumë më i gjatë.
Nga kompania private te aktakuza për tenderin dy milionë eurosh
Para hyrjes në Qeveri, Dalipi ishte bashkëthemelues i kompanisë Management & Development Associates (MDA), e themeluar në vitin 2004, që merrej me konsulencë, zhvillim ekonomik dhe menaxhim projektesh.
Sipas raportimeve, ai kishte qenë aksionar deri në vitin 2017, ndërsa kompania më vonë u drejtua nga vëllai i tij, Driton Dalipi.
Më 11 janar 2017, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Dalipit dhe ish-zyrtarit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Xhemajl Syla, lidhur me një tender të financuar nga Bashkimi Evropian, me vlerë rreth dy milionë euro.
Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2013 ishin shkëmbyer informacione dhe dokumente të brendshme që dyshohej se mund t’i krijonin përparësi kompanisë MDA.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e hodhi poshtë akuzën ndaj Dalipit, duke mos gjetur bazë të mjaftueshme për vazhdimin e ndjekjes penale.
Kontrata qindra mijëra euro edhe para ardhjes së VV-së në pushtet
Në prill 2022, Front Online raportoi për një kontratë të MDA-së me Ministrinë e Integrimit Evropian, të lidhur në vitin 2012, gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit.
Kontrata fillestare ishte 375 mijë euro dhe përfshinte aktivitete promovuese e informuese.
Sipas dokumenteve të publikuara, vlera ishte tejkaluar për mbi 190 mijë euro, duke e çuar shumën e raportuar në mbi 565 mijë euro.
Viti 2020 – Dalipi bëhet një prej njerëzve kryesorë të Kurtit
Më 21 shkurt 2020, Albin Kurti e emëroi Luan Dalipin shef të stafit të kryeministrit.
Në këtë pozitë, ai kishte rol në koordinimin e kabinetit, komunikimin me ministritë dhe përcjelljen e zbatimit të politikave qeveritare.
Dalipi e ushtroi këtë detyrë gjatë Qeverisë Kurti I dhe u rikthye në të njëjtin funksion gjatë Qeverisë Kurti II, të formuar në mars 2021.
Pasuria e deklaruar në vitin 2020
Në gusht 2020, Infokusi kishte raportuar për deklarimin e pasurisë së Dalipit në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Ai kishte deklaruar një shtëpi me tokë, në pronësi të bashkëshortes, me vlerë rreth 650 mijë euro, banesë prej 107 mijë eurosh, bodrum, garazh dhe një veturë Mercedes prej rreth 50 mijë eurosh.
Në llogari bankare kishte deklaruar mbi 12 mijë euro, ndërsa nuk kishte raportuar kredi apo borxhe.
Konsulent në MDA ndërkohë që ishte shef i stafit të kryeministrit
Në korrik 2022, Buletini Ekonomik raportoi se Dalipi kishte deklaruar 6 mijë euro të ardhura për vitin 2021 nga angazhimi si konsulent në MDA.
Kjo periudhë përkonte me detyrën e tij si shef i stafit të kryeministrit, duke ngritur pikëpyetje për përputhshmërinë e angazhimit privat me kufizimet ligjore për zyrtarët publikë.
Viti 2023 – AKP-ja i jep tender 67 mijë euro kompanisë së vëllait
Në korrik 2023, Gazeta Nacionale raportoi se Agjencia Kosovare e Privatizimit i kishte dhënë kompanisë MDA një tender prej rreth 67 mijë eurosh për shërbime marketingu, dizajni, videoproduksioni dhe publikimi.
Kompania ishte në pronësi të Driton Dalipit, ndërsa Luan Dalipi vazhdonte të ishte shef i stafit të Kurtit.
Driton Dalipi kundërshtoi pretendimet për favorizim, duke deklaruar se kompania kishte ofertuar me çmimin më të ulët dhe se përzgjedhjen e kishte bërë komisioni i AKP-së.
Komuna e Përparim Ramës i jep afro 390 mijë euro grupit ku bënte pjesë MDA
Më 20 dhjetor 2023, u raportua se Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Përparim Rama, kishte lidhur kontratë prej 389,754 eurosh me një grup operatorësh ku bënte pjesë MDA.
Kontrata lidhej me shërbime për Parkun Industrial në Prishtinë, ndërsa në grup përfshiheshin MDA dhe Abkanos.
Në atë kohë, Dalipi ishte një prej njerëzve më të afërt të Kurtit, ndërsa Rama ishte në përplasje politike me Vetëvendosjen.
Megjithatë, kontrata ishte lidhur me një grup operatorësh dhe nuk dihet sa nga vlera e përgjithshme i takoi MDA-së.
Sa vlejnë kontratat e identifikuara publikisht të MDA-së?
Hiç më pak se 27 milionë euro qarkullim.
Këto janë shifrat që vetë Luan Dalipi i kishte bërë publike për kompaninë e vëllait të tij.
“MDA është një kompani private me 20+ vite përvojë, ne pronësi 100% dhe e drejtuar nga Dritoni – jo nga unë. Nga viti 2004 deri në 2024, MDA ka qarkulluar 27 milionë euro, ka paguar 1.5 milionë euro taksa, dhe ka pasur mbi 500 punonjës të angazhuar në kohë të ndryshme, në qindra projekte”, kishte shkruar Dalipi, duke mohuar se ishte pronar i kompanisë.
Megjithatë, sipas raportimeve të mëhershme, ai kishte qenë bashkëthemelues dhe aksionar i MDA-së deri në vitin 2017.
Nga raportimet për periudhën 2023–2025 rezultojnë të paktën katër kontrata publike: rreth 67 mijë euro nga AKP-ja, 389,754 euro nga Komuna e Prishtinës, 58,997 euro nga Ministria e Mbrojtjes dhe 13,979 euro nga KQZ-ja.
Vlera e përgjithshme e tyre arrin rreth 530 mijë euro.
Me kontratën fillestare prej 375 mijë eurosh të vitit 2012, vlera e kontratave të identifikuara kalon 900 mijë euro, pa përfshirë tejkalimin e raportuar prej mbi 190 mijë eurosh.
Megjithatë, kontrata e Prishtinës ishte me grup operatorësh, ndërsa mbetet e paqartë sa nga qarkullimi i deklaruar prej 27 milionë eurosh ka ardhur nga tenderët publikë, grantet, donatorët ndërkombëtarë apo aktivitetet private.
Viti 2024 – Ministria e Mbrojtjes i jep tender kompanisë së vëllait
Në tetor 2024, MDA fitoi një tjetër kontratë publike, kësaj radhe nga Ministria e Mbrojtjes, në vlerë prej 58,997 eurosh.
Kontrata parashihte shërbime marketingu dhe marrëdhënie me publikun për fushatën e rekrutimit të pjesëtarëve të rinj të FSK-së.
Sipas raportimeve, kishin konkurruar shtatë kompani. Oferta e MDA-së ishte më e lira, ndërsa ajo më e shtrenjta arrinte në 77,450 euro.
Personi kontaktues i kompanisë fituese ishte Driton Dalipi.
Infokusi publikoi pasurinë mbi 1.28 milionë euro të Dalipit
Më 28 prill 2025, Gazeta Infokus raportoi se Luan Dalipi dhe bashkëshortja kishin deklaruar pasuri mbi 1 milion e 284 mijë euro.
Në deklarim përfshiheshin një shtëpi prej 950 mijë eurosh, banesë prej 110 mijë eurosh, depo prej 6 mijë eurosh dhe garazh prej 3,200 eurosh.
Dalipi kishte deklaruar një Mercedes-Benz prej 30 mijë eurosh, ndërsa bashkëshortja një veturë prej 8,500 eurosh. Kursimet bankare të çiftit kalonin 61 mijë euro.
Nga Zyra e Kryeministrit, Dalipi kishte deklaruar pagë vjetore prej 15,275 eurosh dhe 4,807 euro mëditje për udhëtime zyrtare.
Bashkëshortja kishte deklaruar rreth 35 mijë euro të ardhura vjetore nga United Hospital, laboratori Biohit dhe klinika kroate A. Haxhiu.
Viti 2025 – MDA hyn në tregun e energjisë elektrike
Më 30 maj 2025, Gazeta Infokus raportoi për kompanitë që po hynin në tregun e liberalizuar të energjisë, përfshirë MDA-në, e cila kishte aplikuar për licencë për shitblerje të energjisë elektrike.
Infokusi raportoi edhe për licencimin e VOLTKOS S dhe njohjen e licencës së AI EnergyX – Dega në Kosovë.
Në të njëjtën periudhë, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ngriti akuza lidhur me përfshirjen e kompanisë së vëllait të Dalipit në këtë sektor.
Dalipi i kundërshtoi akuzat, duke deklaruar se MDA ishte në pronësi të plotë të vëllait të tij dhe se aplikimi ishte bërë ligjërisht.
Më 10 korrik 2025, ZRRE miratoi licencimin e MDA-së për tregtim me shumicë të energjisë elektrike.
Edhe KQZ-ja i jep kontratë kompanisë MDA
Në korrik 2025, MDA fitoi një kontratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për prodhimin e video-spoteve dhe radio-spoteve informuese për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Kontrata ishte në vlerë prej 13,979 eurosh.
Sipas raportimit të 30 korrikut, procedura ishte e hapur dhe MDA kishte ofertuar me çmimin më të ulët në mesin e katër ofertuesve të përgjegjshëm.
Shkurti 2026 – Dalipi largohet nga kabineti i Kurtit
Në shkurt 2026, pas më shumë se pesë vjetësh në krah të Albin Kurtit, Dalipi njoftoi largimin nga pozita e shefit të stafit.
Ai e përshkroi angazhimin si një përvojë të rëndësishme profesionale dhe personale, duke falënderuar kryeministrin dhe bashkëpunëtorët.
Por largimi nga kabineti nuk shënoi fundin e angazhimit të tij në institucionet shtetërore.
Nga kabineti politik në krye të Agjencisë për Investime dhe Eksport
Në qershor 2026, Dalipi u shpall fitues i konkursit për drejtor ekzekutiv të Agjencisë për Investime dhe Eksport, me 80.6 pikë, kundrejt 73.8 pikëve të kandidatit Alban Maliqi.
Në testin me shkrim, Dalipi kishte marrë 24 pikë, ndërsa Maliqi 29. Por në intervistë, Dalipi u vlerësua me 56.6 pikë, kundrejt 44.8 pikëve të Maliqit.
Rezultatet ngritën pikëpyetje për procesin e përzgjedhjes dhe konfliktin e mundshëm të interesit, duke pasur parasysh pozitën e mëhershme të Dalipit në kabinetin e Kurtit.
Ai i kundërshtoi dyshimet, duke deklaruar se nuk kishte pasur kompetenca mbikëqyrëse administrative ndaj agjencisë.
Raportimet për emërime të personave të afërt me Dalipin
Në nëntor 2026, Gazeta Nacionale raportoi se Fitore Dalipi, e afërme familjare e Luan Dalipit, ishte emëruar sekretare e dytë në Ambasadën e Kosovës në Berlin.
Sipas raportimit, emërimi ishte bërë me nënshkrimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
7 nëntor 2026 – Infokusi publikon pamjet e takimit me njeriun e Përparim Ramës
Më 7 nëntor, Gazeta Infokus publikoi pamje të Luan Dalipit dhe Vllaznim Osmanit, ish-shefit të kabinetit të Përparim Ramës, duke pirë birra në një restorant në Marigona Hill.
Takimi ndodhi në kulmin e përplasjeve politike ndërmjet Vetëvendosjes dhe Ramës.
Vetëm katër ditë më parë, deputeti Ilir Kërçeli dhe asamblisti Gëzim Sveçla kishin dorëzuar në Prokurorinë Speciale materiale për dyshime lidhur me kontratat e Komunës së Prishtinës.
Një prej çështjeve ishte projekti i ndriçimit publik inteligjent, me vlerë rreth 10 milionë euro, për të cilin VV ngriti pretendime për çmime të fryra.
Rama i kundërshtoi akuzat, duke deklaruar se çmimet përfshinin materialet, transportin, instalimin, TVSH-në dhe mirëmbajtjen, ndërsa akuzoi Qeverinë për bllokim të projekteve të kryeqytetit.
Takimi tërhoqi vëmendje edhe për shkak të kontratës prej afro 390 mijë eurosh që Komuna e Prishtinës kishte lidhur në vitin 2023 me grupin e operatorëve ku përfshihej MDA.
Megjithatë, qëllimi i takimit nuk është konfirmuar dhe nuk ka dëshmi se ai lidhej me kontratat publike apo zhvillimet politike.
Gjashtë ditë pas raportimit, Dalipi largohet nga pozita në AIE
Vetëm gjashtë ditë pas raportimit të Infokusit, Gazeta Nacionale raportoi se Luan Dalipi është larguar nga pozita e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Investime dhe Eksport.
Sipas kësaj mediaje, largimi ishte bërë me direktiva të kryeministrit Albin Kurti.
Megjithatë, nuk janë publikuar arsyet e vendimit dhe as ndonjë dokument zyrtar që sqaron nëse bëhet fjalë për shkarkim, dorëheqje apo formë tjetër të largimit.
Nuk ka as prova që e lidhin largimin me takimin e Dalipit dhe Osmanit.
Në mungesë të sqarimeve nga Qeveria dhe vetë Dalipi, mbetet e paqartë se çfarë çoi në largimin e ish-bashkëpunëtorit të ngushtë të Kurtit nga pozita e fundit./Gazeta Infokus

T� tjera
-
Mbi 1 miliard euro për rrymën e importuar, Ramadani: Me këto para do të ishte ndërtuar një termocentral i ri
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për varë...
-
Rënie drastike e temperaturave të shtunën
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka parashikuar mot kryesisht të...
-
Ardian Gola: Të mos ngatërrojmë pozitën me meritën dhe titullin me dijen
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, ka ndarë një reflektim mbi ve...
-
S’ka kuorum për votimin e rezolutës së propozuar nga deputetja Jashari
Kuvendi i Kosovës është kthyer për t’i vazhduar punimet e seancës, e cila u n...
-
ÇMIME QË NUK BESOHEN! Comodita Home sjell oferta të jashtëzakonshme për Black Friday, me zbritje deri në 75%!
Black Friday këtë vit vjen me oferta të jashtëzakonshme në Comodita Home! Bre...
-
Byroja, Reshitaj: Do të vijë dita për të kuptuar kush e keqpërdori shtetin – do të zhgënjeheni!
Deputetja e LDK-së, Albena Reshitaj, ka reaguar pasi presidentja e vendit e k...
-
Presidentja e Bullgarisë i dërgon letër urimi Presidentes Shiroka Pula, rikonfirmon mbështetjen e tyre për Kosovën
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga P...
-
Microsoft njofton përmirësim të shërbimeve pas ndërprerjes globale, miliona përdorues 18 orë pa akses
Microsoft ka njoftuar se po shënon përparim në rikthimin e shërbimeve pas një...
-
Një muaj arrest shtëpiak për zyrtarin e arkivit që dyshohet për keqpërdorim detyre
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për një...
-
Nëse ia mësyeni Shqipërisë, ky do të jetë moti në vikend
Moti në Shqipëri do të vazhdojë të jetë i paqëndrueshëm gjatë fundjavës, në t...
-
Inspektorati Qendror i Punës ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Drenas për shkak të shkeljes së masave të sigurisë
Gjatë inspektimit në një objekt ndërtimi në komunën e Drenasit, inspektorët e...
-
Presidentja dekretoi ligjin për Byronë, reagon Gërvalla: Shumë e lumtur
Ministrja Donika Gërvalla është shprehur ‘’shumë e lumtur’’ pasi që president...

































