Lajme

Çmimi i naftës bie edhe më tej në bursat ndërkombëtare, në Kosovë lirimi po reflektohet ngadalë

Autori: Gazeta inFokus 18:56 | 10 November 2026

Çmimet e naftës kanë shënuar rënie të ndjeshme në bursat ndërkombëtare të marten (sot), duke zbritur në nivelet më të ulëta që nga fundi i gushtit.

Nafta Brent, që shërben si pikë referimi për tregjet ndërkombëtare, ra me 2.92 dollarë, ose 3.15%, duke u tregtuar me 89.65 dollarë për fuçi.

Ndërkohë, nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) pësoi rënie prej 2.33 dollarësh, ose 2.68%, duke arritur në 84.52 dollarë për fuçi.

-Advertisement-

Këto çmime u regjistruan rreth orës 13:34 GMT, ndërsa rënia pasoi humbjet e mëdha të një dite më parë, kur Brent kishte humbur rreth 5.9% të vlerës.

Rënia e çmimeve lidhet kryesisht me zbutjen e shqetësimeve për përshkallëzimin e konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka sinjalizuar se nuk planifikon ndërhyrje të reja ushtarake kundër Iranit, pas kërkesave të vendeve të rajonit për shmangien e përshkallëzimit të situatës.

Këto deklarata kanë ulur frikën e investitorëve për ndërprerje të mëtejshme të furnizimit me naftë nga Lindja e Mesme.

Një tjetër faktor është rritja e prodhimit të naftës nga vendet e OPEC-ut gjatë tetorit, veçanërisht nga Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku.

Gazeta britanike Financial Times raportoi se rënia e çmimeve të hënën ishte nxitur nga pritjet për një qasje më diplomatike të administratës amerikane ndaj Iranit.

Megjithatë, rreziqet për furnizimin global nuk janë zhdukur, pasi vazhdojnë shqetësimet për sigurinë e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme për tregtinë botërore të naftës.

Edhe gazeta The Guardian raportoi se rënia e çmimeve të energjisë ka ndikuar pozitivisht në tregjet evropiane të aksioneve, ndërsa ka rritur pritjet për lehtësimin e presioneve inflacioniste.

Për Kosovën, e cila mbështetet në importin e derivateve të naftës, rënia e çmimeve në bursat ndërkombëtare mund të ndikojë në uljen e kostos së furnizimit. Megjithatë, ndryshimet në çmimet me pakicë janë më të ngadalshme në Kosovë. Sot 1 litër naftë në rajonin e Prishtinës kushton rreth 1 euro e 83 centë sa ka qenë rreth 1. 90 euro – centë, raporton KosovaPress.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy