Lajme

Musmurati akuzon Muratin për bllokimin e 100 kamionëve për mbeturina: Ministria e Financave nuk jep përgjigje

Autori: Gazeta inFokus 16:25 | 10 November 2026

Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besianë Musmurati, ka prezantuar sot dokumentacionin dhe kronologjinë e projektit për menaxhimin e mbeturinave me Bankën Gjermane për Zhvillim – KfW, duke e bërë përgjegjës ministrin e Financave, Hekuran Murati, për mosnënshkrimin e marrëveshjes që do t’i hapte rrugë blerjes së rreth 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve për rajonin e Prishtinës.

Në konferencën për media, Musmurati theksoi se qytetarët po përballen me gjendje të rënduar të mbeturinave, ndërsa ndërmarrja “Pastrimi” ka vetëm 12 kamionë funksionalë për pastrimin e Prishtinës. Sipas saj, përkundër mbështetjes financiare gjermane, negociatave, vendimit të Qeverisë dhe kërkesave të përsëritura për finalizim, projekti vazhdon të pengohet nga mosnënshkrimi i marrëveshjes së kredisë.

“Ekziston vendimi i Qeverisë. Ekziston dokumentacioni i projektit. Pyetja për Hekuran Muratin është e thjeshtë: pse nuk po e nënshkruani? Pse po e bllokoni blerjen e 100 kamionëve e kontejnerëve për Prishtinën?”, deklaroi Musmurati.

-Advertisement-

Duke paraqitur dokumentet, nënkryetarja sqaroi se procesi ka filluar në maj të vitit 2023, ndërsa në tetor të atij viti është arritur marrëveshja fillestare ndërmjet palëve. Faza e parë parasheh 4.1 milionë euro grant nga Qeveria Gjermane dhe 20 milionë euro kredi të butë, me afat 38-vjeçar, gjashtë vjet periudhë mospagimi të principalit dhe normë interesi prej 0.75 për qind.

Në këtë fazë parashihen rreth 10.3 milionë euro për blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj, 5.1 milionë euro për 10 mijë kontejnerë për ndarjen e mbeturinave në burim dhe 1 milion euro për platformat e kontejnerëve, krahas konsulencës, pajisjeve dhe përgatitjes së investimeve. Faza e dytë parasheh edhe 50 milionë euro kredi për kamionë e kontejnerë shtesë, si dhe ndërtimin e qendrave të kompostimit dhe riciklimit.

Musmurati theksoi se ky është një projekt për ndryshimin e mënyrës së menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë dhe në komunat përreth.

Pas negociatave ndërqeveritare të prillit 2024, KfW-ja ka njoftuar në shtator të atij viti miratimin e projektit nga Qeveria Gjermane dhe i ka përcjellë Qeverisë së Kosovës draft-marrëveshjet për grantin dhe kredinë. Më 18 dhjetor 2024, Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim nismën për marrëveshjen e kredisë, duke obliguar Ministrinë e Financave t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm.

Megjithatë, sipas nënkryetares, marrëveshja ka mbetur e panënshkruar edhe gjatë vitit 2026.

Musmurati bëri të ditur se më 15 maj 2026, Kryeqyteti, ndërmarrja “Pastrimi” dhe KfW-ja i janë drejtuar ministrit Murati me një shkresë të përbashkët, duke kërkuar trajtimin me prioritet të projektit dhe përshpejtimin e procedurave për finalizimin e marrëveshjes.

“Kjo nuk është vetëm kërkesë e Komunës. Është një shkresë e përbashkët, e nënshkruar nga të tri palët. Dokumenti është dorëzuar dhe është protokolluar në Ministrinë e Financave. Asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje”, theksoi ajo.

Nënkryetarja shtoi se angazhimet kanë vazhduar me takime gjatë qershorit, përfshirë takimin e KfW-së me ministrin Murati më 25 qershor 2026. Sipas saj, edhe gjatë takimit të javës së kaluar, delegacioni i bankës gjermane ka rikonfirmuar se marrëveshja e kredisë ende nuk është nënshkruar.

Musmurati e cilësoi këtë zvarritje si bllokim politik, pasojat e të cilit po i bartin qytetarët përmes mungesës së kapaciteteve të nevojshme për grumbullimin e mbeturinave. Ajo theksoi se projekti do të menaxhohet nga KfW-ja dhe ndërmarrja “Pastrimi”.

“Çfarë faji kanë qytetarët e Prishtinës që po i ndëshkoni me mosnënshkrim të marrëveshjes që ua mundëson heqjen e mbeturinave nga pragu i derës?”, u shpreh Musmurati.

Në përfundim, nënkryetarja kërkoi nga ministri Hekuran Murati të japë shpjegim publik për mosnënshkrimin dhe ta finalizojë marrëveshjen, në mënyrë që të fillojnë procedurat për blerjen e kamionëve, kontejnerëve dhe realizimin e investimeve të parapara.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy