Lajme

Evropa dhe SHBA dakordohen t’i rishikojnë marrëveshjet e sigurisë për të mos u përshkallëzuar konfliktet

Autori: Gazeta inFokus 18:00 | 10 November 2026

Përfaqësuesit evropianë, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të rishikojnë marrëveshjet e sigurisë në Evropë, me synimin për të ulur rrezikun e një përshkallëzimi të konfliktit me Rusinë dhe për të garantuar stabilitetin e kontinentit pas përfundimit të luftës në Ukrainë.

Dakordësia u arrit gjatë takimeve përgatitore të zhvilluara në Abu Dhabi, në ditën e parë të bisedimeve të reja për paqen në Ukrainë. Sipas deklaratave të publikuara nga i dërguari amerikan Steve Witkoff dhe Këshilli Evropian, palët e konsiderojnë thelbësore trajtimin e shqetësimeve të sigurisë pas luftës dhe krijimin e një kuadri të përbashkët që garanton sigurinë afatgjatë të Ukrainës.

“Objektivi i përbashkët është të zhvillohet një kuadër sigurie praktik dhe që përforcon reciprokisht sigurinë afatgjatë të Ukrainës dhe ndërton besimin e nevojshëm për të arritur një zgjidhje të negociuar”, thuhet në deklaratë.

-Advertisement-

Diskutimet përfshinë gjithashtu mundësinë e përshtatjes së institucioneve dhe marrëveshjeve ekzistuese evropiane të sigurisë në periudhën pas përfundimit të luftës.

Para takimit mes delegacioneve ukrainase dhe ruse, në Abu Dhabi u zhvilluan bisedime përgatitore mes përfaqësuesve të Ukrainës, fuqive evropiane dhe ekipit amerikan. Sipas dy zyrtarëve të njohur me diskutimet, takimet e para u zhvilluan në një atmosferë pozitive dhe konsiderohen të rëndësishme për vijimin e procesit diplomatik.

Rishikimi i arkitekturës së sigurisë evropiane mbetet një çështje delikate për vendet e kontinentit, veçanërisht për shkak të pasigurisë mbi angazhimin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen e Evropës. Presidenti Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht aleatët e NATO-s, duke ngritur pikëpyetje mbi nivelin e mbështetjes amerikane për sigurinë evropiane.

Nga ana tjetër, Rusia ka kërkuar vazhdimisht kufizimin e pranisë dhe aktiviteteve të NATO-s në Evropë, ndërsa kundërshton anëtarësimin e Ukrainës në Aleancë. Kievi dhe aleatët e tij më të afërt kanë mbështetur tradicionalisht perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Bisedimet në Abu Dhabi synojnë të hedhin bazat për një zgjidhje të negociuar të luftës, ndërsa garancitë e sigurisë dhe e ardhmja e marrëdhënieve mes Rusisë, Ukrainës dhe NATO-s mbeten ndër çështjet kryesore të negociatave.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy