Fokus

Besian Mustafa reagon në Kuvend pas raportimit të Infokusit për shitjet e AKP-së, kërkon hetime

Autori: Gazeta inFokus 10:47 | 22 Tetor 2026

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka reaguar në seancën e sotme plenare lidhur me shitjen e pronave të shtetit përmes negocimit direkt, çështje kjo e zbuluar në hulumtimin e Gazetës Infokus, ku u raportua se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) gjatë vitit 2025 ka shitur prona me çmime që fillojnë nga vetëm 4 euro për metër katror.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Mustafa kritikoi pushtetin për mënyrën e menaxhimit të pronës shtetërore, duke kërkuar nga Prokuroria që të nisë hetimet për këto raste.

“Sidomos ju të pushtetit, sepse në emrin tuaj janë fituar këto vota, e pushteti po vazhdon me dallavere duke falur 4 euro metrin katror të ndërtesave të shtetit, pra pronën e shtetit, pronën e qytetarëve të Kosovës. Me shpresën që po dëgjon dikush, lus prokurorët që të fillojnë hetimet në këto raste”, deklaroi Mustafa.

-Advertisement-

Kjo deklaratë vjen pas publikimit të hulumtimit të Gazetës Infokus, i cili, bazuar në dokumentet zyrtare të AKP-së, zbuloi se vetëm gjatë vitit 2025 janë evidentuar 54 shitje direkte, që përfshijnë gjithsej 62 mijë e 934 metra katrorë prona, me vlerë rreth 2.15 milionë euro.

Në mesin e rasteve të zbuluara nga Infokusi janë prona të shitura për vetëm 4 euro për metër katror, përfshirë një sipërfaqe prej mbi një mijë metrash katrorë në Turiçec, të shitur për 4 mijë e 492 euro.

Po ashtu, në Fushë Kosovë janë evidentuar 11 mijë e 825 metra katrorë pronë të shitur për 75 mijë e 680 euro, përkatësisht 6.40 euro për metër katror.

Hulumtimi i Infokusit ka rikthyer në vëmendje edhe premtimin e kryeministrit Albin Kurti për shuarjen e AKP-së, institucion të cilin ai dhe subjekti i tij politik e kishin kritikuar vazhdimisht gjatë kohës sa ishin në opozitë.

EKSKLUZIVE: Nga 4 EURO metri katror – AKP shiti me negocim direkt 54 PRONA gjatë vitit 2025

Përveç çështjes së pronave, Mustafa gjatë seancës foli edhe për rritjen e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballen familjet kosovare.

Ai tha se pothuajse të gjitha familjet në Kosovë janë të detyruara të rishikojnë çdo muaj buxhetin familjar, pasi të hyrat nuk po ua mbulojnë shpenzimet.

Deputeti i LDK-së kërkoi gjithashtu nga kolegët e tij, veçanërisht nga deputetët e pushtetit, që të jenë më vigjilentë ndaj punës së ministrave.

Gazeta Infokus ka paralajmëruar vazhdimin e publikimit të gjetjeve nga dokumentacioni i siguruar për shitjet direkte të AKP-së gjatë vitit 2025.

 

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy