Fokus

Premtoi gjithëpërfshirje, Kurti nuk e zbaton ligjin për personat me nevoja të veçanta as në Zyrën e tij

Autori: Rona Veseli 14:24 | 13 July 2026

Punësimi i personave me aftësi të veçanta në institucionet publike po vazhdon të mbetet një sfidë e madhe, ndërsa të dhënat tregojnë se shumica e ministrive dhe jo vetëm nuk e përmbushin obligimin ligjor për përfshirjen e tyre në tregun e punës.

Pavarësisht se ky pushtet ka premtuar në vazhdimësi qasje të barabartë për personat me aftësi të veçanta, në realitet të dhënat nga ministritë tregojnë se ka ndodhur krejtësisht e kundërta.

Madje kryeministri aktualisht në detyrë Albin Kurti, me të marrë mandatin në vitin 2021, bëri premtime të mëdha për këtë kategori, duke deklaruar se vitin 2022 do ta shpallte “vit i personave me aftësi të kufizuara.

-Advertisement-

“Në # IDPD21, Qeveria e Republikës së Kosovës ka caktuar vitin 2022 – vit i personave me aftësi të kufizuar. Ne mbetemi të përkushtuar të punojmë së bashku me personat me aftësi të kufizuar dhe organizatat që i mbështesin ata, për një shoqëri gjithëpërfshirëse me mundësi për të gjithë”, kishte shkruar Kurti në Twitter në dhjetor të 2021-es.

Por për më shumë se 6 vite qeverisje, ligjin për qasje në tregun e punës për personat me nevoja të veçanta, Kurti nuk arriti ta zbatonte as në zyrën e tij.

Të dhënat që Gazeta Infokus ka siguruar nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike TREGOJNË se janë vetëm tre ministri të Kurtit nga 20, që e zbatojnë ligjin për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara.

“Ligji Nr. 03/L-019 për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara obligon çdo punëdhënës që të punësojë të paktën një person me aftësi të kufizuara në çdo 50 punëtorë”, thuhet në këtë ligj.

Sipas këtyre të dhënave, ministritë kanë gjithsej 12,987 të punësuar, ndërsa vetëm 109 prej tyre janë persona që i takojnë kësaj kategorie të shoqërisë.

Sipas kuotës së përcaktuar me ligj, qeveria do të duhej të kishte të punësuar rreth 260 persona me aftësi të kufizuara, që do të thotë se mungojnë më shumë se gjysma apo 151 persona të tjerë të punësuar për të përmbushur obligimin ligjor.

Vetëm tri ministri e përmbushin kuotën ligjore.

Nga të dhënat e analizuara rezulton se vetëm tri ministri e përmbushin kuotën ligjore për punësimin e personave me aftësi të veçanta.

Bëhet fjalë për institucionin më të ri, Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, që ka 233 të punësuar dhe gjashtë persona me aftësi të veçanta, Ministrinë për

Zhvillim Rajonal me 51 të punësuar dhe dy persona me aftësi të kufizuara, si dhe Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, e cila ka 541 të punësuar dhe 15 persona me aftësi të veçanta.

16 ministri dhe zyra e kryeministrit nuk e zbatojnë ligjin për punësim të personave me nevoja te veçanta

Në anën tjetër, pjesa dërrmuese e ministrive përfshirë këtu edhe zyrën e kryeministrit Kurti, nuk e përmbushin kuotën e përcaktuar me ligj.

Mospërputhjet më të mëdha evidentohen në Ministrinë e Drejtësisë, e drejtuar nga Donika Gërvalla, e cila ka 2,030 të punësuar dhe vetëm gjashtë persona me aftësi të kufizuara, ndonëse sipas kuotës ligjore do të duhej të kishte mbi 40.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve e drejtuar nga Hekuran Murati me 1,468 të punësuar dhe vetëm dy persona me aftësi të veçanta, si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë e drejtuar nga Arben Vitia me 804 të punësuar dhe katër persona me aftësi të kufizuara.

Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes e drejtuar nga Ejup Maqedonci ka 2,600 të punësuar dhe 31 persona me aftësi të kufizuara, ndërsa sipas ligjit do të duhej të kishte së paku 52.

Ministria e Punëve të Brendshme e drejtuar nga Xhelal Sveçla ka 1,204 të punësuar dhe 20 persona me aftësi të veçanta, ndërsa Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe

Zhvillimit Rural e drejtuar nga Armend Muja ka 782 të punësuar dhe tetë persona me aftësi të veçanta.

Ndërkohë, asnjë person me aftësi të veçanta nuk figuron i punësuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e drejtuar nga Hajrulla Çeku,

Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e drejtuar nga Mimoza Kusari-Lila, Ministrinë e Ekonomisë e drejtuar nga Artane Rizvanolli, Ministrinë për Komunitete dhe Kthim e drejtuar nga Nenad Rasić, si dhe Ministrinë e Sportit dhe Rinisë e drejtuar nga Blerim Gashani.

Edhe institucionet e tjera të përfshira në analizë, përfshirë Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Infrastrukturës e drejtuar nga Dimal Basha, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal e drejtuar nga Elbert Krasniqi, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e drejtuar nga Glauk Konjufca, Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit e drejtuar nga Saranda Bogujevci, si dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e drejtuar nga Fitore Pacolli Dalipi, nuk e përmbushin kuotën ligjore të përcaktuar për punësimin e personave me aftësi të veçanta.

Gazeta Infokus ka pyetur edhe Inspektoratin e Punës se sa po monitorohet zbatimi i Ligjit për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe sa është numri i personave që janë punësuar si rezultat i inspektimeve.

Nga Inspektorati kanë bërë të ditur se gjatë realizimit të inspektimeve tek subjektet që kanë 50 ose më shumë të punësuar, është arritur që të punësohen 25 persona me aftësi të kufizuara.

Po ashtu, sipas tyre, subjektet që nuk kanë përmbushur obligimet ligjore kanë kryer pagesat e parapara me ligj në Buxhetin e Kosovës.

“Vlera totale e këtyre pagesave për vitin 2025 arrin në 654,582.40 euro”, kanë bërë të ditur nga Inspektorati.

Megjithatë, Inspektorati nuk ka ofruar detaje të plota lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit në institucionet publike dhe masat e ndërmarra ndaj institucioneve që nuk e përmbushin kuotën ligjore për punësimin e personave me aftësi të veçanta./Gazeta Infokus

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy