Fokus

“Kërkohen hetime urgjente nga Prokuroria për rrugën që u privatizua për babain e deputetit, Valon Ramdani: Ka dyshime serioze për keqpërdorim të pronës publike”

Autori: Gazeta inFokus 19:07 | 03 July 2026

Gazetari Shkëlzen Dakaj ka kërkuar nisjen e menjëhershme të hetimeve nga Prokuroria, pas publikimit të hulumtimit të Gazetës Infokus, i cili dëshmon se për herë të parë Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka privatizuar një pronë që rezulton të ketë qenë rrugë publike, duke e transferuar atë në pronësi private përmes procedurës së shitjes me negocim, shkruan Gazeta Infokus.

Sipas hulumtimit të Infokus prona në fjalë është privatizuar në favor të familjarëve të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, duke mundësuar, qasje në autostradë për një lagje me vila.

Përmes një reagimi publik, Dakaj ka thënë se rasti paraqet një nivel alarmant të keqpërdorimit të pronës publike, duke pretenduar se nuk bëhet fjalë vetëm për privatizim të tokave apo pronave shtetërore, por edhe të rrugëve të shtetit.

-Advertisement-

“Po flasim për diçka edhe më alarmante: po privatizohen edhe rrugët e shtetit. Në të kaluarën janë privatizuar toka e prona të ndërmarrjeve publike dhe për këtë janë ngritur akuza e ka pasur reagime të shumta. Por sot, nën qeverisjen e Albin Kurtit, kemi mbërritur në një pikë ku po guxohet të transferohen në pronësi private, jo vetëm pronat me pazare të negociuara, por edhe rrugët e shtetit, në funksion të interesave të familjarëve të deputetëve të partisë së tij. A po e kuptoni? E kanë negociuar rrugën për t’ia dhënë privilegjin babait të Valon Ramadanit, që lagjja me vila milionëshe, e ndërtuar nga kjo familje, të ketë qasje në autostradë nga të dyja anët e lagjes!”, ka deklaruar Dakaj.

Ai ka vlerësuar se në këtë rast ekzistojnë dyshime serioze për keqpërdorim të pronës publike dhe cenim të interesit të qytetarëve, duke kërkuar që privatizimet e realizuara me negocim në këtë zonë të hetohen nga organet kompetente.

“Ky është skandal. Këtu ka dyshime serioze për keqpërdorim të pronës publike dhe cenim të interesit të qytetarëve. Privatizimet me negocim në këtë lagje multimilionëshe, ku përfitoi familja e deputetit Valon Ramadani, duhet të jenë objekt i një hetimi të menjëhershëm. Prokuroria e Shtetit ka obligim ligjor të veprojë ex officio”, ka shkruar Dakaj.

Sipas tij, heshtja e institucioneve përballë këtyre pretendimeve do të ishte e papranueshme, ndërsa ka theksuar se prona publike duhet të mbrohet dhe çdo dyshim për keqpërdorim të hetohet deri në fund.

“Heshtja e institucioneve përballë këtyre fakteve do të ishte po aq e rëndë sa vetë veprimet kriminale me këto prona. Prona publike nuk është plaçkë partie. Rrugët e shtetit nuk ndërtohen me paratë e qytetarëve për t’u shndërruar më pas në pronë private të milionerëve të lidhur me pushtetin në të kaluarën dhe të lidhur me pushtetin edhe sot”, shtoi Dakaj.


Ndryshe Gazeta Infokus ka publikuar hulumtimin ku një pronë shtetërore prej 2,524 metrash katrorë, e blerë përmes negocimit direkt nga Hysni Ramadani, babai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, rezulton se në pjesën më të madhe të saj është rrugë, trotuar dhe infrastrukturë përcjellëse e një lagjeje private në Ferizaj.

Pas raportimeve se prona ndodhej brenda lagjes luksoze Panorama në Ferizaj, Gazeta Infokus ka kërkuar sqarime nga Drejtoria për Pronë, Gjeodezi dhe Kadastër në Ferizaj për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me parcelën pas privatizimit.

LEXO EDHE: Për herë të parë, AKP privatizon edhe RRUGË – Prona e blerë nga babai i deputetit Valon Ramadani rezulton të jetë rrugë

Më poshtë mund të gjeni video e plotë nga hulumtimi:

/Gazeta Infokus/

Familjari i Valon Ramadanit në krye të fushatës së sharjeve të rënda ndaj gazetarit Dakaj, deputeti i LVV-së që Infokus ia zbuloi privatizimin e tokës

AKP-ja konfirmon pazarin me negocim: Babai i Valon Ramadanit bleu pronën publike me 120 euro për metër katror

Reagim i Gazetës Infokus ndaj deklaratave shpifëse të ish deputetit të LVV-së, Valon Ramadani, njoftim për padi për shpifje dhe prishje të imazhit

“S’kam kohë me u marrë me tyli gazetari”, babai i ish-deputetit të VV-së, Valon Ramadani, me sjellje arrogante kur pyetet për blerjen e pronës me negocim nga AKP-ja

EKSKLUZIVE: Albin Kurti përmes AKP-së i shet pa tender pronë 2524m² babait të deputetit Valon Ramadani, i fsheh emrin në dokumente

Kjo është lagjia luksoze ku AKP-ja i shiti 2524m² pronë pa tender babait të deputetit të VV-së, Valon Ramadani

Për herë të parë, AKP privatizon edhe RRUGË – Prona e blerë nga babai i deputetit Valon Ramadani rezulton të jetë rrugë

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy