AKP-ja konfirmon pazarin me negocim: Babai i Valon Ramadanit bleu pronën publike me 120 euro për metër katror
Autori: Gazeta inFokus
16:46 | 07 Qershor 2026
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka reaguar pas raportimit të Gazetës Infokus se përmes kësaj ndërmarrjeje i’u shit pronë mbi 2500 metra katrorë babait të ish deputetit të LVV-së, Valon Ramadanit, Hysni Ramadani.
Reagimi i AKP-së ndaj raportimit të Gazetës Infokus, në vend që të demantojë faktet e publikuara, tërësisht i konfirmon ato.
Për herë të parë, vetëm pasi Gazeta Infokus publikoi dokumentet dhe hulumtimin e saj, AKP-ja doli publikisht me detaje shtesë rreth shitjes së parcelës prej 2,524 metrash katrorë të ish-Ndërmarrjes Shoqërore “Pasuria Bujqësore” në Ferizaj, duke pranuar se prona është shitur në formë direkte tek Hysni Ramadani dhe Shaban Aliu.
Pra, fakti kryesor i raportimit nuk kontestohet nga vetë institucioni. Nuk kontestohet se prona është shitur në formë direkte. Nuk kontestohet se blerës ka qenë babai i ish-deputetit të LVV-së, Valon Ramadani. Nuk kontestohet se emrat e blerësve kanë qenë të fshehur në dokumentet zyrtare të publikuara nga AKP-ja. Nuk kontestohet as fakti se Gazeta Infokus është detyruar të sigurojë dokumentin e paredaktuar për të kuptuar se kush qëndronte pas transaksionit.
Ndërsa për herë të parë AKP-ja vetëm pas pubikimit të Infokus ka pranuar të tregojë çmimin, ku thuhet se prona prej 2524 metra katror iu shit babait të Valon Ramadanit për vetëm 120 euro metrin katror, madje duke e cilësuar çmim tejet të lartë pasi çuditërisht sipas tyre prona ishte në një vend të papërshtatshëm.
“Para se të trajtohen aspektet ligjore dhe procedurale të këtij rasti, është e rëndësishme të theksohet se vetë dokumentet e publikuara nga portali Gazeta Infokus dëshmojnë një fakt thelbësor që është lënë jashtë artikullit. Parcela objekt i shitjes direkte në këtë rast, me sipërfaqe prej 2,524 m², është shitur për shumën prej 302,880 euro, përkatësisht me çmim prej 120 euro për m². Ndërkaq, nga vendimet e Bordeve te kaluara vendime të publikuara në të njëjtin artikull rezulton se AKP ka realizuar shitje të ngjashme me çmime prej 20.00 euro/m², 17.27 euro/m², 15.05 euro/m² dhe 1.10 euro/m²”, thuhet në reagim.
Dhe vetë AKP-ja pranon se ky çmim nuk figuron në dokumentin e publikuar në faqen e saj zyrtare.
Një nga pretendimet tjera më problematike të AKP-së është edhe se emrat e blerësve janë fshehur për shkak të “mbrojtjes së privatësisë”.
Kur një qytetar blen një aset publik nga shteti, ai nuk është duke zhvilluar një aktivitet privat. Ai po hyn në një marrëdhënie juridike me një institucion publik dhe po përfiton nga një transaksion që përfshin pasuri publike.
Pikërisht për këtë arsye, në Kosovë publikohen emrat e operatorëve ekonomikë që fitojnë tenderë publikë, emrat e kompanive që marrin kontrata nga shteti, emrat e përfituesve të subvencioneve, emrat e personave që regjistrojnë prona në kadastër dhe një sërë të dhënash të tjera që lidhen drejtpërdrejt me interesin publik.
Një kontratë për shitjen e një aseti publik nuk është çështje private, por çështje e interesit publik.
Po të ndiqej logjika e AKP-së, atëherë çdo kontratë publike do të duhej të publikohej me emra të fshehur.
Qytetarët nuk kanë interes vetëm të dinë sa është shitur një pronë publike. Ata kanë interes legjitim të dinë edhe kujt i është shitur ajo.
Kjo është vetë thelbi i transparencës.
Një pjesë e konsiderueshme e reagimit të AKP-së fokusohet në argumentin se parcela nuk mund të shitej përmes tenderit publik dhe se forma direkte ishte e vetmja zgjidhje e mundshme.
Megjithatë, vetë ky pretendim ngre një sërë pyetjesh që AKP-ja nuk i adreson.
Institucioni pretendon se parcela ishte e rrethuar nga prona private dhe ishte bërë pjesë integrale e një kompleksi banesor privat, ku tashmë ishin ndërtuar rrugë, kanalizime, rrjete energjetike dhe infrastrukturë tjetër.
Por pikërisht këtu lind pyetja kryesore: Si përfundoi prona e ndërmarrjes shoqërore në një gjendje të tillë?
Nëse një pronë publike është përdorur për vite me radhë si pjesë e një kompleksi privat dhe më pas kjo gjendje përdoret si argument se prona nuk mund t’i nënshtrohet konkurrencës së hapur, atëherë lind nevoja për edhe më shumë transparencë dhe jo për më pak transparencë.
Sepse në të kundërtën krijohet perceptimi se një situatë faktike e krijuar në terren mund të përdoret më pas si justifikim për të kufizuar konkurrencën dhe për ta orientuar shitjen drejt një blerësi të caktuar.
AKP ende nuk përgjigjet për refuzimin e qasjes në dokumente
Një tjetër çështje që mbetet pa përgjigje është refuzimi i AKP-së për t’i dhënë Gazetës Infokus qasje në dokumentet e kërkuara. Institucioni pretendon se dokumentet janë publike.
Por në të njëjtën kohë pranon se dokumentet e publikuara nga vetë AKP-ja janë të anonimizuara. Kjo krijon një kundërthënie të qartë. Nëse dokumentet janë publike, atëherë pse refuzohet qasja në versionet e plota?
Nëse emrat nuk kanë rëndësi për interesin publik, atëherë pse u desh të fshiheshin?
Dhe nëse gjithçka është bërë në mënyrë të rregullt, pse informacioni për blerësit nuk publikohet që në momentin e vendimmarrjes?
Ky është reagimi i plotë i AKP-së pa ndërhyrje:
REAGIM ZYRTAR I AGJENCISË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT (AKP)
Lidhur me publikimin e portalit Gazeta Infokus për rastin e shitjes direkte të një parcele në ZK Nekodime, Komuna e Ferizajt
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) shpreh shqetësimin e saj lidhur me artikullin e publikuar nga portali Gazeta Infokus, në të cilin paraqiten pretendime të pasakta, interpretime të njëanshme dhe konkluzione të pambështetura në fakte, të cilat krijojnë perceptim të gabuar tek publiku dhe kanë potencial të ndikojnë në proceset demokratike dhe zgjedhore përmes keqinformimit dhe dezinformimit të opinionit publik.
Për hir të informimit të drejtë të qytetarëve, AKP sqaron si në vijim:
Para se të trajtohen aspektet ligjore dhe procedurale të këtij rasti, është e rëndësishme të theksohet se vetë dokumentet e publikuara nga portali Gazeta Infokus dëshmojnë një fakt thelbësor që është lënë jashtë artikullit. Parcela objekt i shitjes direkte në këtë rast, me sipërfaqe prej 2,524 m², është shitur për shumën prej 302,880 euro, përkatësisht me çmim prej 120 euro për m². Ndërkaq, nga vendimet e Bordeve te kaluara vendime të publikuara në të njëjtin artikull rezulton se AKP ka realizuar shitje të ngjashme me çmime prej 20.00 euro/m², 17.27 euro/m², 15.05 euro/m² dhe 1.10 euro/m². Mesatarja e këtyre rasteve është rreth 13.36 euro/m², që nënkupton se parcela në fjalë është shitur me çmim afërsisht nëntë (9) herë më të lartë. Ky fakt, i cili mund të verifikohet nga çdo lexues duke iu referuar vetë dokumenteve të publikuara nga portali, bie ndesh me narrativën e paraqitur në artikull se kemi të bëjmë me zhvlerësim apo favorizim në shitjen e asetit. Përkundrazi, të dhënat tregojnë se në këtë rast është realizuar një vlerë e lartë financiare në interes të ndërmarrjes shoqërore dhe kreditorëve të saj.
- Shitja nuk është realizuar jashtë procedurave ligjore
Rasti në fjalë nuk përbën një vendim të veçantë apo të jashtëzakonshëm, por është trajtuar në përputhje të plotë me:
- Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit;
- Shtojcën e Ligjit të AKP-së, konkretisht nenin 18 paragrafi 1.4;
- Rregulloren Nr. 04/2024 për Shitjen Direkte të Aseteve të Caktuara të Ndërmarrjeve Shoqërore.
Kjo rregullore është miratuar pikërisht për trajtimin e rasteve ku shitja përmes tenderit publik nuk është e mundshme ose do të shkaktonte humbje ekonomike për ndërmarrjen shoqërore.
- Parcela nuk ishte e përshtatshme për tender publik
Parcela kadastrale nr. 410-0 në ZK Nekodime ishte e rrethuar në të gjitha anët me prona private të privatizuara më herët dhe, sipas gjendjes faktike në terren, ishte bërë pjesë integrale e një kompleksi privat banimi.
Në këtë parcelë dhe mbi të ishin shtrirë:
- objekte banimi;
- rrugë të brendshme;
- infrastrukturë e ujësjellësit;
- kanalizim;
- rrjet energjetik dhe infrastrukturë përcjellëse.
Ekspertizat profesionale, raportet e terrenit dhe vlerësimet teknike kanë konstatuar se gjendja ishte e pakthyeshme dhe se parcela kishte humbur funksionin e saj fillestar.
Në këto rrethana, AKP kishte detyrim ligjor të vlerësonte nëse tenderimi publik do të ishte realisht i mundshëm dhe ekonomikisht i arsyeshëm.
- Vetë rregullorja e parashikon këtë kategori shitjeje
Neni 4 paragrafi 1.3 i Rregullores për Shitjen Direkte parashikon shprehimisht mundësinë e shitjes direkte kur:
“Ngastra kadastrale ose pjesa e caktuar e ngastrës kadastrale amë në pronësi të ndonjë ndërmarrje shoqërore e cila sipas gjendjes faktike në terren, është si pjesë integrale e kompleksit të pronësisë private ose nuk ka dalje në rrugë, me ç’rast tenderimi publik konsiderohet i pamundur apo sjell dëme potenciale ekonomike për vlerën reale të asetit dhe zhvlerësimin e tij.”Po ashtu, rasti konkret përmban elemente që lidhen edhe me paragrafin 1.2 të nenit 4 të së njëjtës rregullore, pasi në parcelë ekzistojnë ndërtime dhe infrastrukturë e përhershme.
Pikërisht kjo është situata faktike e konstatuar në këtë rast.
- Pretendimi për favorizim bie ndesh me vetë faktet
Artikulli tenton të krijojë përshtypjen se prona është shitur nën vlerë.
Faktet tregojnë të kundërtën.
Parcela prej 2,524 m² është shitur për 302,880 euro, përkatësisht 120 euro për m².
Vetë dokumentet e publikuara nga portali tregojnë se në raste të tjera të trajtuara nga Bordet paraprake të AKP-së janë realizuar shitje me vlera dukshëm më të ulëta për metër katror.
Kjo tregon qartë se nuk kemi të bëjmë me zhvlerësim të asetit, por me një realizim financiar që ka ruajtur dhe maksimizuar interesin ekonomik të ndërmarrjes shoqërore.
- Vlera nuk është përcaktuar arbitrarisht
Në kundërshtim me pretendimet e artikullit, çmimi nuk është përcaktuar nga ndonjë individ apo organ politik.
Sipas Rregullores Nr. 04/2024, vlera e asetit dhe/ose pjesës së tij bazohet në treguesit e vlerave referente në harmoni me klasifikimet e parapara në hartat digjitale të zonave të vlerësimit, të publikuara nga Ministria e Financave për qëllime të tatimit në pronë.
Për rrjedhojë, vlera e asetit nuk përcaktohet sipas vlerësimeve subjektive apo diskrecionit të zyrtarëve të AKP-së, por sipas metodologjisë zyrtare të vlerësimit të pronave të aplikuar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
- Emrat e blerësve nuk fshihen – mbrohet privatësia e palëve
Artikulli pretendon se AKP ka fshehur emrin e blerësit.
Ky pretendim është i pasaktë.
AKP zbaton standard të njëjtë për të gjitha rastet e shitjeve direkte dhe publikimit të vendimeve administrative.
Të dhënat personale të personave fizikë anonimizohen në pajtim me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë e palëve.
Ky standard zbatohet pa dallim për të gjithë qytetarët dhe nuk ka të bëjë me identitetin, pozitën apo përkatësinë politike të ndonjë personi.
- AKP është institucion i pavarur dhe jo organ politik
AKP vepron në bazë të mandatit të përcaktuar me ligj dhe vendimet e saj merren në bazë të dokumentacionit profesional, ekspertizave teknike, analizave juridike dhe procedurave të miratuara nga organet kompetente.
Përfshirja e emrave të figurave politike në tituj sensacionalë, pa asnjë provë se ato kanë pasur rol në procesin administrativ apo vendimmarrës, krijon perceptime të rreme dhe cenon besimin e publikut në institucionet shtetërore.
AKP mbetet e përkushtuar ndaj ligjshmërisë, transparencës, trajtimit të barabartë të të gjitha palëve dhe mbrojtjes së interesit publik gjatë administrimit, privatizimit dhe likuidimit të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore.
Duke konsideruar se artikulli në fjalë nuk ka paraqitur në mënyrë të plotë faktet relevante, bazën ligjore të procesit, rrethanat faktike të rastit dhe elementet që kanë ndikuar në përcaktimin e vlerës së asetit, vlerësojmë se opinioni publik është informuar në mënyrë të njëanshme dhe jo të plotë. Për këtë arsye, kërkojmë nga portali Gazeta Infokus që, në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë dhe parimin e informimit të drejtë të publikut, të publikojë këtë reagim dhe të korrigjojë artikullin përkatës duke reflektuar faktet dhe sqarimet zyrtare të paraqitura nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Agjencia Kosovare e Privatizimit
Prishtinë, qershor 2026

T� tjera
-
Le’tra tronditëse që Arlinda Zekaj ia dorëzoi Prokurorisë tri ditë para se të vritej
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni ...
-
Kurti uron “Koalicionin Shqiptar” për rezultatin në zgjedhjet në Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka uruar “Koalicionin Shqiptar” për rez...
-
Ky është i dyshuari për vrḁsjen me sëpatë të kunatës në Pejë – viktimḁ ishte kthyer nga Policia në shtëpi vetëm pak minuta para krimit
Gazeta Sinjali ka siguruar identitetin e personit të dyshuar për vrasjen brut...
-
Tragjedia në Vitomericë/ Avokatja zbulon fjalët e fundit të Arlindës, që u vra nga kunati me sopatë: “Nuk më duhet jeta pa djalin”
Avokatja Adelina Hoxha ka reaguar pas vrasjes së Arlindës, e cila dyshohet se...
-
CRTA: Lista Studentore kryeson me 51,47 për qind të votave
Lista Studentore kryeson në zgjedhjet parlamentare në Serbi me 51,47 për qind...
-
Burri nga Deçani e vret në Vitomericë kunatën e tij
Një ngjarje e rëndë dyshohet se ka ndodhur në Vitomericë të Pejës, ku një bur...
-
CeSID: Koalicioni Shqiptar, dy mandate në Serbi
“Koalicioni Shqiptar” pritet të përfaqësohet nga dy deputetë në parlamentin s...
-
CeSiD i publikon rezultatet preliminare, Lista e Studentëve e mund Vuçiqin 52 me 39, Daçiq merr veç 2.3% të votave
Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSiD), në bashkëpunim me Ipsos, k...
-
Shqiptarët mund t’i fitojnë tre mandate në Parlamentin e Serbisë?
Me përjashtim të listës së studentëve dhe SNS-it, të gjitha listat tjera zgje...
-
Vuçiq humbi, nisin festimet në shtabin e Listës së Studentëve dhe në qendër të Beogradit
Festimet kanë nisur në shtabin e listës së studentëve “Studentët Fitojnë”, pa...
-
Vuçiç pranon humbjen pas 14 vitesh në pushtet: Ka fituar Lista Studentore
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Lista Studentore pritet të...
-
Rrahja e të miturës në Gjilan nga bashkëmoshataret, familja largohet nga Kosova
Pas dhunës fizike ndaj një vajze të mitur në Gjilan në vitin 2025, e cila iu ...
































